3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Falja e Bajramit në shesh

Më të lexuarat

Në nenin 10 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet shprehimisht:

“Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.”

Ndërsa në nenin 24 të saj thuhet:

“Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.”

Të dyja këto nene garantojnë me ligj të drejtën e komuniteteve fetare, për të kryer ritet e tyre fetare edhe në hapësirat publike, siç janë sheshet e qyteteve. Xhamia e Namazgjasë është një objekt kulti që zgjidh një pjesë të problemit të faljes së Xhumasë për besimtarët muslimanë në Tiranë, por nuk ka aspak për qëllim të zgjidhë çështjen e faljes së Bajramit, i cili do të vazhdojë të falet në shesh. Dhe kjo, pikërisht për arsye se:

Së pari, në traditën fetare islame riti i faljes së Bajramit kryhet në sheshe dhe hapësira të mëdha publike, për shkak se ajo është pjesë e festës dhe festë komunitare pa shfaqje publike ceremoniale nuk mund të ketë.

Së dyti, në fenë islame riti i faljes, qoftë individual qoftë kolektiv, mund të kryhet në çdo vend dhe hapësirë të pastër fetarisht dhe nuk është aspak i kushtëzuar me xhaminë.

Së treti, nuk ka asnjë xhami në Tiranë që të mbajë brenda njëzet mijë apo tridhjetë mijë njerëz, apo edhe më tepër, për të falur Bajramin, madje edhe sikur të gjithë ata që vijnë të falen vetëm për Bajram, të shpërndaheshin nëpër të gjitha xhamitë e kryeqytetit do të faleshin përjashta, sepse realisht, asnjë xhami ku falet Bajrami edhe sot e kësaj dite, nuk e përballon dot numrin e pjesëmarrësve atë ditë, kështu që sheshi qendror i Tiranës është edhe zgjidhje praktike e domosdoshme në këtë drejtim.

Së katërti, falja e Bajramit në sheshet qendrore të Tiranës është pjesë e traditës sonë fetare shqiptare, e cila u ndërpre vetëm pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe ndalimit të fesë. Ish sheshi i namazgjasë ka qenë pikërisht për këtë qëllim, prandaj edhe është quajtur “namazgja”, pra sheshi ku falet namazi. Kjo traditë u ripërtëri menjëherë pas rënies së komunizmit dhe për disa vjet me radhë muslimanët e kanë falur Bajramin pikërisht në sheshin e namazgjasë, derisa ai nuk i nxinte më, dhe u detyruan të dalin në qendër të qytetit.

Së pesti, sheshet publike janë hapësira të lira publike që i përkasin qytetarëve të këtij vendi, dhe qytetarët e këtij vendi kanë besimet dhe bindjet e tyre fetare, të cilat sipas ligjeve të këtij vendi janë të lirë t’i shprehin publikisht ato, qoftë edhe përmes riteve kolektive në hapësirat publike, ndërkohë shteti duke qenë asnjanës në çështjet e besimit, është garant i kësaj lirie shprehjeje dhe jo pengues i saj.

Së gjashti, sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë dhe deklarimit të lirë fetar në 2011, ku të deklaruarit si muslimanë përbënin minimalisht pak më shumë se gjysma e popullsisë, zërat për ndalimin e tyre nga përdorimi i shesheve publike për të festuar Bajramin, janë zëra që kërkojnë dhunimin e vullnetit të shumicës nga pakica, për rrjedhojë, ato janë një akt anti-demokratik dhe anti-kushtetues.

Së shtati, akoma në Shqipëri një pjesë e elitës politike, kulturore dhe akademike jo vetëm janë laiciste me mendësi të fshehur komuniste, por verbëria që iu shkakton pozita ku ndodhen dhe mendësia e trashëguar, nuk i lejon të shohin realitetin e masave të popullit, të cilin ata nuk e përfaqësojnë realisht në bindjet dhe ndjeshmërinë e tij fetare.

Dhe së fundi, realitetet e fundit globale tregojnë se feja jo vetëm që nuk është zhdukur dhe as nuk mund të zhduket ndonjëherë, por injorimi dhe demonizimi i saj nga elitat laiciste apo ateiste, ka prodhuar vetëm se projekte distopike dhe denatyruese të shoqërisë njerëzore me pasoja shkatërrimtare për të.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit