4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ergys Mërtiri – Shqipëria në moshën e pubertetit…

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri- Shqipëria në moshën e pubertetit

Një entitet nuk mund të integrohet askund, nëse nuk ruan thelbësisht identitetin e vet dhe nuk mund të ketë identitet, pa një vijimsi kulturore që na lidh me të kaluarën. Vetë fjala identitet vjen nga fjala latine idem që nënkupton njëjtësi dhe vazhdimsi. Pra të ruash identitetin do të thotë të dallohesh nga të tjerët dhe njëkohësisht të ruash vazhdimsinë e të kaluarës tënde. Kriza e identitetit ndodh pikërisht kur kjo vijimsi ndërpritet.

Termi “krizë e identitetit” u përpunua fillimisht nga Erik Erikson për të treguar një çrregullim psikik të pacientëve që vuajnë pikërisht nga humbja e sensit të njëjtësisë vetjake dhe të vijimsisë historike. Më tej ai e përgjithësoi këtë term duke shenjuar një nga stadet e formimit të personalitetit e shfaqur tek të rinjtë, i cili karakterizohet nga një çoroditje e përgjithshme e identitetit. Ai e vendos identitetin në thelbin e individit si dhe të kulturës së bashkësisë së tij.

Nga kjo pikënisje, një analizë e thjeshtë kulturore e shoqërisë shqiptare tregon për një krizë identiteti me të njëjtat simptoma si ato të evidentuara nga Erikson. Ajo vuan nga humbja e sensit të njëjtësisë dhe vazhdimsisë, duke humbur trashëgiminë e saj kulturore, por edhe aftësinë për vetëaktualizim. Në mënyrë cinike mund të thuhet se shoqëria shqiptare dëshmon paaftësi intelektuale për të përballuar presionet kulturore që vijnë nga kultura e konsumit duke e parë veten në mungesë të thellë rehatie me të kaluarën e vet.

Nga kjo pikëpamje, mund ta themi jo pa cinizëm se shoqëria shqiptare po jeton adoleshencën e saj. Ajo vuan nga nevoja për t’u dalluar, për të rënë në sy, çfarë përforcohet nga frustracionet kulturore të trashëguara. Kjo shpjegon arsyen përse konstatojmë shpesh një nevojë të ethshme për t’u krenuar me njerëz të famshëm që bëjnë emër apo karierë jashtë vendit, pavarësisht se kjo tregon në fakt më shumë mbi pamundësitë që ofron atdheu i tyre për të kultivuar talentet e tij. Ky ekzaltim për suksesin artistëve shqiptarë në perëndim, pavarësisht nga vlerat reale të artit të tyre, tregon për zvetënimin e vlerave si dhe për frustracionet e brendshme të shoqërisë shqiptare.

(Marrë me shkurtime nga Medius, nr. 4)
Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit