1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Fajësia dhe falja, dy shtigjet që nuk i kaluam – Agim Baçi

Më të lexuarat

Fajësia dhe falja, dy shtigjet që nuk i kaluam

Agim Baçi

“Vullneti i njeriut nuk shkatërrohet, por zbutet, përkulet dhe merret në dorë për t’u drejtuar; njerëzit nganjëherë detyrohen per të vepruar, por në përgjithësi pushteti e ndrydh veprimtarinë e tyre. Ky pushtet nuk shkatërron, por parandalon; nuk tiranizon, por ushtron presion; ul energjitë dhe dobëson, i zë frymëndhe e dërrmon popullin derisa ai të zbresënë gjendjen e një kopeje kafshësh pune kokulura, bari i të cilave është në duart e qeverisë”.
Alexis de Tocqueville (“Demokracia në Amerikë”)

As nuk u pendua, as nuk hoqi dorë kurrë nga justifikimi i krimeve. Mbrojtësja besnike e ish- diktatorit Enver Hoxha, gruaja e tij, Nexhmije Hoxha, e la këtë botë pa shprehur asnjë pendesë, pak pasi kishte kaluar të 99-at. “Për çfarë duhet të më vijë turp? Pse të kërkoj falje? Nuk pendohem për asgjë dhe nuk ka asgjë për të cilën ndjehem fajtore. Ne vetëm respektuam ligjet në fuqitë asaj kohe” ish shprehur ajo në një intervistë për AFP-në në vitin 2008. Madje, vetëm pak javë përpara se të ndërronte jetë, me botimin e librit të saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike” ajo vijoi të këmbëngulte se me bashkëshortin e saj kishin projektuar “Shqipërinë socialiste” që u shkatërrua nëdhjetorin e vitit 1990, e sidomos me 20 shkurtin 1991.
Qëndrimi i saj në mbrojtje të krimeve tëdiktaturës, të faktuara nëkëto tridhjetë vjet përmes qindra dëshmive të mbledhura dhe dokumenteve të botuara, sidomos nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), është vetëm maja e ajsbergut për të dhe ithtarët e saj. Qindra personazhe të tjera të asaj kohe, të mbetur në politikën aktive apo në institucione shkencore e universitare, vijuan të ishin rojtarë tërreptë të së shkuarës, duke bërë që askush në këto tri dekada të mos arrinte të barazonte, përmes një gjyqi publik, komunizmin me krimin edhe pse regjime të tilla, kudo ku u instaluan, mbollën vetëm dhunë dhe terror.

A ishte e mundur të reagonim në këto 30 vite?
Nëvitin 1992, kur kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori, ftoi deputetët të mbanin një minutë heshtje ndaj krimeve të komunizmit, asnjëri nga deputetët socialistë në sallë nuk u ngrit në këmbë. Ky do të ishte prologu i gjatë i mosnjohjes së atyre krimeve nga drejtuesit kryesorë tëopozitës së asaj kohe, që ishte pjesë e transformimit të PP-së. Përpjekjet e tyre që të identifikoheshin si socialdemokratë perëndimorë ishin thjesht një ëndërr, pasi e shkuara peshonte më shumë në supet e tyre.

Në fakt, për të përkrahur politikat e kujtesës në vendet dhe shoqëritë që dolën nga diktaturat komuniste, Këshilli i Europës, dhe më vonë BE, ndërmorën disa iniciativa dhe rezoluta si në ndihmë të procesit të analizës dhe ndarjes me totalitarizmat komuniste. Këto dokumente janë aprovuar me rezoluta të ndryshme edhe nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. E para ishte rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KE) më 1996 për “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Dhjetë vite më vonë, në Tetor të vitit 2006, Asmableja Parlamentare e KE-së, përmes rezolutës mbi “Domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar te krimeve te regjimeve totalitare komuniste”, do të kërkonte distancimin e qartë nga krimet e regjimeve totalitare komuniste. Dy vite më vonë, më 2008, do vinte Deklarata e Pragës “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizmin”, që përcaktonte angazhimin për të dënuar krimet e komunizmit, sipas praktikës së Gjyqit të Nyrenbergut, si krime kundër njerëzimit. Për të plotësuar këto hapa u kërkuan të aplikoheshin edhe dëgjesa publike për krimet e kryera nga regjimet totalitare.

Duke u thelluar në këtë rëndësi të qartësimit të së shkuarës, më 2 Prill 2009, Parlamenti Europian kërkoi miratimin e një rezolute të re, duke apeluar “Mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin”. Kuvendi i Shqipërisë ndërmori një hap konkret për këtë kërkesë të PE-së, duke miratuar një rezolutë ku kërkoheshin hapa konkrete “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Rezoluta ( e njohur si “Rezoluta Nr.11”) kërkonte të saktësohej se “Rregjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik”.

Sërish në miratimin e këtyre rezolutave, ashtu si në rastin e vitit 1992, deputetët socialistë nuk qëndruan në sallë për votimin e rezolutës…

Pak vite më vonë, kur qeverisja e djathtë kishte miratuar rezolutat e Parlamentit Evropian, por kish bërë shumë pak në terren për të zbardhur të shkuarën e krimeve në totalitarizmin e Hoxhës, kongresisti i njohur shqiptaro-amerikan Xho Dioguardy pati kërkuar që nga Uashingtoni se “qeveria shqiptare, për të sjellë një demokraci të vërtetë në Shqipëri, duhet të gjejë rrugët për t’i kërkuar falje viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre, duke ngritur një komision të së vërtetës dhe të pajtimit, duke hapur arkivat komuniste, në mënyrë që të fillojë një proces i cili do të shërojë plagët dhe do të rivendosë besimin tek qeveria dhe udhëheqësit e saj.” (më 12 qershor 2012). Në mbështetje të kongresistit, zonja Shirley Cloyes Dioguardy, Këshilltare për Çështjet Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, do të deklaronte në mënyrë të hapur se, një nga arsyet pse Shqipëria nuk kishte një shtet të fortë ligjor dhe që drejtësia kish mbetur një institucion i brishtë, ishte edhe për faktin se shoqëria shqiptare nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën.

Por, në fakt, a duhej të përfshihej në gjykimin e së shkuarës vetëm Enver Hoxha, apo e gjithë klika drejtuese e atij sistemi, që mori vendime apo miratoi urdhra çnjerëzorë në dëm të mijëra bashkëqytetarëve? Studiuesit e asaj kohe thonë se, pa një qartësim të gjithë kapilarëve që jepte informacione e merrte vendime çnjerëzore, asnjë gjykim për atë kohë nuk do të ishte i plotë. E megjithatë, edhe pas shumë rezolutash asnjë gjyq publik nuk u bë i mundur që të qartësonte anën kriminale të atij regjimi, edhe pse për një hap të tillë do të mjaftonin ngjarjet e pushkatimit të 26 shkurtit 1951 të 22 intelektualëve, mes tyre edhe zonjës Sabiha Kasimati, shkencëtare që kishte refuzuar punësimin në SHBA për t’i shërbyer atdheut. Një gjyq i tillë, qëpërfshin krime që tejkaloninedhe ligjet kriminale tëkohës do të rrëzonte justifikim banal të shumicës së atyre që nuk pranojnë pendesë, teksa thonëse “ashtu ishte koha!” për çdo mbështetje që i kanë bërë vendimeve kriminale apo për çdo shkelje të drejtash edhe nga ana e tyre.

Jo rastësisht, rezoluta e asaj kohe theksonte se, njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve të përngjashme në të ardhmen. Për më tepër, – sipas asaj rezolute- vlerësimi moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. Dhe për të parë se sa e rëndësishme është kjo kujtesë te të rinjtë, mjafton të shohësh interesin lidhur me “Ditët e kujtesës” që organizon IDMC e drejtuar nga Jonila Godole prej pesë vitesh, ku ka dalë në pah rëndësia e madhe që ka njohja me të shkuarën, si rruga e vetme për të ndërprerë furinë e madhe të nostalgjikëve të cilët në këto vite vetëm kanë glorifikuar të shkuarën përmes rikujtimeve.

Ky glorifikim ka patur aleat edhe shfaqjen pa asnjë analizë paraprake të filmave të kohës së diktaturës në disa prej televizioneve.

Mjaft e rëndësishme në rezolutën e tetorit të vitit 2006, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ishte dënimi që kërkohej për figurën e diktatoritHoxha, duke konsideruar si“ideatori, frymëzuesi, drejtuesi dhe ekzekutuesi i sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore”. Në rezolutë kërkohej heqja e të gjithë titujve dhe dekoratave dhënë atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist. Por Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse i drejtuar deri më 2013 nga demokratët, nuk i hoqi ato tituj, ndërkohë që me ardhjen e PS-së në pushtet është miratuar një ligj sipas të cilit askush nuk ka të drejtë të heqë titujt dhe dekoratat e fituara në të kaluarën. Edhe më pak u bë lidhur me zbatimin e nenit 9 të asaj rezolute, ku nga Kuvendi i Shqipërisë u kërkua rishikimi i datave të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore. Për një vështrim të shkurtër të mosndryshimit edhe pas këtyre rezolutave dënuese, mjafton të shohësh emërtimet e rrugëve apo lagjeve si “11 janari”, “24 maji”, “Komuna e Parisit”, e shumë të tjera si këto. Ndërkohë, në varreat e dëshmorëve vazhdon të qëndrojë ylli i kuq i komunizmit, edhe pse në mënyrë paradoksale aty qëndrojnë edhe idëatorët e masakrave edhe eshtrat e 22 martirëve të së ashtuquajturës “Bombë në Ambasadën Sovjetike” apo të të shpallurve të tjerë dëshmorë, si qëndrestarë për mendimin e lirë.

Por, a ishte e mundur pendesa?

“Më e vështira për t’u mposhtuar është ndjenja e fajësisë”, shprehet nobelisti polak Çesllav Millosh në librin e tij “Mendja e robëruar”, ku ka përshkruar përfshirjen e vetë atij dhe shumë të njohurve të tij në rrugëtimin e një diktature. Millosh, shpjegon se çështja e pranimit apo mospranimit të fajësisëështë vendimtare në mënyrën se si shoqëria do ndërtojë marrëdhënie me të vërtetën. Por, a mund t’i ndihmonte e shkuara ata që morën pjesë në krim apo që aprovuan krimet për bashkëqytetarët e tyre vetëm e vetëm se nuk mendonin si ata, apo se kishin fatin e keq që të ishin pjesë e makinerisë që duhet të prodhonte armikun? Nuk mundet të kemi një përgjigje të lehtë, pasi nëse do të numëronim pengesat, padyshim që një nga më të mëdhatë do të ishte mënyra se si ishin rritur ata që bënin krimet, ku edukimi ishte vetëm ai me një drejtim, atë të “njeriut të ri”, që ishte një njeri që nuk besonte në asgjë të shenjtë, nuk besonte në përcaktimin e së mirës dhe së keqes sipas së shenjtës. Për shumicën prej tyre, të vërtetat dhe gënjeshtrat, të mirën dhe të keqen, nuk e kishe përcaktuar për gati 50 vite askush tjetër veç partisë. Kjo ishte edhe pengesa reale që njerëzit të shkonin drejt pendesës, pasi një akt i tillë kërkonte që të kishe dijeni për Të Shenjtën, nga ku burojnë edhe pjesa më e madhe e kuptimeve dhe qëndrimeve morale. Duke mos patur një lidhje të tillë, aftësia për të shkuar drejt kërkimit të faljes ishte njëëndërr e kotë.

Vende të tjera që kishin përvojën e totalitarizmit dhe krimeve të ngjashme si në Shqipëri patën kurajën morale, por edhe pjekurinë politike, që të gjenin rrugët e publikimit të krimeve dhe ndalimit të glorifikimit të së shkuarës. Në Gjermani, në pjesën lindore, ku komunizmi ra në vitin 1989, ishin priftërinjtë që luajtën një rol kyç në pajtimin e shoqërisë. Edhe në Poloni, marrëdhënia me besimin, që ishte ende e fortë, ishte një nga shtysat e pajtimit, duke kaluar përmes pendesës dhe faljes. Papa Vojtila, një ish prift disident polak që në atë kohë ishte në krye të Vatikanit, kishte qenë një nga frymëzuesit e kësaj beteje, deri në rrëzimin e regjimeve totalitare jo vetëm në vendlindjen e tij por në mbarë Europën. Madje, edhe në Afrikën e Jugut, pas një Aperteidi të tmerrshëm, u ngrit Komisioni i Të Vërtetës dhe Faljes, që bëri të mundur mbledhjen e mijëra rrëfimeve nga fajtorët e vrasjeve, por edhe të kërkimit të faljes ndaj atyre që ishin ndëshkuar me të padrejtë.
Në Shqipëri, rruga e pendimit dhe faljes nuk mundi dot ta gjente udhën. “Njeriu i Ri”, portreti më i madh i denatyrimit që la si trashëgimi ai sistem, që vinte nga një ateizëm i thellë, nuk arriti dot kurrë të shkonte drejt pendesës, sepse për shumicën e tyre, ishte më e fortë bindja se kishin vepruar në të mirë të vendit dhe kishin zbatuar ligjet e kohës. E Mira dhe e Keqja ishte për ta një gjë që diktohej nga sistemi i asaj kohe, e jo nga Krijuesi. Njerëzit që mundën të kërkonin ndjesë ishin me gishtat e dorës dhe nuk u bënë kurrë një shtysë që edhe të tjerë të ndërmerrnin një hap të tillë, duke lënë në fuqi kulturën e mosndëshkueshmërisë dhe pafuqisë për të kërkuar falje.

A e vështirësoi pendesën shndërrimi i PP-së në PS?

Shndërrimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste, duke mbajtur evidencat, historikun e sidomos trashëgiminë ideologjike, bëri që nëShqipëri, e majta dhe e djathta të mos ishte reale. Ata që dikur e shihnin veten jashtë Partisë Komuniste të kohës, por gjithsesi ishin të edukuar me ideologjinë e majtë, nuk e gjetën vendin në vijimin e trashëgimisë së PP-së, por u anëtarësuan me shumicë në partitë e sapolindura, e sidomos tek Partia Demokratike.

Në vitet që vazhduan, PD u ndesh jo pak herë me përplasje të brendshme, që e kishin konfliktin pikërisht në këtë kulturë të trashëguar të shumicës së atyre që e mbështetën në themelim PD-në. Krijimi i partisë “Aleanca Demokratike” ishte ndoshta një nga më tipikët që vinte në dukje këtë lloj kulture, e ku më pas, shumica e themeluesve të asaj lëvizjeje bashkëpunuan paqësisht me Partinë Socialistë pas zgjedhjeve të vitit ‘97, ndërkohë që kjo e fundit i shihte si një sfond fantastik ndaj të së shkuarës së saj.

Kjo pasqyrë politike i dha krahë PS-së që të vijojë të mbajë linjën në praktikë të PP-së, por që të mos prononcohej publikisht në debate përmbajtësore lidhur me rrëgjimin. Ky vijim duket qartë në mungesën e plotë qoftë edhe të një dokumenti të vetëm ku PS të dënonte, s paku formalisht, krimet e kryera gjatë diktaturës. Edhe PD e Berishës, pavarësisht se në atë kohë (1992-1996) nisi gjyqet për Krime Kundër Njerëzimit, dhe dënoi disa ish zyrtarë të rëndësishëm të diktaturës me akuzën “Për krime Kundër Njerëimit”, nuk arriti dot që të niste një proces të pastër dekomunistizimi, sidomos në hartimin e teksteve shkollore të historisë e letërsisë. Po kështu, ish udhëheqësit komunistë nuk u shpronësuan nga titujt heroikë të marra gjatë kohës së diktaturës, ndërkohë që shumicën e kohës së tyre e kishin kaluar duke dënuar në mënyrë çnjerëzore bashkëqytetarët dhe duke e varfëruar këtë vend deri në pikën më të fundit.

Ndërkohë, partitë e dala si një trashëgimi nga Partia e Legalitetit, që pretentonte trashëgiminë e Mbretit Zog, apo Partia e Ballit Kombëtar, me Abaz Ermenjin ende gjallë, u shkërmoqën nga një këmbëngulje e partisë së Beriësh për t’i lënë jashtë debatit real të politikës. Figurat që u përzgjodhën, si Guri Durollari në krye të PLL-së, apo Hysen Selfo në krye të PBK-së, nuk kishin kapacitete për të debatuar publikisht me Berishën, ndërkohë që sulmoheshin me forcë edhe nga socialistët për të shkuarën e tyre, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë mund të bëjmë?
Shkrimtari i famshëm francez AlberKamy, në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel për Letërsinë (1957) thoshte se:”…Padyshim, çdo brez e beson veten të kushtuar për të ribërë botën. Brezi im e di megjithatë që nuk do ta bëjë këtë. Por detyra e tij është ndoshta më e madhe. Kjo detyrë qëndron në të penguarit që bota të mos shpërbëhet. Trashëgimtar i një historie të shprishur ku përzihen revolucionet e dështuara, teknikat e çmendura, zotat e vdekur dhe ideologjitë e mbaruara, ku pushtetet mediokre mund të shkatërrojnë sot gjithçka por nuk dinë më të bindin, ku zgjuarsia është ulur aq poshtë sa të bëhet shërbëtore e urrejtjes dhe shtypjes, ky brez është dashur, në vetvete dhe përreth tij, të rivendosë në vend, duke u nisur nga vetëm kundërshtimet e veta, pak nga ajo çka përbën dinjitetin e të jetuarit dhe të vdekurit…”

Do të mjaftonin vetëm këto fjalë të Kamysë dhe ne të gjithë të nisnim të pyesnim veten, se cila është një nga detyrat më thelbësore të brezit tonë, sidomos lidhur me vështrimin e historisë në komunizëm, ku shumëçka që kishte të bënte me historinë e këtij vendi u ribë sipas një këndvështrimi ideologjik dhe kriminal.

Ne kemi nevojë jo vetëm të dënojmë regjimin, pasi ai fizikisht nuk mund të kthehet më, të paktën jo në atë formë. Por ne kemi nevojë të evidentojmë publikisht ata lakenj që mbajnë gjallë frymën e një ish regjimi të tillë, duke bërë që shoqëria të jetë në kaos gjykimesh lidhur me të shkuarën, duke lënë në fuqi kulturën e vetme që trashëgoi ajo kohë- kulturën e bindjes, kulturën e pafuqisë për të ndëshkuar të keqen.

Asnjëherë nuk është vonë të pranohet e vërteta dhe çdo komb ka nevojë në çdo kohë të gjejë shtegun e pendesës dhe faljes. Përndryshe, do të vijojmë të jetojmë në një hipokrizi që vetëm sa na jep mirazhin e një bashkëjetese, por që nuk do mundet edhe për shumë kohë të jetë e tillë. Vendet ish komuniste, apo vende të tjera që kanë kaluar rregjime vrastare, kanë gjetur fuqinë brenda vetes për të vënë përballë xhelatët dhe viktimat dhe për të nisur një rrugë të re për të ardhmen e tyre. Ky proces, tejet i vështirë, ka qenë i mbështetur pikërisht nga ajo pjesë e shoqërisë që ka trashëgur apo ka gjetur forcën që të gjykojë përmes qëndrimeve morale.

Lakjetë që mbajnë gjallë frymën e së shkuarës kanë tentuar që të na sugjerojnë të mirën e momentit me të dobishmen për vendin, apo që të ngatërrojnë qëllimisht të vërtetën e tyre me të drejtën. Por ne kemi nevojë që e vërteta dhe e drejta të shkojnë bashkë dhe që e mira jonë të jetë edhe e dobishme për ata që dëshirojnë të jetojnë këtu, në këtë vend, me këtë gjuhë dhe pa u turpëruar për atë që nuk bëmë dot. Kjo udhë ka nevojë pikërisht për dëshminë dhe pendesën.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit