1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Evropa dhe Islami: Perspektiva dhe e ardhmja

Më të lexuarat

EVROPA DHE ISLAMI: PERSPEKTIVA DHE E ARDHMJA

nga Dilaver Hussein

Islami nuk është diçka e re për Evropën. Viti 711 cilësohet shpesh si koha kur muslimanët nga Afrika e Veriut hynë në Spanjë; megjithatë pika e
parë zyrtare e kontaktit të Islamit me Evropën ishte kur profeti Muhamed a.s dërgoi apostullin Dilhia ibn Kalifa te perandori bizantin, Herakli në vitin 628. Ndërsa pas vitit 652 Muavija ibn Ebu Sufjani dërgoi trupa në Siçili. Që nga këto kohë muslimanët kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me Evropën, në një formë apo tjetrën. Në fakt do të ishte e drejtë që të thuhet se Islami ka qenë një fenomen evropian, gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij – pasi Islami ka qënë për afro 800 vjet prezent në Spanjën muslimane dhe për më tepër se 250 vite në Siçili. Përveç këtyre kohësh themelimi për komunitetet muslimane në Evropë, ka patur edhe pika të tjera takimi të Islamit me Evropën – siç ka qënë prezenca e shkurtër e muslimanëve në Francën e Jugut, konfliktet në Austri dhe natyrisht kryqëzatat.
Për më tepër në historitë e kohëve të fundit bota ka parë afrimin e Evropës me vendet e tjera të botës gjatë epokës së kolonializmit, dhe më pas ka qënë mbërritja e emigrantëve muslimanë në Evropë në kërkim të punëve dhe një jete më të mirë. Si pasojë Islamit dhe Evropës i duhet të mësohen të pranojnë njëri-tjetrin, dhe për këtë duhen parë anët e përbashkëta të historisë bashkojnë Islamin me Evropën dhe jo vetëm anët e negative dhe të errëta të historisë. Historia e Evropës me Islamin përmban shumë shëmbuj të të mësuarit të ndërsjelltë, zhvillimit të përbashkët dhe patneritetit. Shkollarët evropianë tani jetojnë në një klimë ku ata janë gati të pranojnë influencën e fuqishme të civilizimit islam për të ndërtuar Evropën: kontributi i Ibn Kaldunit në sociologji dhe histori, i Razit dhe Ibn Sinës në mjekësi, i Al-Kuarizmit në matematikë etj.
Përdorimi i përbashkët i fjalëve si alkool, alkimi dhe algjebër, vjen nga arabishtja. Pelegrinazhi i evropianëve në qëndrat e dijes në Kordovëm, Toledo dhe Granada në Spanjën muslimane, janë të gjitha dëshmi të kontributit të muslimanëve në formimin e Evropës. Urtësia e grekëve të lashtë u ruajt dhe pasurua nga arabët, ndërsa shkrime si ato të Aristotelit, Euklidit, Galenit, Arkimedit dhe të tjerëve, që qenë përkthyer në arabisht më parë, do të vinin më vonë edhe në gjuhën latine. Në fakt, arabishtja mund të shikohet si një nga gjuhët klasike të Evropës.
Për këtë arsye Montgomeri Vatt edhe thotë : “Kështu, përmes kontakteve tregtare dhe përmes prezencës politike në Spanjë dhe Siçili, kultura superiore e arabëve gradualisht bëri rrugën e vet për në Evropën Perëndimore. Edhe pse Evropa Perëndimore ishte në kontakte me Perandorinë Bizantine, ajo mori shumë më tepër nga arabët sesa nga bizantinët. Kur ndonjëri bëhet i ndërgjegjshëm për shtrirjen e gjërë të eksperimentimit arab, mendimit arab dhe shkrimit arab, atëherë shikon se pa arabët, shkenca evropiane dhe filozofia nuk do të ishin zhvilluar në këtë mënyrë.”

Evropa sot
Sot, në fillimet e mileniumit të ri, është më e rëndësishme se kurrë për t’i kujtuar vetvetes për partneritetin pozitiv historik të Islamit dhe Evropës. Sot, ne shohim në Evropën perëndimore reth 10 milionë muslimanë. Viti 1990 shënoi një rritje drastike në numrin e muslimanëve që u bënë të “dukshëm” në kontinentin e vjetër. Organizatat muslimane janë duke u shtuar shumë shpejt dhe numri i xhamive ka një rritje të dukshme në Evropë. Është interesante që të vihet re se në Evropë ka gjithashtu një prirje të vazhdueshme të rritjes së numrit të konvertimeve në Islam. Si pasojë e këtij ekspansioni, Islami sot në Evropë është kthyer në një pikë të nxehtë debati; Cila do të jetë e ardhmaja e këtyre muslimanëve në Evropë? A janë ata një kolonë e pestë? A janë ata burim fundametalizmi në një Evropë tolerante? A janë ata një kërcënim që nevojitet të mbahet nën kontroll dhe të asimilohet përpara se të rrezikojnë stabilitetin e Evropës? Për fat të mirë jo të gjitha pjesët e Evropës janë të fiksuara nga pyetje të këtilla.
Megjithatë diçka duhte pranuar, që sot në Evropë ekziston një mosbesueshmëri e madhe ndaj konceptit të tjetrit, që shfaqet në të dy krahët e debatit, si mes disa muslimanësh ashtu edhe nga ana e disa elementëve brënda vetë Evropës. Fransua Leotard, kur ishte ministër i mbrojtjes franceze, edhe ka deklaruar se: “Fundamentalizmi Islamik është i rrezikshëm sot, ashtu siç ishte nazizmi dikur.” Teoritë e Hangtingtonit edhe pse janë refuzuar në masën më të madhe të elitave intelektuale evropjane, vazhdojnë të kenë besuesit e tyre të devotshëm, ndërsa Islamofobia duket se është në rritje në Evropë. Në një nivel më të përgjithshëm, pikëpamjet e ish-kryetarit të Partisë konservatore britanike Lord Tebbit janë të njohura, mbi kriketin, ku ai ka deklaruar se: ” Ju nuk mund të keni një kuadër të fuqishëm të kulturave të ndryshme në një shoqëri, ju duhet të keni një kulturë për një shoqëri. Multikulturalizmi është forcë ndarëse.”
Megjithëse kësi opinionesh nuk mund të mos jenë gjithmonë përfaqësuese të mendimeve kryesore në shoqëri, ato kanë efekte të rëndësishme mbi komunitetet minoritare. Ato mund të krijojnë mes tyre mentalitet e rrethimit dhe zgjojnë kujtime të trashëguara nga koha e kolonializmit. Duke përjashtuar disa vendeve të caktuara, Islami në Evropë vazhdon të mos njihet zyrtarisht. Megjithatë realiteti është se, Islami është i prekshëm në Evropë, por njohja zyrtare e tij ka shumë rëndësi mbi vetë natyrën, ndikimin, formën, fondet dhe statusin e kësaj feje në Evropë. Evropa Perëndimore ka zhvilluar modele të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet e saj me Islamin. Austria, Spanja dhe Belgjika kanë njohur legalisht Islamin. Suedia ka shfaqur dëshirë të financojë disa aktivitete për muslimanët për aq kohë sa ata përfqësohen nga organizata minoritare. Ndërsa në Francë, asnjë komunitet fetar nuk gëzon njohje zyrtare. Vendosja e regjimit të Laicite’-së në 1905-sën, ndalon çdo shfaqje religjioze në jetën publike franceze. Mbi këto baza në Francë lindi edhe incidenti mbi shamitë i paradisa muajve. Megjithëse Franca pretendon të jetë një shtet laik, duhet të theksohet se presidentët francezë tradicionalisht varrosen në Notre Dame dhe jarmulka çifute është e tolerueshme. Në këtë sens duket sikur në Francë ekziston një zbatim informal dhe jofleksibël i ligjit. Ndërsa në anën tjetër, Gjermania vazhdon akoma të refuzojë të pranojë se është një vend emigrantësh; dhe për këtë emigrantët njihen si Gasterbeiter, ose punëtorë miq, edhe pas tre brezash. Ndërsa në Britani edhe pse komunitetin musliman nuk është njohur ende zyrtarisht, muslimanët gjenden më të pranuar dhe akomoduar si pjesë e minoriteteve të vendit.

Imazhet e Islamit
Përgjatë ndërveprimit të gjatë të Evropës me Islamin, janë ndërtuar shumë imazhe negative në lidhje me Islamin. Disa prej tyre kanë qënë të motivuara politikisht ndërsa të tjera në sajë të ndryshueshmërisë fetare. Në kohët e mesjetës, në Evropë mendohej se muslimanët ishin idhujtarë që adhuronin Muhamedin ( paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), ose që vetë Muhamedi ishte një magjistar, ose në raste të tjera mendohej se djalli Mahound ishte vetë antikrishti. Islami portretizohej si një religjion fallsitetesh, si një përdhunim i vetëdijshëm i së vërtetës. Për me tepër Islami njihej si një religjion i dhunës që ishte përhapur me anë të shpatës. Muslimanët përshkruheshin si njerëz të pushtuar nga epshet trupore dhe vetë-indulgjenca, ndërsa kurvërimi dhe homoseksualiteti mendohej se justifikuara me fe. Shumë nga këto ide janë fabrikuar në Evropë në kohën e kryqëzatave dhe hedhur në qarkullim për të krijuar një aleancë brenda vetë Kristendomit, dhe për të treguar që të Tjerët jetonin në errësirë, dhe në këtë mënyrë të justifikohej nevoja për të konvertuar dhe luftuar muslimanët. Disa nga këto shpifje dhe stereotipe së bashku me të tjera, faktkeqësisht ekzistojnë edhe sot e kësaj ditë në disa mendje evropjane.

A përbën Islami kërcënim për perëndimin?
Le të konsiderojmë për një moment gjëndjen e Islamit në botën moderne. Muslimanët sot mund të shihen se jetojnë në dy situata të përgjithshme: së pari si minoritete në Perëndim, në Kinë dhe kështu me rradhë, dhe së dyti në kushtet ku maxhoranca është muslimane. Për të marrë në konsideratë situatën e parë, do të duhej një sforcim shumë i madh imagjinar për t’i përshkruar këto minoritete si përbërës kërcues të Evropës apo Perëndimit. Këto komunitete janë vetë të frikësuara nga ambjenti ku jetojnë. Ata jetojnë në një gjendje ku vlerat e tyre kulturore, fetare dhe normat etike rrezikojnë të zhduken në brezin e tyre të dytë apo të tretë. Këto komunitete janë më tepër të zëna në mbrotjen e vetvetes sesa të përbëjnë kërcënim për rendin e paracaktuar në të cilin ata jetojnë.
Ndërsa duke parë botën muslimane sot, forca e politikave nuk është edhe aq e ndryshme. Sot në botë ka rreth 56 shtete muslimane, ku pjesa më e madhe e muslimanëve do të kishin rezerva përsa i përket “islamizmit” të vendeve të tyre. Pjesa më e madhe e vendeve muslimane bien në kategorinë e vendeve në zhvillim, ose deri në kohët e vona si Bota e Tretë. Ata vazhdojnë të zhyten në borxhe ndaj FMN-së, Bankës Botërore dhe ndaj botës së zhvilluar. Në termat teknologjikë, ata janë gjithmonë në përpjekje që të arrijnë Botën Perëndimore. Influenca e mediave perëndimore dhe proçesi i globalizimit është tepër dominues mbi ‘ta. Edhe pse shumë vende muslimane posedojnë minerale ose lëndë të para bërthamore apo burime nafte, lidhjet e tyre dominante politike i bëjnë përpjekjet e vendene muslimane që t’i përdorin rezervat e tyre në kundërshtim me interesat perëndimore të pamundshme. Lufta e Gjirit ishte një dëshmi për këtë. Secili mund të shoh sot situatën e përgjithshme nga perspektiva të ndryshme dhe të shikojë sesi shtetit i Izraelit ekziston në mes të një oqeani shtetesh muslimane, ku asnjëri prej tyre nuk e dëshiron prezencën e tij, por asnjëri prej tyre nuk është i fuqishëm ose mjaftueshmërisht i pavarur për ta ndryshuar këtë gjendje. Edhe pse ngjarjet në Bosnjë patën një ndikim të thellë emocional mbi muslimanët kudo në botë, komuniteti ndërkombëtar musliman u tregua i paaftë për të pasur ndonjë efekt politik serioz mbi rrjedhojat dhe masakrat mbi muslimanët boshnjakë. Në fakt e vetmja ndihmë që muslimanëve të Bosnjes do t’i vinte nga bota islame do të ishte mbledhja e parave për organizatat bamirëse. Duke parë dobësinë e përgjithshme të botës islame, dikush mund të pyesi sesi atëherë mundet që një komunitet i tillë të përbëjë një kërcënim ndaj forcës së themeluar të Perëndimit?

Muslimanët në Evropën e sotme
Sipas fakteve të mirënjohura komuniteti musliman në Evropë përbën komunitetin me moshën më të re në kontinent. Megjithatë ky komunitet ka problemet e veta. Një numër i madh i të rinjve muslimanë përballen me kriza identiteti, i cili endet ndërmjet kulturës së prindërve të tyre dhe të ambientit ku ata rriten. Si pasojë ringjallja e islamit në Evropë duhet të ngrihet mbi këtë kontekst. Muslimanët në Evropë kanë qenë subjekte i të pakëtn tre përshkallëzimeve të mëdha të vetëndërgjegjësimit të tyre.
Së pari në fund të viteve ’70, Revolucioni Iranian pati një ndikim shumë të madh në botën muslimane, edhe në muslimanët që jetonin në Evropë, pavarësisht qëndrimit të tyre ndaj Revolucionit Iranian, dhe kjo ishte një shenjë që tregonte se popullariteti i Islamit kishte parë rritje.
Së dyti, “Vargjet Satanike” të Selman Ruzhdies më 1989, bënë që shumë muslimanë në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht të rinjtë, të kërkonin thellë brënda vetes se tyre dhe të pyesin për rolin e tyre në një shoqëri e cila dukej se nuk respektonte fenë dhe të drejtat e tyre. Çështja e hixhabit pati efekte të ngjashëm në vendet evropiane.
Së treti Lufta e Gjirit, Bosnja dhe ngjarjet e tjera të fundit politike kanë shkaktuar një tension të tmerrshëm brenda komunitetit musliman. Këto luftëra duket se kanë krijuar shmangie të thella në mendimet e tyre. Kur Iraku hyri në luftë kundër Iranit, armatosja e Sadam Huseinit u pa si diçka normale në perëndim, por kur ai pushtoi Kuvajtin atij i’u kërkua të ndalojë luftën. Në anën tjetër serbët u lejuan që në sy të Evropës të vrasin disa qindramijë boshnjakë. Po ashtu zgjedhjet legjitime në Algjeri janë parë të anulohen në emër të mbrojtjes së demokracisë, ndërsa në Turqi, ushtria në mënyrë arrogante ndërhyn në proçeset demokratike të vendit dhe lejohet të mbaj peng politikën kombëtare. Kur Shtete e Bashkuara mbështetën Afganistanin kundër Rusisë, afganët portretizoheshin si luftëtarë lirie; ndërsa kur palestinezët luftojnë për pamvarësi, ata quhen terroristë. Imazhi predominant i Islamit që shitet sot në Evropë është akoma ai i dhunës dhe i terrorit i cili buron nga xhihadi, edhe pse, të gjitha veprimet e xhihadit në 100 vitet e fundit kanë qenë pjesë e luftës vetëmbrojtëse dhe çlirimtare të popujve muslimanë. Ndërsa kur ndonjë bombë shpërthen në Kajro, për një gazetar nga Bredfordi duket tepër normale të ndalojë një musliman në rrugët e Britanisë dhe kërkuar atij apo asaj opinionin për këtë çështje, ndërsa, kur lufta shpërthen në Irlandën e Veriut askush nuk mendon për t’i kërkuar një kopti egjiptian mendime se përse të krishterët janë duke luftuar në Irlandë. Si normë kjo ka krijuar kundërshti dhe ka kontribuar në sensin e një rigjykimi dhe mohimi. Disa elementë të ringjalljes islame kanë rënë pre e këtyre tendencave të zemërimit dhe refuzimit, që denoncojnë fuqishëm Perëndimin dhe çdo gjë perëndimore. Megjithatë, ringjallja islame nuk mund të shihet e gjitha si një reaksion negativ. Pasi ajo është gjërësisht një udhëtim pozitiv drejt vetëzbulimit dhe në fakt për një numër të rinjsh, ajo aftëson ata të zbulojnë një alternativë në kulturën e prindërve të tyre – duke krijuar kështu një kulturë islamike evropiane. Kjo ka ardhur si rezultat i një proçesi ndërthurjeje kulturore të Islamit aziatik apo arab, i cili kërkon që t’i kthehet burimeve të tij për t’u përshtatur më pas në kontekstin evropian. Dhe ky proçes mundet të jetë vetëm se i shëndetshëm për Evropën, sepse ai krijon njerëz që janë të bindur në identitetin e tyre: Ata janë muslimanë evropjanë. Ata duan të kontribuojnë për të ardhmen e saj për të ndërtuar një Evropë më të mirë për vetveten dhe për fëmijët e tyre. Ashtu siç Kurshid Ahmed thotë:” Do të ishte tragjedi nëse ne do të bëheshim robër të së shkuarës”. Në të njëjtën mënyrë siç muslimanët mendojnë se Islami nuk është monolitik, në të njëjtën mënyrë edhe Evropa nuk është një kontinent monolitik. Në Evropë ka shumë njerëz që janë të gatshëm për të parë me objektivitet, nëse jo me simpati, problemet me të cilën përballen muslimanët. Për më tepër është e rëndësishme të theksojmë se lëvizjet reformatore të muslimanëve nuk janë luftë kundër Perëndimit apo Evropës; por ato janë një proçes komunitar dhe vetëzhvillimi, apo siç Hasan Turabi thotë “Perëndimi nuk është preokupimi ynë. Ne jemi të zënë me rigjallërimin konstruktiv të shoqërive tona duke mobilizuar shpirtërat dhe mendjet tona, për të mos luftuar “shejtanët e mëdhenj.” Duke përjashtuar rastet kur ndonjë politikë është e drejtuar kundër Islamit, Perëndimi nuk është armiku ynë.”
Kontaktet me Evropën i kanë aftësuar muslimanët të mësojnë shumë; në të njëjtën kohë që ekziston një krenari mes muslimanëvë që evropianët mësuan nga arritjet e Andaluzisë, edhe mes vetë muslimanëve ekziston mirënjohës sot që ata studiojnë në Oxford, Kambrixh dhe universitetet e Londrës. Shumë lëvizje reformatore të botës islame kanë përftuar ide, metoda dhe struktura nga modelet evropiane. Takimi me Evropën moderne ka nxitur muslimanët që të angazhohen në debate të brëndshme për një seri çështjesh, siç janë demokracia, pluralizmi, roli i gruas, koncepti i dar al-harb-it dhe kështu me rradhë. Si rrjedhojë, sot mënyra sesi muslimanët e shohin botën ka nisur të ndryshojë. Në 1992-shin në një seminar Fikhu në Francë me temën muslimanët në Perëndimi, një grup udhëheqësish muslimanë diskutuan disa nga këto ide. Dhe një nga kundërshtitë që ata ngritën ndaj konceptit të dal al-harb-it dhe dal al-Islam-it, qe koncepti themelor karakteristik për dar al-Islam-in që është siguria. Megjithatë në ditët tona si mundemi ne të quajmë botën muslimane dar al-Islam, kur në të ka aq shumë diktatura dhe persekutime, qoftë edhe mbi vetë dijetarët muslimanë dhe aktivistët? Dhe në të njëjtën mënyrë, si mundemi ne sot që ta quajmë Perëndimin dar al harb, kur muslimanët shpesh lënë vendet e tyre për të gjetur mbrojtje politike në Perëndim ?

E Ardhmja
Rruga drejt të mësuarit për ta pranuar njëri-tjetrin dhe që të jemi në gjëndje për të jetuar me gjithësecilin, mundet të mos jetë e lehtë. Ajo është një proçes delikat por pa të njerëzimi nuk ka alternativë tjetër. Do të kërkojë kohë që imazhet negative janë që ndërtuar përgjatë shekujve në Evropë mbi Islamin të ndryshohen. Dhe padyshim që këto nuk mundet të zëvendësohen brënda natës. Por fakti është se të dyja si Evropa ashtu edhe Islami, kanë nevojë të kuptojnë njëri-tjetrin dhe në të mirë të njëri tjetrit.
Sipas opinionit tim, përgjegjësia me e madhe në rastin e marrëdhënieve ndërmjet Islamit dhe Evropës sot qëndron në duart e maxhorancës, komunitet pritës, Evropës. Si rrjedhojë Evropa, minoritetet e saj mund t’i trajtojë në dy mënyra : 1 – Ndryshueshmëria kulturore mund të pranohet, biles të shihet si avantazh, gjë që mund ta bëj minoritetin të ndihet i mirëpritur dhe i gatshëm për t’u angazhuar në shoqëri. 2 – Ndryshueshmëria mund të shihet me frikë dhe eleminohet me anë të dëbimeve, shtypjes dhe asimilimit të sforcuar. E para është rruga e pluralizmit dhe duket se është qasja më e pranueshme. Çdo tentativë për të eliminuar identitetin e muslimanëve, vetëm se do të shkaktojë shumë probleme aftagjata për Evropën. Në debatin tonë të dyja palët kanë nevojë të vështrojë ndryshimin në mes muslimanëve në Francë dhe atyre në Mbretërinë e Bashkuar, për të parë efektin e modeleve të ndryshme të praktikuara. Historia Franko-Algjeriane, vazhdon të jetë pengesë domethënëse, por laiciteti i Francës dhe nocioni i unitetit kulturor, janë një barrë edhe më e madhe që rëndon shumë mbi komunitetin musliman francez. Ideja këtu është që në Evropën e sotme duhet të shmangen getot dhe zonat e përjashtimit; megjithëse në rastin francez ne gjejmë një komunitet që ndjehet vazhdimisht i kërcënuar dhe është aq në periferi sa që është i paaftë biles edhe të mendojë dhe ta konsiderojë vetveten si francez.
Muslimanët e ditëve tona mund të përfaqësojnë një kulturë të ndryshme, por ne kemi nevojë të kujtojmë që kulturat janë rezultat i proçeseve që janë jashtë kontrollit tonë; dhe për më tepër ato nuk janë kurrë statike. A nuk ishte Kristianizmi një fenomen lindor? Por me kohë ai arriti të zëj rrënjë në shoqërinë perëndimore. Kerry, qebabët, picat dhe burgersat tanimë janë elementë të vendosurë në kulturën britanike, megjithëse në origjinë nuk ishin të tillë.
Shoqëritë muslimane tradicionalisht kanë qenë pluraliste. Teologjia muslimane i kujton qënies njerëzore që ndryshueshmëria është një faktor i natyrshëm dhe pozitiv në jetë, në të cilin njerëzit duhet të bashkohen për të njohur njëri-tjetrin.
” O njerëz, Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë në popuj e fise në mënyrë që ta njihni njëri-tjetrin. Me të vërtetë, më fisnikun ndër ju tek Allahu , është ai më i devotshmi.” (El -huxhurat 49:13)
“Nëse Allahu do të dëshionte do t’ju kishte bërë juve të gjithë një popull.” (El -Maide 5:48)
Në këtë mënyrë, pluralizmi, i hap rrugë të ardhmes së Evropës për të qënë më e fortë, e qëndrueshme dhe paqësore. Muslimanët sot kanë nevojë që të bashkohen me njerëz të tjerë, pamvarësisht besimit, për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët, ashtu siç Muhamedi (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) hyri në hilf al-fidul (paktin e paqes). Alternativa drejt pluralizmit duhet të paraprihet dhe parapërgatitet, në kundërshtim me idetë e përplasjes së civilizimeve apo eliminimin e njëri-tjetrit, që do çonin në një konflikt të tmerrshëm mes Evropës dhe Islamit. Humbja e pluralizmit në Evropë do të ishte një humbje për të dy lojtarët e mëdhenjë të qytetërimit perëndimor: Islamit dhe Evropës.
——————————————————————————–

Dilaver Hussein
kërkues pranë
Fondacionit Islamik në Londër

http://www.jehonacenter.org/impakt/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit