Familjarët e viktimave të udhëtarëve në aksidentin ajror të Airbus 320 Germanwings, të kompanisë ajrore gjermane Lufthansa, nuk kanë pranuar ofertën e dëmshpërblimit në vlerë prej 25.000 euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Avioni u rrëzua në jug të Francës, dhe nga hetimet e deritanishme rezulton se e rrëzoi bashkë-piloti i avionit.
“Oferta nuk është pranuar për shkak se familjet konsiderojnë se u është ofruar sasi e pamjaftueshme,” tha avokati që përfaqëson familjet e 36 viktimave, Elmar Giemulla.
“Ne hedhim poshtë këtë ofertë pasi që ata që kanë humbur të dashurit e tyre nuk e konsiderojnë të arsyeshme këtë shumë” tha Giemulla dhe shtoi se familjet për dhimbjet e përjetuara duan të paktën 100.000 euro për çdo person që humbi jetën në këtë aksident ajror.
Airbus A320 Germanwings, i linjës Barcelona- Dusseldorf, u rrëzua në jug të Francës. Në këtë aksident mbetën të vdekur 144 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Sipas të dhënave të marra nga kutitë e zeza, avionin e rrëzoi bashkë-piloti, Andreas Lubitz.