Në lidhje me përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve në qytetin Idlib të Sirisë, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se këto lloj sulmesh janë të papranueshme…
Presidenti Erdoan ka realizuar një bisedë telefonike me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.
Sipas burimeve pranë Presidencës në këtë bisedë telefonike Erdoan i tha Putinit se ndjen një keqardhje të thellë për sulmin terrorist në metronë e Shën-Petërburgut dhe i përcolli ngushëllimet Putinit dhe të gjithë popullit rus.
Me këtë rast Presidenti Erdoan me Putinin bisedoi edhe mbi përdorimin e armëve kimike në një sulm të kryer sot në mëngjes ndaj civilëve në qytetin Idlib të Sirisë.
Këto lloj sulmesh ç’njerëzore janë të papranueshme, u shpreh Erdoan duke nënvizuar se këto zhvillime janë të rrezikshme, pasi mund të çojnë dëm të gjithë mundin e harxhuar deri më tani në kuadër të procesit të Astanës (bisedime e zhvilluara në kryeqytetin e Kazakistanit për ndalimin e konfliktit të armatosur dhe procesin e tranzicionit politik në Siri).
Të dy liderët vunë theksin në rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe nënvizuan domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për mbijetesën e armëpushimit të brishtë në Siri.
Nga ana tjetër Erdoan i dërgoi Putinit edhe një mesazh ngushëllimi për shpërthimin në metronë e Shën-Petërburgut.
Në mesazhin e tij Erdoan shkruan se e ka mësuar me një keqardhje të madhe lajmin për viktimat dhe të plagosurit e shumtë në sulmin që ndodhi në metronë e Shën-Petërburgut, ndërkohë që në qytet gjendej edhe Putini.
“Dua të them se Turqia është pranë Rusisë përballë sulmeve të tilla terroriste. Si një vend që lufton për vite me terrorizmin, ne e kuptojmë më së miri dhimbjen tuaj. E dënojmë këtë sulm të tmerrshëm”, shkruan Erdoan në mesazhin e tij, ku përcjell ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe popullin e Rusisë, ndërsa uron shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.