Është zhdukur pa gjurmë tashmë pesë ditë i riu Fidan Shabi nga Peja, bëjnë të ditur familjarët e personit, kërkimin e të cilit e ka filluar edhe policia e Kosovës, e cila zhdukjen e tij, e vlerëson si rast të rrezikshmërisë së lart. Fidani (23.02.1992) është i lindur dhe banor i Pejës, rruga “Fan Noli” nr.4. Fidani për herë të fundit është parë më 01.05. 2012, ndërsa për zhdukjen e tij është njoftuar policia nga familjarët më 02.05.2012 rreth orës 20:00 në Stacionin Policor të Pejës.
Familja e Fidanit është katër anëtarëshe. Ai jetonte me nënën, vëllain më të madh dhe me një motër më të vogël, ndërsa babai i ka vdekur kur Fidani ishte katër vjet, nga infarkti në zemër, shkruan në numrin e sotëm gazeta “Bota sot”.
Sipas tezes së tij, Fidani, nuk është as i martuar, as i fejuar dhe për aq sa është në dijeni familja, ai nuk asnjë lidhje me ndonjë femër.
Fidani së fundi ka punuar me dajën e vet në kasaphanën “Buquki”.
Sipas tezes, besohet se policia tashmë ka arrestuar një person në lidhje me zhdukjen e Fidanit. “Në Kosovë është një i arrestuar, por policia po i vazhdon hetimet”, thotë tezja, që jeton jashtë.
Sipas tregimit të tezes, Fidani është zhdukur pasi ka dalur nga shtëpia me taksi, të martën rreth orës 24.00 pas mesnate, pasi e kishte marrë një telefonatë, që nuk dihet nga kush është bërë.
“Të martën pas mesnate rreth orës 12.00, e ka marrë një telefonat dhe ka dal nga shtëpia, ka shku me taxi. Prej, atij momenti nuk dijmë gjo për to”, thotë ajo.
Sipas përshkrimit të tezes së tij dhe policisë, Fidan Shabi, “është zeshkan, i gjatë 1.85 m, peshon rreth 73 kg, ngjyrën e syve e ka kafe. Në momentin e largimit nga shtëpia ka pas veshur bluz me mëngë të shkurtra, të kuqe, pantallona të zeza, patika bardh e zi, kapuç kaçket ngjyrë kremi, i ka pas dy telefona me veti, njëri me numër të Ipko-s dhe tjetrin me numër të Vala-s”.
Sipas tezës, Fidani ka vazhduar të kishte qasje në numrin e Valës, edhe për rreth 24 orë, por jo edhe në Ipko. “Prej atij momenti Ipko ka qenë i ndalun, e vala ka pas qasje në rrjet deri të mërkurën në mbrëmje. Në ora 22:00 kanë provuar me thirrë, i kan çu sms, po pa sukses. Nuk osht lajmruar, që nga e martja nuk dimë kurgjo”, thotë tezja Besarta.
Ndërsa, policia nuk thotë nëse ka ndonjë të arrestuar, por ajo ka shpërndarë disa të dhëna nëpërmjet një komunikate vetëm sot, pas katër ditësh, ndërsa kërkon ndihmën e qytetarëve që ta gjejnë Fidanin.
“Njësitet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operacionale në vazhdim për gjetjen e tij, dhe është vlerësuar si rast serioz me rrezikshmëri të lartë. Rasti është duke u hetuar nga njësitet e specializuara për Krime Serioze dhe Njësiti për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Prokurorin përkatës të çështjes”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës./ineksonline/kohaislame