6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Euro bie sërish, është pranë niveleve më të ulëta të 14 viteve të fundit

Më të lexuarat

Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun thellohet më shumë këtë javë dhe monedha europiane po i afrohet niveleve të fundit të vitit 2007.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën euro u këmbye me 120.78 lekë. Ky nivel është shumë afër vlerës rekord të 14 viteve të fundit (120.75 lekë, që u shënua në gusht 2019).

Niveli më i ulët i euro i regjistruar ndonjëherë në vend që kur ajo ka dalë si monedhë fizike është shënuar në dhjetor 2007, kur monedha e përbashkët zbriti për një ditë në nivelin e 120.18 lekëve (shiko grafikun).

Agjentët e këmbimit valutor shprehen për Monitor se në treg ka ofertë të lartë të euros dhe klientët e rëndësishëm të sektorit bankar, kryesisht në sektorin biznes, në javët e fundit kanë rritur këmbimet e euros.

Një faktor tjetër me shumë rëndësi në ecurinë e kursit të këmbimit gjatë nëntorit dhe dhjetorit mund të ketë qenë mosblerja e mëtejshme e euros nga kompanitë e sektorit të energjisë elektrike. Në vend të blerjes së euros në tregun valutor, ato i kanë siguruar fondet e nevojshme për blerjen e energjisë nëpërmjet kredive të disbursuara direkt në euro nga sektori bankar. Në muajin nëntor, qeveria shqiptare garantoi dy kredi me vlerë totale prej 30 milionë eurosh të marra nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nga dy banka tregtare në vend. Por, sipas burimeve nga tregu, vlera totale e huave të marra në dy muajt e fundit nga kompanitë e sektorit energjetik në sektorin bankar mund të ketë qenë deri në tre herë më e lartë.

Në këtë rast, kompanitë e sektorit energjetik dhe qeveria shqiptare kanë shfrytëzuar rezervat e bollshme në valutë të sektorit bankar, duke shmangur blerjen e euros në tregun valutor. Mosrritja e kërkesës valutore për blerje energjie rrjedhimisht ka neutralizuar një nga faktorët që mund të ushtronin presione nënçmuese për kursin e këmbimit të lekut, duke i hapur rrugë forcimit të mëtejshëm të monedhës kombëtare ndaj euros.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar kursin në këtë periudhë është edhe emetimi i Eurobondit, muajin e kaluar. Huaja e siguruar përmes këtyre instrumenteve ka kaluar në llogaritë e qeverisë pranë Bankës së Shqipërisë që në muajin nëntor. Edhe për shkak të tendencës sezonale të rritjes së shpenzimeve publike në këtë periudhë, shpenzimi i parave të Eurobondit është një faktor potencialisht me ndikim në kursin e këmbimit valutor.  Ekspertët e këmbimit valutor vërejnë se sidomos pas sigurimit të Eurobondit rënia e kursit të këmbimit të euros ka shënuar një lloj përshpejtimi.

Deri në fund të tremujorit të tretë, të dhënat e Bilancit të Pagesave, në fakt, duket se e mbështesin një tendencë drejt mbiçmimit të lekut ndaj euros. Deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e tretë pësoi rënie me 52% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti dhe me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo u ndikua kryesisht nga rritja e turizmit, remitancave dhe e sektorit të fasonerisë. Megjithatë, gjatë tremujorit të katërt është vërejtur një rritje e presioneve mbi deficitin tregtar nga shtrenjtimi i mallrave të importit, faktor që mund ta ndikojë ndjeshëm bilancin e pagesave për këtë tremujor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit