-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Falja e të tjerëve i bën mirë zemrës

Më të lexuarat

Thuhet se të gabosh është njerëzore dhe të falësh është hyjnore. Por, një studim i ri ka dalë në përfundim se të falësh gabimet e të tjerëve i bën mirë edhe shëndetit. Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Kalifornisë, ata që nuk mbajnë inat kanë më pak probleme me zemrën, transmeton TCH. Në studim morën pjesë 200 vullnetarë të cilëve iu kërkua të mendonin për momentet kur janë zhgënjyer apo ofenduar nga një mik. Gjysmës iu kërkua që të rikujtonin se sa ishin zemëruar, ndërsa gjysmës tjetër iu kërkua që momentet e zhgënjimit t’i kujtonin me prirjen për të falur.

Pjesëmarrësit në këtë studim ishin të lidhur me disa monitorë që tregonin presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës. U pa se “grupi i të inatosurve” kishte një presion më të lartë gjaku krahasuar me “grupin që falte”.

Drejtuesit e studimit theksojnë për ‘Daily Mail’ se edhe pse bëhet fjalë për një studim të vogël, rezultatet tregojnë se falja e të tjerëve bën që zemra mos të “stresohet” dhe të parandalohet vuajtja nga tensioni i lartë në të ardhmen.(koha)

 

Butësia dhe falja në Islam

Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj rasteve që prodhojnë hidhërim dhe dhimbje. Disa njerëz provokohen qoftë edhe nga gjërat më të vogla, harrojnë çdo gjë dhe me nxitim marrin një hap shumë të pamatur. Por ka gjithashtu edhe njerëz që kalojnë nëpër vështirësi e fatkeqësi të ndryshme dhe përsëri nuk harrojnë të sillen me urtësi, me tolerancë dhe sjellje të mirë.

Është e vërtetë se natyra dhe temperamenti i njeriut luajnë një rol të madh në gjaknxehtësinë apo  zemërbutësinë e tij. Por ka një lidhje të thellë mes vetëbesimit të njeriut dhe sjelljes së tij serioze me të tjerët dhe me faljen e gabimeve të të tjerëve. Në fakt sa më i sjellshëm dhe perfekt të jetë një njeri i madh në të njëjtin përpjesëtim do të jetë e madhe zemra e tij dhe rrethi i tolerancës dhe faljes së tij do të jetë i gjerë. Ai do të përpiqet të gjejë rrethana justifikuese për gabimet e të tjerëve dhe do ta pranojnë ndjesën e tyre kur ata e kërkojnë ndjesë.

Nëse dikush e sulmon atë me qëllim për ta lënduar, ai do ta shohë atë si puna e filozofit që shikon fëmijët duke lozur me guralecë në rrugë dhe do ta injorojë, pa e marrë parasysh sjelljen e tij. Ne kemi parë se si zemërimi e tërbon njeriun. Një njeri mund ta urrejë edhe veten e tij kur ndien se është nënçmuar dhe mendon se kjo njollë nuk mund të hiqet vetëm se me gjakderdhje. A mundet një njeri që ka karakter të lartë, të marrë një hap të tillë thjesht sepse ai duhet të kalojë nëpër hidhërime e dhimbje? Kurrë! Ata që kënaqen duke u shkaktuar ofendime të tjerëve, e kanë poshtëruar veten e tyre para se ofendimi të ketë  arritur tek të tjerët.

Këtë e kuptojmë edhe tek tolerance dhe butësia e Hudit. Ai e ftoi popullin e tij të besojë Njëshmërinë e Allahut. Populli i tij e priti atë me abuzime, mallkime dhe akuza të cilat ai i toleroi me qetësi. Populli i tha:

“Ne po të shohim ty mendjelehtë dhe  të konsiderojmë vërtetë rrenacak. Ai tha: “O populli im, nuk jam mendjelehtë por jam i Dërguar nga Zoti i botëve. Unë ju përcjell mesazhin e Zotit tim dhe jam një këshillues besnik për ju.“ (Araf 66-68)

Abuzimet  dhe sharjet e popullit të Hudit nuk e provokuan atë sepse ka një ndryshim të madh mes dy grupeve. Në njërën anë është një njeri të cilin Zoti e ka zgjedhur për të qenë i Dërguar i Tij. Ai është përfaqësues i mirësisë dhe drejtësisë. Në anën tjetër janë njerëz të zhytur në injorancë e marrëzi dhe që konkurrojnë me njëri-tjetrin për adhurimin e gurëve. Në marrëzinë e tyre ata mendojnë se idhujt prej guri janë zotëruesit e fatit të tyre. Si mund të dekurajohet një mësues i madh nga sjellja e keqe e njerëzve të tillë?

Profeti (a.s) ia mësonte cilësitë e tolerancës dhe faljes shokëve të vet. Transmetohet se një beduin erdhi te Profeti (a.s) dhe i kërkoi diçka. Profeti (a.s) i dha atij diçka dhe e pyeti: “A të bëra mirë?”- Beduini iu përgjigj: “Jo, nuk më ke bërë mirë”. Sahabët kur e dëgjuan këtë u zemëruan dhe u turrën drejt tij. Profeti (a.s) bëri me shenjë për ti ndaluar. Pastaj u ngrit, hyri në shtëpinë e tij, e thirri atë dhe i dha edhe diçka tepër. Pastaj i tha: “Po tani a të bëra mirë?” Beduini i tha: “Po, Allahu të shpërbleftë me të mira për familjen dhe farefisin tënd.” Profeti (a.s) i tha: “Shokët e mi janë të zemëruar me ty për atë që e the më parë, po të dëshirosh mund ta përsëritësh para tyre atë që më the tani me qëllim që zemërimi të hiqet nga zemrat e tyre.”

Ai ra dakord dhe erdhi të nesërmen në mëngjes ku Profeti (a.s) tha: “Në lidhje me atë që tha ky arab, unë i dhashë diçka më shumë dhe tani ai thotë se është i lumtur dhe i kënaqur. Apo jo?”- Beduini tha: -Po, Allahu të shpërbleftë me të mira ty, familjen dhe farefisin tënd.” Atëherë Profeti (a.s) tha: “Shembulli im dhe i këtij burri është si shembulli i atij njeriu që i ka ikur deveja dhe njerëzit vrapojnë pas saj për ta kapur, por kafsha trembet edhe më shumë. Kështu burri u tha shokëve: ‘Më lini vetëm me devenë time, sepse unë e njoh më mirë.’ Kështu ai mori ca bar në duar dhe ia tregoi devesë, ajo u kthye dhe u ul pranë këmbëve të tij. Ai e shaloi dhe u ngjit në të. Nëse unë do t’ju kisha lënë kur njeriu po përdorte gjuhë të urryer, ju do ta kishit vrarë atë dhe ai do të hynte në zjarr.’”

Profeti i mirë nuk u provokua në fillim nga sjellja e keqe e beduinit. Ai e kuptoi natyrën dhe temperamentin e tij. Nëse njerëz të tillë do të dënoheshin menjëherë, ata do të shkatërroheshin dhe kjo do të ishte padrejtësi. Por reformatorët e mëdhenj nuk lejojnë që gabimet e njerëzve të kenë një fund kaq të trishtuar. Ata përpiqen të heqin injorancën e njerëzve me tolerancë dhe durim në mënyrë të vazhdueshme.

Kurse një herë tjetër, një beduin arrogant i tha Profetit (a.s) kur ai po ndante plaçkat e luftës: “Bëhu i drejtë, se kjo ndarje duhet  bërë për hir të Zotit.” Profeti (a.s) nuk bëri gjë tjetër veçse i tregoi atij atë që nuk e dinte dhe i tha: “Mjer për ty, kush do të jetë i drejtë nëse nuk jam unë. Do të shkatërrohesha dhe do të humbsha nëse nuk do të isha i drejtë.”

Një ditë Profeti (a.s) u foli njerëzve dhe mes të tjerave u tha: “Njerëzit janë krijuar në tipe të ndryshme. Ka prej tyre që ngadalë hidhërohen dhe shpejt falin, disa njerëz zemërohen shpejt dhe falin shpejt, disa zemërohen ngadalë dhe falin ngadalë. Kini kujdes, disa shpejt hidhërohen e ngadalë falin.”

“Dijeni se zemërimi është një gacë në zemrën e njeriut. A nuk e shikoni se si i skuqen sytë dhe i fryhen damarët? Kush ndien diçka të tillë, le të ulet në tokë.”  (Transmeton Tirmidhiu)

Një njeri i zemëruar mund ta zhysë veten në lloj-lloj marrëzish. Ndonjëherë ai përplas derën nëse ajo nuk hapet menjëherë për të. Kurse një besimtar e ul veten e tij sa herë që është e nevojshme.

Dikujt era ia fryu rrobat dhe ai e mallkoi erën. Profeti (a.s) i tha: “Mos e mallko atë, sepse ajo i është nënshtruar urdhrit të Zotit dhe është nën kontrollin e Tij. Kush mallkon diçka që nuk e meriton, mallkimi i kthehet atij (mallkuesit).”  (Transmeton Tirmidhiu)

Ibn Mes’udi transmeton se një herë Profeti (a.s) i pyeti shokët: “Kë konsideroni ju të fuqishëm?” Ata i thanë: “Atë  të cilin nuk e mposht askush.” Ai tha-  “Jo, por është ai i cili e kontrollon veten gjatë zemërimit.”(Transmeton Muslimi)

Një burrë i tha Profetit (a.s): Më  jep një këshillë, por jo shumë të gjatë se mos e harroj. Profeti (a.s) i tha:“Mos u zemëro!” Cila këshillë do të ishte më e mirë dhe më e  shkurtër se kjo?

I dërguari i Allahut (a.s) gjithmonë i jepte rëndësi temperamentit të pyetësit dhe ambientit ku ai jetonte kur jepte udhëzime dhe mësime. Ai e zgjaste ose e shkurtonte ligjëratën e tij sipas rrethanave.

Arabët para-islamik kishin dy lloje injorance, injorancë kundër diturisë dhe injorancë kundër tolerancës. Ata krenoheshin me injorancën dhe ligësinë. Siç shprehet një poet arab i asaj kohe:

 Dijeni! Kush shfaq injorancë e ligësi para nesh

Ne do të bëhemi më injorantë dhe të ligë se të gjithë.

 Të parën, (Profeti (a.s) e pastroi me dije, reflektim, predikim dhe këshilla. Kurse të dytën e pastroi nëpërmjet shtypjes së dëshirave rebele (shtypjes së epshit) dhe pengimit të trazirave. Kur erdhi Islami prezantoi praktikën e faljes dhe mirësisë në shoqëri. Ky objektiv mund të arrihej vetëm kur zemërimi dhe mllefi të ishin nën kontrollin e intelektit. Ka shumë thënie ku Profeti (a.s) u ka dhënë udhëzime arabëve duke i udhëhequr ata drejt këtij ideali, aq sa manifestimet e tiranisë, agresionit dhe zemërimit janë deklaruar jashtë rrethit të Islamit. Profeti (a.s) thoshte:

“Sharja e një myslimani është mëkat, kurse luftimi i tij është kufër (mosbesim).”

“I garantoj një shtëpi në mes të Xhenetit atij që e le polemikën qoftë edhe kur ka të drejtë.”

Një arab erdhi te Profeti (a.s) për të mësuar Islamin. Përpara kësaj ai as nuk e kishte parë Profetin (a.s) e as nuk dinte gjë rreth mesazhit të tij. Emri i tij ishte Xhabir ibn Selim. Ai tregon: “Pashë një burrë mendimin e të cilit e merrnin njerëzit. Çdo gjë që thoshte, ata e pranonin dhe ua përcillnin të tjerëve. Unë i pyeta se kush ishte ky njeri. Ata thanë se ai është i Dërguari i Allahut. Unë i thashe atij ‘alejke selam ja resulallah’.  Ai më tha: ‘Mos përshëndet kështu se kjo është përshëndetja e të vdekurit, por thuaj “Esselamu alejk“. Unë i thashë: ‘A je ti i dërguari i Allahut?’ Ai tha: ‘Unë jam i dërguari i Atij të cilin kur e thërret në fatkeqësi, ta heq fatkeqësinë, apo kur të kaplon thatësira dhe e lut Atë, Ai e rrit barin për ty. Nëse je në një vend të panjohur dhe e humb kafshën me të cilën udhëton, dhe ti e thërret Atë, Ai ta kthen kafshën ty.’ Pastaj i thashë: ‘Më obligo me diçka.’ Profeti (a.s) tha: -Mos shaj askënd!’ E pas kësaj unë nuk shava askënd, as njeri të lirë e as rob, as deve e as dele. Ai pastaj tha: ‘Mos nënvlerëso asnjë të mirë, qoftë edhe ti flasësh vëllait tënd me një buzëqeshje, sepse kjo është prej mirësisë.’ Pastaj tha: ‘Nëse dikush të fyen dhe nënçmon me ato gjëra që i di për ty, ti mos e fyej me atë që e din për të, sepse pasojat e saj do të jenë mbi të.’” (Transmeton Ebu Daudi)

Ka njerëz zemërimi i të cilëve nuk ftohet, të cilët reflektojnë vranësi në fytyrën e tyre. Islami është i pafajshëm ndaj këtyre cilësive.

Profeti (a.s) ka thënë:

“Besimtari nuk perqesh, nuk mallkon, nuk shan, nuk futet në fjalë dhe punë të pahijshme.” (Transmeton Tirmidhiu)

 Thotë Zoti në Kuran:

“Nxitoni në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për Xhenetin, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit, të cilët japin kur janë në pasuri dhe kur janë në vështirësi  dhe që e frenojnë mllefin, që u falin  të keqen njerëzve e Allahu i do bamirësit.”

Profeti (a.s) e fali edhe prijësin e hipokritëve i cili shkaktoi dhembje të ashpër në shpirtin e Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij. Ai shpifi për nënën e besimtarëve Aishen (r.a) e turpi nga kjo shpifje, i mbushte shpirtrat e tyre me dëshpërim, derisa zbritën ajetet kuranore për prestigjin e nderit të nënës së besimtarëve. Ajetet që iu shpallën Profetit (a.s) në ato momente ishin:

“S’ka dyshim se ata që e trilluan shpifjen ishin një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si diçka të dëmshme, por përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit i takon ndëshkimi sipas pjesëmarrjes në mëkat. Kurse ai që e përhapi pjesën më të madhe (të shpifjes) i takon ndëshkim më i madh. (Nur 11)

Qëndrimi i Ebu Bekrit (r.a) me Mustahun, të cilin e ndihmonte duke i dhënë pasuri për të përballuar jetesën, ishte se u betua që do ia ndërpriste këtë ndihmë dhe kurrë nuk do i jepte për atë që bëri me vajzën e tij.

Por Zoti në Kuran e këshilloi që ta falë dhe të vazhdojë ti japë:

“Të mos betohen të pasurit nga mesi juaj, se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Zotit lanë vendlindjet e tyre. Por le ti falin dhe ta kalojnë këtë. A nuk dëshironi që Zoti t’ju falë dhe juve?” (Nur 22)

Ebu Bekri kur e dëgjoi këtë verset tha: “Sigurisht, unë dua të më falë Zoti” dhe vazhdoi ta ndihmojë Mustahun.

Kurse Aishja r.a teksa ishte duke ecur një herë nën shoqërinë e Urve ibnu Zubejrit (djali i motrës) dhe papritur u shfaqet Hasan ibnu Thabit duke ardhur përballë. Kur e pa Urve, u bë gati ta qëllojë, nga inati, por Aisheja i tha: “Lëre o biri im, se ky burrë e ka mbrojtur të dërguarin e Zotit. A nuk i ke dëgjuar fjalët që ka thënë për të dërguarin e Zotit?” “Çfarë o teze?” e pyeti Urve. Aisheja i tha: “Ka thënë: ‘Babanë, vëllain, xhaxhain dhe nderin tim, i sakrifikoj për të dërguarin e Zotit.”

 Si sillet Zoti me ne?

Nga veçoritë e faljes së Zotit është se pasi të fal, është dhe i kënaqur me ty.

Shumë herë, kur përmenden gjynahet e mëdha në Kuran, përmendet dhe falja e Zotit. Thotë Zoti në Kuran:

Dhe kur i premtuam Musait (ti japim Teuratin) për dyzet netë, ju adhuruat viçin, duke qenë të padrejtë. Më pas ju falëm me qëllim që të falenderoni (Bekare 50-51)

Pra gjynahu që kishin bërë kishte nevojë për faljen e Zotit.

Tani le të përmendim disa hadithe kudsij, që flasin mbi faljen e Zotit:

“Çdo ditë deti i kërkon leje Zotit duke i thënë: O Zot, më lejo që ta përmbys njeriun pasi ai ushqehet nga furnizimi Yt dhe falënderon dikë tjetër. Qiejt i thonë: O Zot na lejo që ta shkatërrojmë njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër. Toka i thotë: O Zot, me lejo që ta përpij njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër. Por Zoti u përgjigjet: I lini, pasi dhe ju nëse do i kishit krijuar do ti mëshironit.”

A e keni parasysh nënën e cila mundohet ta mbrojë fëmijën e saj nga çdo e keqe? Po kështu dhe Zoti dëshiron të na ruajë nga çdo e keqe.

Unë, xhindët dhe njerëzit jemi në një cështje të madhe. I krijoj, kurse ata adhurojnë dikë tjetër, i furnizoj, kurse ata falenderojnë dikë tjetër. Të mirat e Mia zbresin tek robërit e Mi, kurse të këqiat e tyre ngjiten tek Unë. Miqësohem me ta me mëshirën Time, megjithëse nuk kam nevojë për ta, kurse ata bëhen të urryer tek Unë me gjynahet që bëjnë, megjithëse janë në kulmin e nevojës për Mua. Ata që më kujtojnë janë njerëzit më të afërt me Mua, prandaj kush dëshiron të jetë i afërt me Mua, le të me kujtojë. Atyre që bëjnë gjynahe, nuk ua këpus shpresat nga mëshira Ime. Nëse pendohen Unë jam i dashuri i tyre, nëse refuzojnë, Unë jam doktori i tyre. I sprovoj më fatkeqësi, që ti pastroj nga të metat. Kush më vjen i penduar, e pres nga larg dhe kush më kthen shpinën i thërras nga afër, duke i thënë: Ku po shkon, a ke zot tjetër veç Meje?! E mira tek Unë konsiderohet sa dhjetë të tilla dhe i shtoj më shumë. Kurse e keqja tek Unë është vetëm një dhe i fal. Betohem në krenarinë dhe madhështinë Time, nëse do më kërkonin  falja, do ua falja të gjitha”

 “O biri i Ademit, përsa do më lutesh dhe do shpresosh tek Unë, do të ti fal gjithçka ke vepruar pa e pasur problem. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua do të arrinin kupën e qiellit dhe do të më kërkoje që të ti fal do të ti falja. O biri i Ademit, nëse do dilje para Meje (ditën e kijametit) me gjynahe sa vetë toka, por nuk ke bërë shirk, do të të vij me aq falje dhe mëshirë”.

 Transmeton Buhariu që Profeti a.s ka thënë:

“Një njeri bëri një gjynah dhe tha: O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal. Zoti i thotë: E kuptoi robi Im që ka një Zot i cili fal gjynahet dhe të dënon për ta, ia kam falur robit Tim. Më pas u kthye dhe bëri një gjynah tjetër dhe përsëri tha: O Zot unë bëra një gjynah, prandaj më fal. Zoti i thotë: E kuptoi robi Im që ka një Zot i Cili fal gjynahet dhe të dënon për ta, ia kam falur robit Tim. Më pas bën një gjynah tjetër dhe përsëri thotë: O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal. Zoti i thotë: E kuptoi robi Im që ka një Zot i Cili fal gjynahet dhe të dënon për ta, ia kam falur robit Tim, le të veprojë robi Im çtë dojë përderisa më kërkon falje dhe pendohet”.

“Nuk jam zemëruar me ndonjë njeri, siç jam zemëruar me dikë i cili gjynahu i tij i dukej më i madh se falja Ime”.

Mos thuaj që Zoti nuk ma fal këtë gjynah, por lute që të ta falë.

Kur Allahu e mallkoi shejtanin dhe e nxorri nga Xheneti, shejtani i kërkoi që ti japë afat deri në Ditën e Kijametit, dhe Zoti ia pranoi këtë. Atëherë shejtani i tha:

“Betohem në madhështinë Tënde që do të vazhdoj ta josh deri sa të kenë shpirtin në trup. Zoti ia ktheu:Betohem në madhështinë Time që do ua fal gjynahet përderisa më kërkojnë falje”.

“Mua më vjen turp nga një njeri i cili i ngre duart duke thënë: O Zot, o Zot, dhe të mos i përgjigjem. Melekët i thonë: O Zot, ai nuk e meriton mëshirën Tënde. Atëherë Unë u them:  Por Unë jam Falës dhe Mëshirues. Jini dëshmitarë o melekët e Mi që e kam falur robin Tim.”

 “O robi im, të nxora në jetë nga asgjëja. Të pajisa më shikim, dëgjim, zemër dhe mendje. O robi im, Unë të mbuloj (gjynahet) kurse ty nuk të vjen turp prej Meje. Robi Im, Unë të kujtoj, kurse ti më ke harruar. Mua më vjen turp prej teje, kurse ty nuk të vjen turp prej Meje. Kush është më bujar se Unë? Kush është ai që ka trokitur në derën Time dhe nuk ia kam hapur? Kush më ka kërkuar dhe nuk i kam dhënë? A koprrac jam Unë që njeriu tregohet koprac ndaj Meje?”

Kjo ishte falja dhe mëshira e Zotit në këtë botë, le të shohim tani faljen e Tij Ditën e Kiametit. Shkoi një beduin tek Profeti a.s dhe e pyeti: O i dërguar i Allahut, kush do u kërkojë llogari njerëzve Ditën e Kiametit? Profeti a.s ia ktheu: Zoti. Vetë Zoti ?– e pyeti përsëri beduini. Vetë Zoti. –iu përgjigj Profeti (a.s).  Beduini buzëqeshi kur e dëgjoi këtë. Profeti a.s e pyeti: Përse buzëqesh o vëlla? Ai ia ktheu: O i dërguar i Allahut, Bujari kur ka në dorë diçka fal, dhe kur kërkon llogari përsëri të fal. Profeti a.s i tha: Ashtu është, nuk ka kush të jetë më bujar se Allahu.   

Nga mëshira e Tij Ditën e Kiametit, është se kur të paraqitesh ti o besimtar para Tij, do të të thotë:

“O robi Im, afrohu më pranë. Do të afrohesh më afër, ku do të të mbulojë drita e Zotit. Më pas do të lëshojë një perde (me qëllim që të mos dëgjojnë të tjerët bisedën mes teje dhe Zotit) dhe do të të thotë: O robi Im, a e mban mend filan gjynah? Po filan gjynah?

Saqë do mendojë njeriu që është i humbur. Por Zoti do i thotë: Unë ti mbulova këto në dynja dhe Unë ti fal ato sot. Shko o robi Im pasi të kam falur dhe jam i kënaqur prej teje. Shko dhe hyr në xhenet”.    

 Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë duke përshkruar gjendjen e njerëzve Ditën e Kiametit:

“Do të vijë një njeri ditën e kiametit duke mbajtur në dorë librin e tij të veprave. Do i thotë Zoti: Lexoje librin tënd! Do fillojë të lexojë në libër dhe sa herë që lexon një të mirë i zbardhet fytyra dhe sa herë që lexon një të keqe i nxihet fytyra. Zoti do i thotë  pasi ti ketë lexuar të gjitha: ‘O robi Im, ti kam falur gjynahet, prandaj lexoje dhe një herë librin. Do të fillojë të lexojë për herë të dytë veprat e tij. Kur lexon një të mirë, i zbardhet fytyra dhe bie në sexhde si falënderim ndaj Zotit. Më pas shikon tek vendi i të keqes është vendosur një e mirë dhe përsëri bie në sexhde dhe do të vazhdojë të bëjë sexhde sa herë që lexon punët e mira. Njerëzit nga jashtë do e shohin nga larg dhe do thonë: Shikojeni atë njeri i cili vazhdon të rrijë në sexhde, ai duhet të jetë nga ata që nuk kanë bërë gjynahe në dynja”.

 Le ta imagjinojmë veten në momentet kur do të takohemi me Zotin Ditën e Kiametit, sipas hadithit ku thotë Profeti a.s:

“Do të thërrasë Zoti i madhëruar banorët e Xhenetit dhe do u thotë: ‘O banorët e xhenetit, a jeni të kënaqur?’ Ata do i përgjigjen: Po si të mos jemi të kënaqur kur Ti na i ke zbardhur fytyrat, na ke shpëtuar nga zjarri dhe na ke futur në Xhenet?! Zoti do u thotë: ‘O banorët e Xhenetit, ka mbetur diçka tjetër. Do e pyesin: Po çfarë është ajo o Zot? Do u thotë: Që të kënaqem ndaj jush dhe të mos zemërohem kurrë pas kësaj. Më pas thërret një zë: O banorët e Xhenetit, Zoti kërkon që ta vizitoni, prandaj bëhuni gati për vizitën e Mëshiruesit. Do u përgatiten mjetet e udhëtimit dhe fillojnë të ngjiten. Më pas do vendoset Kursij dhe rreth tij do vendosen podiume prej drite, podiume floriri dhe të tjerë argjendi. Ata që kanë gradën më të ulët do të ulen sipër podiumeve prej parfumi, por nuk do e ndjejnë që janë ndryshe nga ata që janë ulur në podiume drite. Duke qenë në këtë gjendje do u shfaqet një dritë nga e cila ndriçohet i gjithë Xheneti. Më pas do u shfaqet Zoti dhe do u thotë: O banorët e Xhenetit, paqja qoftë mbi ju (esselamu alejkum). Ata do i përgjigjen: O Zot Ti je paqja prej Teje vjen paqja, i madhëruar je Ti me bujarinë Tënde. Më pas Zoti do i pyesë: ‘O banorët e Xhenetit, ku janë robët e mi të cilët më adhuruan në dynja pa më parë? Sot është dita e shpërblimit, prandaj më kërkoni ç’të doni o banorët e Xhenetit.’ Të gjithë i përgjigjen njëzëri: Duam që të jesh i kënaqur me ne o Zot. Por Ai do u thotë: O banorët e Xhenetit, nëse unë nuk do isha i kënaqur ndaj jush, nuk do ju kisha futur në Xhenet? Prandaj më kërkoni diçka tjetër.’ Atëherë të gjithë bien dakord dhe njëzëri i thonë: Duam të na e tregosh fytyrën Tënde o Zot. Menjëherë u mundësohet të shohin nga fytyra e Zotit  dhe do të shijojnë kënaqësi që nuk i kishin parë më parë saqë do të mahniten dhe do harrojnë se çfarë ka përreth tyre nga të mirat e xhenetit.

Secilit prej tyre do i flasë Zoti direkt dhe gjatë ku do i thotë: ‘O robi Im, Unë jam i kënaqur me ty, po ti a je i kënaqur me Mua?’ Më pas do i thotë: ‘O robi Im: Kërko ç’të duash nga mirësitë e Mia.’ Ai do fillojë ti kërkojë ç’ti vijë në mendje. Zoti do i thotë: O robi Im, a nuk të pëlqen të kesh filan të mirë …. ia kujton gjërat të cilat i harron”.

 Nëse dëshiron faljen e Zotit, duhet të bësh dy gjëra:

1 – Të pendohesh për gjithçka ke bërë, duke plotësuar kushtet e pendimit, të cilat janë: pendimi, braktisja e gjynaheve dhe vendosmëria për të mos e vepruar më atë gjynah.

2 – Fali njerëzit, që të të falë dhe ty Zoti. Thuaj, Ti je dëshmitar o Zot që e kam falur filanin për atë që më ka bërë. Umer bin Hattabi, sa herë që vinte nata e 27 e Ramazanit thoshte: O Zot, të gjithë njerëzve ua kam bërë hallall në këtë natë.

Profeti a.s na këshillon që natën e kadrit të lutemi me këtë lutje:

اللهم إنك عفو تحب العفو فاعف عنا

“O Zot, Ti je falës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve”.

Pra Zoti e do faljen, si koncept. Ai dëshiron të na falë ne dhe do që ne ta falim njëri-tjetrin. Kjo vërehet në hadithin e mëposhtëm.

 Profeti a.s në një hadith thotë:

“Dy njerëz nga umeti im, do të vijnë Ditën e Kiametit dhe do të gjunjëzohen para Arshit. Njëri prej tyre do thotë: ‘O Zot, merrma hakun, nga ky që më ka bërë padrejtësi. Zoti do i thotë tjetrit: Jepja hakun. Por ai do i përgjigjet: O Zot, më janë mbaruar të mirat e mia. Zoti do i thotë të parit: ‘I janë mbaruar të mirat.’ ‘O Zot, – do i thotë i pari- merr nga të këqijat e mia dhe hidhja atij.’ Por Zoti do i thotë: ‘A nuk do të dëshiroje diçka më të mirë?’ Çfarë është ajo o Zot – do pyesë ai? ‘Ngrije kokën dhe shiko’ – do i thotë Zoti. Do e ngrejë kokën dhe do të shohë një pallat prej diamanti dhe floriri, gjë që nuk kish parë të tillë më parë.

I habitur do e pyesë Zotin: ‘I kujt shehid është ky o Zot? Zoti do i përgjigjet: ‘Është i atij që mundet ta paguajë çmimin e tij’. Njeriu do e pyesë: ‘Po kush mundet ta paguajë çmimin e tij o Zot?- Ti  –  do i thotë Zoti.

Po si o Zot ? – do e pyesë njeriu.

Duke e falur vëllain tënd- do i përgjigjet Zoti. -E kam falur o Zot, e kam falur – do të thotë njeriu.

Zoti do i thotë: “Merre vëllain tënd dhe hyni së bashku në Xhenet!” 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit