ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë dhe Presidenti i radhës i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), Recep Tayyip Erdoğan, në lidhje me vendimin e SHBA-ve për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Kuds tha se SHBA-të me këtë hap, i cili është i papajtueshëm me vetëdijen e të drejtës, drejtësisë dhe barazisë së njerëzimit, ka shkelur të gjitha rezolutat përkatëse të OKB-së, madje edhe të drejtat e fituara prej saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti turk është shprehur se SHBA me këtë vendim ka dëmtuar besueshmërinë në praninë e komunitetit ndërkombëtar dhe ka humbur rolin e saj ndërmjetësues në zgjidhjen e konfliktit.
Erdoğan, në një deklaratë me shkrim ka theksuar se SHBA duke zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds ka treguar se preferon të ndjekë qëndrimin i cili injoron parimet më themelore të së drejtës ndërkombëtare, vullnetin e komunitetit ndërkombëtar dhe të vërtetat historike dhe sociale.
“Duke e zhvendosur ambasadën e saj në Kuds SHBA ka dënuar palën palestineze, e cila ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur se me të vërtetë dëshiron paqe. Ndërsa ka shpërblyer qeverinë izraelite, e cila ka pushtuar territoret qindra vjeçare të palestinezëve, ka thyer premtimet e zgjidhjes me dy shtete me bllokadat dhe vendbanimet e paligjshme, ka shkelur sistematikisht rezolutat e OKB-së, dhe përpiqet ta bëjë paqen të pamundur. Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për problemin palestinez do të jetë e mundur vetëm nëse shteti sovran dhe i pavarur palestinez brenda kufijve të 1967 do të jetë një trup me Kudsin Lindor”, është shprehur në deklaratën e tij presidenti Erdoğan.
– Thirrje Izraelit për vetëpërmbajtje
Erdoğan ka vënë në dukje se Turqia do të qëndrojë gjithmonë pranë shtetit të Palestinës dhe popullit vëlla palestinez dhe se asnjëherë nuk do t’i lërë vetëm vëllezërit palestinezë në kauzën e tyre të drejtë.
Pasi ka bërë thirrje që qeveria Izraelite të tregohet përgjegjëse dhe e përmbajtur në ngjarjet e mundshme që mund të përjetohen sot në territoret e Palestinës, Erdoğan ka tërhequr vëmendjen se në këtë ditë kritike duhet të tregohet ndjeshmëri maksimale për të parandaluar humbjet e jetëve.