Në Xhaminë Fatih në Stamboll u fal namazi i xhenazes në mungesë për Mohamed Morsin, i cili ndërroi jetë dje gjatë një seance gjyqësore
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mori pjesë në namazin e xhenazes në mungesë që u organizua për presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, i cili ndërroi jetë dje gjatë një seance gjyqësore.
Ceremonia u organizua në Xhaminë Fatih në Stamboll, krahas shumë qyteteve të tjera të Turqisë.
Përveç presidentit Erdoğan, të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, si dhe sekretari i përgjithshëm i Vëllazërisë Muslimane, Mahmud Husein, dhe ish-ministri egjiptian i Shtypit dhe Informacionit, Salah Abdulmaksud, ndërsa namazit i parapriu kryetari i Drejtorisë së Çështjeve Fetare (Dijanet), Ali Erbaş.
Në fjalën e tij pas namazit, Erdoğan tha se nuk beson që vdekja e Morsit ka ndodhur në rrethana normale.
“Nuk besoj se vdekja e Morsit ishte vdekje normale. Kjo pasi ata janë aq frikacakë, saqë nuk ia dorëzuan familjes Mohamed Morsin”, u shpreh presidenti turk.
“Mohamed Morsi kishte një testament, në të cilin kishte kërkuar të varrosej në fshatin e tij. Por këta nuk e pranuan dhe Sisi sërish e vazhdoi botëkuptimin dhe zullumin e tij”, shtoi Erdoğan.
“Mos harroni se Sisi ekzistojnë edhe në këtë vend. Prandaj, duhet të jemi të shumë të kujdesshëm”, tha po ashtu Erdoğan.
Ai kritikoi shpërfilljen e vendeve perëndimore lidhur me vdekjen e Morsit.
“Karakterisitkë për Morsin është se ai ishte presidenti i parë i zgjedhur në Egjipt. Natyrisht, perëndimi nuk mundi ta përballojë një gjë të tillë. A keni dëgjuar diçka deri më tani? Nuk keni dëgjuar dhe vështirë se do të dëgjoni”, theksoi presidenti Erdoğan.
Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dje në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.
Ai u varros në lindje të Kajros në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve.
Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi.
Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera./AA