Rrëfimi në vijim ka protagonist Esmeiun, njërin nga dijetarët më të shquar të gjuhës arabe.
Një ditë, derisa po shpjegonte një temë të caktuar, mori argument një citat kur’anor. Fjala është për ajetin 38 të kaptinës Maide:
“Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.”
…të cilin Esmeiu e përfundon, jo kështu siç gjendet në Kur’an, por me:
“Me të vërtetë, Allahu është Falës, Mëshirues!”
Kur malësori dëgjon këtë përfundim të ajetit, e pyet:
– Kush e ka thënë këtë?
– Është të folurit e Allahut – i përgjigjet Esmeiu.
– Jo! – insiston malësori me ngulm. – Nuk është ky të folur të Allahut.
– E si po e ditke ti në qenka apo jo të folur të Allahut? A je hafiz i Kur’anit? – e pyet Esmeiu.
– Jo – i përgjigjet.
– Po kaptinën Maide, në të cilën gjendet ky ajet, a e di përmendësh?
Jo – i përgjigjet prapë.
– Atëherë si gjykove me kaq siguri se ky ajet nuk është pjesë e Kur’anit? – e pyeti i habitur Esmeiu.
Malësori vazhdonte në qëndrimin e tij se ky ajet nuk është pesë e Kur’anit. Për ta mbyllë çështjen, Esmeiu kërkon t’ia sjellin një mus’haf. Kur e hap mus’hafin sheh se përfundimi i ajetit nuk ishte siç e lexonte ai. Ajeti mbaronte kësisoj:
“Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.”
Esmeiut i bëri përshtypjet se si ky malësor pa qenë fare nga hafizët e Kur’anit arriti të vërente këtë gabim të tij.
– Si e dite ti këtë? – e pyeti me kureshtje.
Malësori iu përgjigj: – O Esmei, Allahu shfaqi fuqinë e Tij andaj edhe gjykoi me prerje, ndryshe, sikur ta kishte falur, nuk do ta ndëshkonte me prerje të dorës.
Malësori vërejti se ajeti bën fjalë për një dispozitë të ashpër fetare, e cila është ndërmarrë për të frikësuar kriminelët dhe për të parandaluar përhapjen e dukurive të këqija dhe se, në këtë kontekst, mëshira dhe falja me mëkatarët dhe kriminelët, nuk përdoret. Nuk është vend falje e mëshire, por vend ekzekutimi i një norme të caktuar fetare.
Përgatiti në shqip: Sedat ISLAMI