1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ethet hemorragjike, si duhet të mbrohemi nga sëmundja infektive

Më të lexuarat

Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit.
Këto simptoma, shpesh shoqërohen me hemorragji, që në shumicën e rasteve janë edhe shkaktarë të vdekjes. Shkaktarët e etheve hemorragjike janë viruset, të cilat varësisht se cilës familje i takojnë ndahen në katër grupe: Filoviridae-Ebola dhe Malburg; Arenaviridae-Lassa dhe New World arenovirus; Bonyaviridae-Etheve Krime-Kongo, Rift Vallery, dhe Ethet me sindromë renale; Flaviviridae-Ethet Denga, Ethet e Verdha, Ethet e Omskut dhe Kiasenurit.

Shkaktarët
Shkaktarët e etheve hemorragjike janë të përhapur në gjithë globin. Njerëzit mund të infektohen edhe nga strehuesit e eksportuar prej vendeve tjera, që njihen si vende endemike për një lloj të caktuar të caktuar të etheve hemorragjike. Ethet hemorragjike transmetohen prej kontaktit të njerëzve me strehuesit. Viruset që barten nga brejtësit transmetohen kur njerëzit vijnë në kontakt me urinën, materiet fekale, pështymën ose ekskrecionet tjera trupore të brejtësve të infektuar. Viruset e bartur me vektor antropod përhapen më së shpeshti kur mushkonja ose rriqra pickon njeriun.
Disa vektor mund t’i transmetojnë viruset te kafshët shtëpiake dhe njerëzit infektohen duke u kujdesur për këto kafshë ose gjatë therjes së tyre (kasapët). Disa viruse përhapen pastaj prej njeriut te njeri (Ebola, Marburg, Lassa dhe Krime Kongo). Shenjat dhe simptomat specifike varen nga lloji i etheve hemorragjike. Simptomat fillestare janë: ethe, lodhje, marramendje, dhimbje e muskujve, plogështi, humbje e fuqisë.
Pacientët shpesh kanë gjakderdhje në lëkurë, në organet e brendshme, nga goja, sytë, veshët. Pacientët mund të kenë shenja të shokut, çrregullime të funksionit të sistemit nervor, komë, delirium etj. Disa lloje të etheve hemorragjike shoqërohen me insuficiencë renale.

Mbrojtja
Pacientët me ethe hemorragjike trajtohen me terapi simptomatike, sepse në përgjithësi, nuk ka terapi bazë për shërim. Ribavirina, një bar antiviral është efektiv në trajtimin e disa pacientëve me ethe lassa ose ethe hemorragjike me sindromë renale. Përveç etheve hemorragjike argjentinase, për të cilat ekziston vaksinë, për llojet tjera nuk ka vaksinë.

Mbrojtja kryesore është shmangia e kontaktit me strehuesit e infektuar, duhet penguar bartja nga njeriu në njeri. Për shkak se shumica e viruseve që shkaktojnë ethe hemorragjike barten nga brejtësit, mbrojta duhet përfshijë: kontrollimin e popullimit të brejtësve; eliminimin e minjve nga shtëpitë dhe vendet e punës; prishja e çerdheve dhe largimi i fekaleve të brejtësve; për ato viruse që barten me vektor antropod mbrojtja fokusohet në kontrollimin e gjithë komunitetit; njerëzit duhen këshilluar për mbytjen e insekteve, veshje adekuate, vendosjen e rrjetave në dritare dhe barriera të tjera për largimin e insekteve dhe shmangien nga thumbimet; te rastet e përhapjes prej njeriut te njeriu duhet shmangur kontakti i afërt me personat e sëmurë, të cilët duhen izoluar; kontrolli tjetër është dezinfektimi, përdorimi adekuat i mjeteve punuese nga ana e punëtorëve shëndetësorë.

Origjina e sëmundjes dhe llojet më të përhapura
Ethet hemorragjike, sëmundje që në mjekësi njihet me emrin Krime-Kongo (Crimean-Congo) shkaktohen nga infeksioni me virusin e bartur me rriqra që është i llojit Nairovirus dhe bën pjesë në familjen Bonyaviridae. Sëmundja së pari është zbuluar në Crimea më 1944 nga ka marrë emrin, më vonë është gjetur edhe në Congo më 1969.
Sëmundja më shpesh haset në Europën Lindore, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Po ashtu është e përhapur edhe në Mediteran, Kinë Veriperëndimore, Azi Qendrore etj. Te njerëzit më shpesh përhapet në periudhën prill-shtator.

Transmetimi
Rriqrat janë rezervuar dhe vektorë të virusit Krime­Kongo. Disa kafshë shtëpiake si gjedhet, dhitë, delet dhe lepujt e egër janë strehues të virusit. Transmetimi te njerëzit ndodh kur ata vijnë në kontakt me kafshët e infektuara ose rriqrat. Sëmundja përhapet edhe prej njeriut të infektuar në tjetrin përmes gjakut ose lëngjeve trupore. Po ashtu përhapja mund të ndodh nga sterilizimi jo adekuat i mjeteve punuese, kontaminimi i tyre, etj.

Simptomat
Fillimi i sëmundjes është i menjëhershëm me temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje shpine, dhimbje nyjesh, dhimbje barku dhe vjellje. Vërehen sy të skuqur, fytyrë e skuqur, gjuhë e skuqur. Me progresionin e sëmundjes shfaqet epistaksë, gjakderdhje në vendin e dhënies së injeksionit, e cila gjakderdhje fillon nga dita e 4-të e sëmundjes dhe zgjat rreth 2 javë.

Diagnoza
Në hemogram vërehet leukopeni, trombocitopeni, ndryshime karakteristike për koagulimin intravaskular të diseminuar. Në analizat e urinës vërehet hematuri, proteinuri, oliguri, azotemi. Me analiza serologjike përcaktohen antitrupat specifik.

Prognoza (Pritshmeria mbi semundjen)
Vdekshmëria është e lartë, ajo varion nga 10-50%.

Trajtimi
Kryesisht është simptomatik. Shoku luftohet me dhënien e gjakut, te KID jepet heparinë. Ribavarina është mjaft e efektshme.
Duhet luftuar kundër vektorit. Rriqrat luftohen me Dietil-m­toluanide. Te personat që mund të jenë në kontakt me rriqra këshillohet përdorimi i dorëzave dhe rrobave mbrojtëse.
Ethet hemorragjike me sindromën renale
Sëmundja shkaktohet nga hantavirusët-familja Bonyaviridae. Karakterizohet me intoksikacion të rëndë shoqëruar me dëmtime kapilare difuze, fenomene hemorragjike, shok, çrregullime të rënda hidroelektrike dhe me insuficiencë renale.

Epidemiologjia
Janë tre serotipe të hantavirusëve:
1. Hantan Seoul dhe Dobrava-Beograd janë shkaktar të etheve hemorragjike me sindromë renale. Virusi hantan është i përhapur në Azi, veçanërisht në Kinë dhe Rusi.
2. Virusi Puumala shkakton nefropati endemike. Është i përhapur në Skandinavi, Europën perëndimore dhe Rusi.
3. Virusi Dobrava është i përhapur në Ballkan.

Transmetimi 

Barten përmes brejtësve. Njerëzit infektohen me këta virus dhe zhvillojnë sindromë renale pas ekspozimit me urinën, fekalet dhe salivën e brejtësve të infektuar. Transmetimi ndodh edhe kur urina e infektuar dhe materiet tjera bien në kontakt direkt me lëkurën e dëmtuar ose me membranat mukozale në sy, hundë ose gojë. Po ashtu njerëzit që punojnë me brejtës të gjallë mund t’u ekspozohen viruseve pas kafshimit të tyre nga kafshët e infektuara. Transmetimi prej njeriut te njeri mund të ndodh, por është shumë i rrallë.

Simptomat
Zakonisht simptomat paraqiten l-2 javë pas infeksionit, por mund të paraqitet edhe pas 8 javëve. Faza e parë fillon përnjëherë me dhimbje koke intensive, temperaturë të lartë, dhimbje shpine dhe barku, ethe, dridhje, nauze, vjedhje dhe fotofobi. Vërehen ekzantema eritematoze në fytyrë, qafë, shpinë, skuqja e faringut, edema periorbitale. Faza e dytë zhvillohet në ditën e pestë dhe zgjat 24-48 orë.
Karakterizohet me hipotension dhe gjendje shoku. Shenjat tjera janë: tahikardi, lëkura e ftohtë, në gjakun periferik-leukoeitozë, neutrofili, tromboeitopeni limfocite atipike. Faza e tretë zhvillohet nga dita 8-9 e sëmundjes me shenja të insuficiencës renale si oliguri, ndryshime të ekuilibrit elektrolitik, hiperkalemi, hipelfosfatemi dhe hipokalemi.
Te të sëmuret shfaqen hemorragjitë të tipit të hematemezës, melenës, petehieve, hematurisë, dhe hemorragjisë cerebrale. Kjo fazë quhet edhe toksiko-hemorragjike. Faza e katërt zgjatë 3-6 javë. Të sëmurët paraqesin dobësi muskulare, por më vonë fillojnë të marrin peshën e humbur, rritet aftësia koncentruese e urinës.

Diagnoza
Diagnoza përcaktohet me anamnezë klinike karakteristike të shoqëruar me fenomene hemorragjike dhe dëmtime renale. Te analiza laboratorike vërehet rritje e hematokritit, rritje e kaliumit, fosfateve, ulje e kalciumit, ulje e diurezës, proteinuri, leukocitozë. Në analiza serologjike përcaktohen antitrupat IgM.

Trajtimi
Kryesisht është simptomatik: përdoren lëngje si glukozë 5%, solfiziologjik 0.9%, gjak ose plazmë sipas nevojës. Te insuficienca renale jepet lasix, dhe dopamine në doza të vogla. Rezultate të mira ka dhënë edhe Ribavarina.

Prognoza (Pritshmeria mbi semundjen)
Vdekshmëria shkon prej 5-15% te ethet hemorragjike me sindromë renale nga Hantavirusët, kurse më e vogël se 1% te ata me Puumalavirus.

Profilaksia (Mbrojtja parandaluese)
Kontrollimi i popullacionit të brejtësve, eliminimi i tyre nga shtëpitë. Shmangia e kontaktit me urinë, fekale, salivë dhe shtrofullat e brejtësve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit