1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Etyd i vogël mbi Oligarkinë

Më të lexuarat

Nga Dritan Shano 

Greqërit e kanë përkufizuar oligarkinë si sundimin e pak njerëzve. Sot diskutimi se kush janë këta pak njerëz është ideologjik, dhe sipas meje tenton të maskojë mekanizmin sesi krijohen këta pak njerëz dhe sesi ruajnë pozitën e tyre sunduese. Thuhet edhe se ka nje ligj të hekurt të oligarkisë. Sipas të cilit, çdo organizatë apo shoqëri, nuk ka ku të shkojë por do përfundojë të jetë një oligarki. Kjo ndodh sepse ata njerëz që kanë sukses brenda një organizate, arrijnë të krijojnë një avantazh konkurrues, të cilin vetëm sa e shtojnë me kalimin e kohës. Por si mund te ndodhë kjo në një ekonomi tregu, ku do duhej të mbizotëronte konkurrenca dhe askush të mos kishte avantazhe të përhershme?

Unë hyj tek ata njerez që mendoj se artikulimi i ligjit të hekurt të oligarkisë bëhet kryesisht nga e majta për të justifikuar rolin qëndror që qeveria ka në krijimin e oligarkive. Problemi që kam unë me ligjin e hekurt të oligarkisë, është se çfarë konsiderohet si sukses, është në fakt aktivitet kriminal. Në shumicën e rasteve oligarkitë janë krijuar nga aleanca dhe bashkëpunimi kriminal mes qeverive, politikes dhe biznesit, shpeshherë duke arritur ta fshehin këtë aktivitet kriminal brenda kornizës së një shteti ligjor, por që kurrsesi nuk do mund të qëndrontë në këmbë në një shtet të së drejtës.

Ajo që shoh unë si oligarki sot është sundimi i pakicës, si një kombinim i plutokracisë (sundim përmes pasurisë) dhe kleptokracisë (sundim përmes vjedhjes). Sistemi ekonomiko-politik që rezulton nga ky kombinim përkufizohet rëndom kapitalizëm kriminal. Personalisht, tek kapitalizmi kriminal unë shoh kriminalen dhe aspak kapitalizmin, përkundrazi autoritarizmin, oligarkinë, centralizimin e pushtetit, vendim-marrjes, socializmin. Pra, më shumë se kapitalizëm, shoh një socializëm kriminal. Por, nuk dua të insistoj për të ndryshuar termin, ndaj do përdor atë term që kanë qejf socialistët. Edhe pse duhet të qartësoj se Kapitalizmi Kriminal, ku thyerja dhe përthyerja e ligjit shitet për sukses, nuk mund të ekzistojë pa bashkëpunimin e shtetit, pra është një sistem ekonomik i centralizuar – socializëm ose më keq.

Sistemi ekonomik që kemi legjitimuar në Shqipëri, njihet pra rëndom si kapitalizëm kriminal. Ky sistem ekonomik i ngritur me kujdes, i ruajtur, dhe i pamundur të ekzistojë pa bashkëpunimin e qeverive të ndryshme, ndër vite ka prodhuar një numër të kufizuar biznesesh që kanë lulëzuar, aspak se kanë ndërmarrë risk në treg me idenë dhe investimin e vet, por më tepër, ose kryesisht prej përfitimit të parave nga lidhja e ndërsjelltë me politikën. Dukshëm në Shqipërinë e sotme kemi politikanë dhe një grumbull biznesesh të pasuruar shumë më fort se gjithë të tjerët. Ky numër i kufizuar biznesesh janë oligarkët tanë.

Kujdes! Edhe oligarkët biznesmenë janë, të regjistruar në QKB, por jo çdo biznesmen është oligark. Dallimi është sesi i bëjnë paratë, si i mbushin xhepat. Bizneset i fitojnë, ndërsa oligarkët i përfitojnë. Oligarkët, paratë nuk i kanë fituar si çdo biznes tjetër duke konkurruar në treg, pra duke ofruar produkte cilësore me çmime kompetitive, por i kanë përfituar duke përdorur fuqinë e shtetit për të marrë leje, grante, përjashtime nga taksat, ligje të personalizuara, ligje strategjike që favorizojnë grupe te caktuara ose oligopolet në kurriz të gjithë bizneseve të tjera; apo duke përfituar nga të tjera ndërhyrje të ndryshme tek burimet e shtetit siç mund të jenë monopoli mbi mallrat primare publike – partneriteti publik privat si dhuratë e drejpërdrejtë ndaj personave të caktuar, koncesionet minerare, të punëve dhe shërbimeve publike, vepra publike në shërbim të aktiviteteve private, etj. Këto dhe metodat e tjera të sundimit, si dhe efektet e këtij sistemi është e vlefshme t’i shtjellojmë me detaje një herë tjetër.

Ky lloj kapitalizmi kriminal është stabilizuar tashmë, shtrirë në qeveri, politikë dhe media; në Shqipëri, fuqia ekonomike, politike mediatik është përqëndruar në pak duar, të njëjtat duar. Kjo lidhje e ka shtrembëruar ekonominë dhe ka prekur shoqërinë në atë shkallë saqë ka korruptuar çdo qelizë të saj, duke deformuar kështu të gjitha parimet e shërbimit publik, të ekonomisë, ato politike dhe shoqërore. Ky korrupsion deformues, i shkaktuar nga lidhja e ndërsjellë mes oligarkëve dhe politikës, ka bllokuar dhe shkatërruar dukshëm aftësinë e ekonomisë shqiptare për t’u zhvilluar, për të adoptuar inovacionet më të fundit, dhe është një nga shkaqet kryesore të eksodit të ri që po përjeton Shqipëria në këto vitet e fundit. Nuk ka new entries në ekonominë shqiptare, kam vetëm exit, hemorragji shqiptarësh energjish, parash. Ndaj në Shqipëri nuk prodhohet asgjë e rëndësishme, por kryesisht tregtohen mallra të prodhuara në vende të tjera.

Që ta zhbijmë këtë aleance kriminale, këtë sistem ekonomik-politik që kemi krijuar, na duhen lidershipe dhe parti politike të pastra dhe të angazhuara në garantimin e lojës së barabartë në treg. Na duhet një sistem drejtësie krejtësisht i çliruar nga kapja e politikës dhe oligarkëve; na duhen gazetarë dhe intelektualë që guxojnë të prishin rehatinë e vet. Por si fillim na duhet të kuptojmë të gjithë ku na çalon gomari … Sot për sot, si shoqëri nuk duam t’i vemë pikat mbi i; jemi si ai i sëmuri që vajti tek mjeku dhe i thoshte: më dhemb trupi, më dhemb këtu, këtu, atje, etj., dhe mjeku i tha: zotëri, shiko se ke thyer gishtin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit