1.7 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

EULEX-i: Ne i kemi bërë përgjimet

Më të lexuarat

Qeveria i ka konsideruar incizimet e lidershipit të PDK-së të fabrikuara, por “Gazeta Jeta në Kosovë” ka verifikuar se disa nga ngjarjet kishin ndodhur ashtu siç organizoheshin në hije, në këto biseda telefonike, që përfshijnë Kryeministrin e vendit.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i tha gazetës se ai nuk befasohet nga këto qëndrime dhe i bëri thirrje PDK-së t’i mbledhë 80 vota për ta shkarkuar, nëse mundet.
Një rrjedhje e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, në “Youtube”, përshkruan se si Kryeministri Hashim Thaçi kishte drojën të shkojë në degën e PDK-së në Malishevë, që vlerësohet si bastion i nënkryetarit të partisë Fatmir Limaj.

Limaj së bashku me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi ka qenë në konflikt të hapur publik me drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të dy kanë bojkotuar procesin e saj të brendshëm zgjedhor që po vazhdon të zhvillohet.

Sipas përgjimeve, Thaçi udhëzon Adem Grabovcin që të shkojë bashkë me anëtarin tjetër të partisë Idriz Vehapin.

Grabovcit i thotë që të mbajë një fjalim të shkurtër edhe përkundër se shefi i grupit parlamentar të PDK-së preferon që në vend të tij të shkojë zv/kryeministri Hajredi Kuçi.

“Jo, Hajra nuk vjen. Shko mbaje një fjalim të shkurtër se ata zagarët e tij kanë problem me mua e jo me ty. Nuk po du me ma xhigav dikush kur të mbaj fjalim”, thotë Thaçi, në bisedën telefonike me Grabovcin.

Thaçi nuk kishte shkuar në shënimin e 12 vjetorit të degës së PDK-së në Malishevë. Këtë e ka konfirmuar për “Gazetën Jeta në Kosovë” kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, i cili njëherësh është kryetar dege i partisë.

“Në ceremoni kanë marrë pjesë Grabovci, Idriz Vehapi dhe Ramë Buja. Thaçi nuk ka qenë”, tha Kilaj.

Kreu i Malishevës shtoi se Thaçi mund të mos ketë ardhur për shkak të agjendës së tij ose për ndonjë arsye tjetër objektive.

“Nuk ka arsye të frikësohet nga simpatizantët e Limajt. Shikoni votat dhe del se Thaçi ka më shumë vota në Malishevë se sa Limaj”, tha Kilaj.

Në bisedat telefonike Thaçi-Grabovci, ku i raportohet Kryeministrit për rrjedhat në kuvend, ai përmend edhe një favor tjetër që i kërkohet shefit të grupit parlamentar të PDK-së.

Kreu i ekzekutivit kërkonte që në kuvend të diskutohej për buxhetin para datës 20 nëntor.

Kështu edhe kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

“Isha në kryesi dhe vendosëm që seanca të mbahet më 7 dhe 8 nëntor”, kallëzon Grabovci. Thaçi e pyet nëse do të diskutohej për buxhet në këtë seancë. Grabovci i thotë se nuk është paraparë një gjë e tillë. “Kur duash ti”, përgjigjet Grabovci kur shefi i partisë e pyet kur do të diskutohej për buxhetin e vitit 2013.

Thaçi vendos që të diskutohet para datës 20 nëntor.

Kuvendi i Kosovës diskutoi për buxhetin shtetëror pesë ditë më herët, saktësisht më 15 nëntor.

Kur Thaçi e thërret Grabovcin për ta dërguar në Malishevë, deputeti i PDK-së i kallëzon se është duke shkuar për të pirë kafe me kryetarin e Skenderajt.

“Oh nanën atij. Çka ish ka ban ai”, thotë Thaçi. Grabovci i thotë Thaçit se po e merr Lushtakun për tu ngjitur deri lartë.

“Hajde pak naltë çelmi sytë”, thotë Thaçi që ka zyrën në katin e tretë të ndërtesës së vjetër të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë në bisedën tjetër telefonike teksa Grabovci raportonte për rrjedhat politike, Thaçi e pyet nëse ka diçka të re nga “banditat tanë” (v.j. nuk e specifikon) dhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi të cilit i referohet si “Jakupovski”.

Kryeministri po ashtu e pyet kryedeputetin e partisë se si po shkon situata politike dhe grupi parlamentar i partisë dhe se a është gjithçka nën kontroll.

Grabovci i thotë se grupi është stabil. Por, i rikujton kryeministrit se nuk i ka kryer disa obligime pasi e ka lënë anash një dajë të tij. Kryeministri thotë se nuk i ka thënë më herët për këtë punë.

Ndërkaq i kontaktuar nga gazeta Grabovci i ka vlerësuar si spekulime publikimin e përgjimeve telefonike.

“Unë nuk merrem me atë punë se kush incizon. Ajo për mua është absurde. Ato janë spekulime siç po bëhen spekulime të shumta. Prandaj unë nuk kam asnjë koment”, ka deklaruar Grabovci.

Nga të përfshirët në përgjime telefonike Kadri Veseli nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës, ndërsa ministrja e integrimeve Vlora Çitaku ka thënë se nuk dëshiron të komentojë rreth këtij rasti.

Ndërkohë, kryetari i Skenderajt ka pohuar se dëgjohet shpesh në telefon me Grabovcin, por ka thënë se asnjëherë nuk e kanë komentuar çështjen e Jakup Krasniqit.

“Unë kur flas për Jakup Krasniqin apo dikë tjetër, flas hapur”, ka deklaruar Sami Lushtaku.

Në një prej audio incizimeve Kadri Veseli e thërret Adem Grabovcin. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së i rrëfen ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës për vizitën që ka pasur në Bruksel.

“Isha në Bruksel. Pata takim me krejt këta bosat”, thotë Grabovci që përmend Ulrike Lunacek raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe Eduard Kukan shef i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore.

Grabvoci thotë se në takim i ka përshëndetur të pranishmit në emër të delegacionit siç e quan ai “më domethënës të përbërë me shk… e ashkali që është mesazhi më i mirë se në çfarë gjendje është Kosova”.

“Hallall të koftë”, i thotë Veseli duke qeshur.

Ndërkohë në një audio incizim tjetër, Grabovci i kërkon një favor Vlora Çitakut. Ai kërkon që një bashkëvendës të angazhohet si praktikant në Ministrinë e Integrimeve.

“Po more qysh jo”, merr pohimin e ministres së integrimeve. Ata flasin edhe për punën e Kuvendit dhe të partisë.

“Në kontroll e kemi situatën, por po na rrëshqet nganjëherë”, thotë Grabovci.

Çitaku drejton gishtin kah kryekuvendari.

“Pa e hjek Jakupin s’ka sen. Po të sabotojn”, thotë Çitaku.

Të dytë e lënë të bisedojnë më gjerësisht kur të takohen ndërmjet vete.

Në një tjetër incizim, Grabovci flet me kryetarin e Skënderajt Sami Lushtakun. Të dytë shahen ndërmjet vete. “Keni lyp kaherë kajt nanën. Lypni në kontinuitet ju”, i drejtohet Grabovci kreut të Skënderajt. Lushtaku përveç në shqip e shan edhe në serbisht kreun e Skënderajt.

“Nanën dojën me jav q…. opozita po çfarë lesh deputeti je ti që po të mujnë, tanë po t’mujnë”.

Grabovci nuk pajtohet me konstatimin e Lushtakut. “Unë jam i q… nane që e silli e pshtilli edhe në fund i mujë tanë”.

“Po vallahi në emër të demokracisë tan kush po qohet po ta q…. po le allahile se inati më erdh sot e dje e paqavër jeni ba”, thotë Lushtaku.

Më pas, ata flasin për kreun e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqin.

“O ja q…. nanen e nanës, po qeni që po bahet, po pse s’po ja q…. nanen me rrzue a s’po muni a çka u ba”, pyet Lushtaku.

“Jo valla veç mos me u ba skandal se edhe është ka e lyp edhe hiq larg se ka”, thotë Grabovci.

“Pa ia kallëzu vendin nuk e kisha lanë edhe me pas kanë i biri i Adem Jasharit”, ia kthen Lushtaku.

Jakup Krasniqi ka thënë për “Gazetën Jeta në Kosovë” se nuk është i befasuar nga ky veprim i bashkëpartiakëve të tij.

“Pyeteni ata. E kanë obligim që të dalin para opinonit dhe të sqarojnë a janë të vërteta a jo ato biseda. Për mua nuk paraqesin befasi sepse janë të dukshme qëndrimet kundër”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, sipas tij, idetë për largimin e tij duhet të deklarohen nëpër organe zyrtare e jo nëpër biseda private.

Ndërkohë Krasniqit i kujtohet që shkarkimi i është përmendur edhe publikisht në një seancë parlamentare në tetor të këtij viti.

Grabovci i kishte thënë se partia mund ta shkarkojë nga posti i kryekuvendarit.

Krasniqi e kishte sugjeruar që ti mblidhte 80 vota në parlament dhe ta kërkonin shkarkimin e tij.

“Nëse donë le të nisin procedurën dhe le të më shkarkojnë”, ka deklaruar Krasniqi për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Publikimi i këtyre bisedave telefonike të përgjuara është dënuar të enjten nga Qeveria e Kosovës.

Përveç që i quan të falsifikuara dhe “biseda që gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucionalë“, ekzekutivi i vendit thotë se publikimi i tyre është joligjor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon me urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor”, thuhet në këtë komunikatë.

Aty thuhet se publikimi i përgjimeve të tilla të fabrikuara me qëllim të shantazhimit të personaliteteve institucionale dhe jetës së tyre private, është vepër e kundër- ligjshme dhe e dënueshme.

“Për më tepër, veprimet e kësaj natyre janë përpjekje e drejtpërdrejtë e mekanizmave të caktuar vendor dhe disa ndërkombëtarëve për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institucional dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore“, thuhet në komunikatë, pa përmendur se kush janë këta mekanizma vendorë e ndërkombëtar.

Ndërkohë, lidhur me publikimin e këtyre përgjimeve nga bisedat telefonike ndërmjet zyrtarëve të lartë të vendit, ka reaguar edhe Policia e Kosovës.

Këto përgjime ata i quajnë joligjore dhe të njëjtat nuk janë realizuar nga Policia e Kosovës.

“Përkundrazi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe në konsultim me prokurorin përkatës ka iniciuar hetimet nga njësitet e specializuara policore që merren me hetimin e rasteve të kësaj natyre”, thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovës.

Policia sqaron se bazuar në ligjet e Kosovës, autoriteti i vetëm për dhënien e urdhrit për përgjime është gjyqtari i procedurës paraprake dhe të gjitha përgjimet e tjera joligjore dhe të falsifikuara konsiderohen veprime të kundërligjshme.

“Për këtë PK-ja, do të ndërmerr veprime policore ndaj kryerësve të veprave të tilla penale”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Vlora Çitaku, në rrjetin social Facebook ka bërë këtë postim: “As nuk e kam ndermend ta komentoj vertetesine e ” telefonatave te pergjuara” . Kete do ta thote gjyqi. Po ideja qe beteja politke mund te shkoje aq larg sa te inskenohen situata te tilla me qellime puro politike eshte e papranueshme. Ky eshte shantazhim. E shantazhet nuk I pranoj. Pushka top ju befte. Po e di qe dike kam me e dergu ne gjyq, po ende spo di ke. Me vije keq vetem per familjen dhe miqet e mije, qe shkaku I pozites sime, kane pasur shume kokeqarje sot”! (sic.)

Emri i kanalit që i ka postuar videot në rrjetin Youtube është “informatorikosova”. Në emailin që dje u është dërguar mediave, nga adresa [email protected], thuhet: “Këto i kemi marrë nga serverët dhe databazat në EULEX”.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) konfirmoi se përgjimet telefonike të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtareve tjerë të lartë të PDK-së, nuk janë të montuara. Misioni i EULEX-it tha për “Gazetën Jeta në Kosovë” se këto biseda telefonike të publikuara në internet, kanë të bëjnë me një proces gjyqësor që ende është duke vazhduar.

Por Zyra për Media e EULEX-it në përgjigjen zyrtare për “Gazetën Jeta në Kosovë” nuk tregon se kush është personi, personat apo çështja në të cilën prokuroria e këtij misioni është duke hetuar.

“Rrjedhja e materialit konfidencial është një çështje serioze dhe një shkelje serioze e besimit që lidhet me procedurat e një rasti gjyqësor që është në vazhdim”, tha EULEX-i.

Pas dhjetë orësh, të enjten ata mundën të japin përgjigje në lidhje me këto përgjime të publikuara në internet.

“Siç kërkohet proceduralisht, materiali në lidhje me këto procedime ishte dorëzuar nga Prokuroria e EULEX-it tek ekipi mbrojtjes dhe në gjykatë”.

Në këtë mënyrë, EULEX-i konfirmon se këto përgjime nuk janë të montuara, por ato janë bërë nga ana e prokurorisë së tyre.

Zyra për media e EULEX-it tha se “materiali pastaj është shfaqur në sferën publike”.

“Nga ana e saj, Prokuroria e EULEX-it ka vepruar në mënyrë legale dhe korrekte, si dhe në bazë të ligjit”.

EULEX-i tha se “është për të ardhur keq që disa palë e kanë lëshuar në mënyrë të paligjshme këtë material për t’u parë nga publiku”.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit