Familjarë të të arrestuarëve në operacionin “Monstër” të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë kanë reaguar lidhur me arrestimet e të afërmeve të tyre.Pjesa më e madhe e familjarëve të tubuar pranë gjykatës kanë shprehur revoltën e tyre.
Ndërkohë pritet që në çdo moment të nis procedura dëgjimore e grupit të të ndaluarëve, mes të cilëve bëhet e ditur për më shumë se 20 veta dhe në mesin e tyre edhe shtatë femra, mes tyre edhe gruaja 60 vjeçare nga fshati Hotël i Likovës. Mes të ndaluarëve thuhet për INA se është edhe një i moshuar 67 vjeçar nga Haraçina.
Familjarët theksojnë për INA se duan drejtësi dhe lirimin e të ndaluarëve, por edhe theksojnë se nuk janë kundër nxjerrjes para drejtësisë të vrasësve të aktit mizor në Smilkovc.
Mersim Hasipi, familjari i vajzës 20 vjeçare me mbulesë që është paraqitur në fotografitë gjatë dorëzimit pranë gjykatës themelore Shkupi 1 thekson për agjencinë INA se është i tmerruar me aktin e arrestimit të motrës së tyre.
“Jemi të shokuar se si kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar motrën tonë. Ajo 100 për qind është e pafajshme dhe as që ka të bëjë me çmendurinat që u thanë nëpër media. Të akuzosh dikë për terrorizëm vetëm pse falet namaz, kjo është e pakuptimtë dhe nuk ndodhë askund. Por, po shofim se këto që po na ndodhin janë ofendim dhe nënçmim i madh për shqiptarët dhe sidomos familjen tonë”, thekson për INA, Mersim Hasipi, i cili thekson se nuk kanë dijeni se çfarë po ndodhë dhe nuk i lejohet qasje edhe avokatit të tyre mbrojtës.
Familja Bilalli gjithashtu thekson se është e shokuar nga arrestimi dhe dërgimi në gjykatë i nënës së tyre Feride Bilalli, 60 vjeçares nga Hotla e komunës së Likovës.
Djali i saj i cili sot ka mbërritur nga Gjermani thekson se nëna e tyre jetonte e vetme në shtëpi dhe nuk kishte asnjë djalë, ndërsa ai rrëfen se fotot e nxjerrura nga MPB përmes filmimeve nga bastisjet tregojnë se bëhet fjalë për një nga vëllezërit e tij që jeton në Belgjikë.
“Ne jemi të shokuar, s`dijmë çka të themi, dhe po presim lirimin e nënës tonë. I kemi parë ato video nga shtëpia jonë dhe fotot e vëllaut tim që ka qenë pjesëtarë i UÇK-së dhe nuk mohohet ajo gjë. Por lidhja me këtë rast dhe ndalimi i nënës tonë, është tmerrues për ne”, thekson djali i Feride Bilallit.
Familja Mersimi apelon që sa më shpejt të lirohet vajza e tyre dhe se të reagojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë për të parë se çfarë po ndodhë.
Familjarët si avokatë mbrojtës të këtij procesi kanë caktuar avokatët shqiptarë Naser Raufi dhe Petar Janura. Avokati Naser Raufi ka theksuar se pritet të fillojë nxjerrja para gjykatësit hetues të të ndaluarëve dhe mundësia për shqiptimin e masës së paraburgimit për disa nga të ndaluarit. Familjarët janë të habitur se si asnjë media nuk ka dalur para gjykatës dhe nuk ka qëndruar për të marrë prononcimet e tyre. /INA/kohaislame