Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se historia kurrë nuk do ti falë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
I ndodhur për vizitë zyrtare në Angli, Presidenti Erdogan dhe Kryeministrja Theresa May pas takimit organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Duke i mallkuar edhe njëherë masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve, Presidenti Erdogan tha se kurrë nuk do ta pranojnë këtë vendim të ShBA-së që shkaktoi këto ngjarje.
Presidenti Erdogan theksoi se Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të vihet në veprim menjëherë për ti dhënë fund kësaj dhune, ndërsa shtoi se ata që kryen këtë egërsirë duke i martirizuar 60 palestinezë në kufirin e Gazës janë nxitur nga ShBA-ja.
“Historia nuk do ta falë ShBA-në, ne do ta shohim këtë fakt. Aç më shumë nuk do ta falë as Izraelin, edhe këtë fakt do ta shohim”, u shpreh Erdogan.
Duke e vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan se nuk janë ndërmjetësues në zgjidhjen e problemit në rajon, por janë palë e këtij problemi, Presidenti Erdogan tha: “Sulmet që morën jetët e 60 palestinezëve dhe plagosën mbi 2 mijë e 500 të tjerë, janë rezultat i kësaj politike. Ne mallkojmë edhe njëherë këtë egërsirë. Izraeli i hodhi këto hapa me mendimin: ‘jam i fortë, prandaj kam të drejtë’. Ai është okupator i këtyre territoreve dhe vazhdon me terrorizim të popullit”.
Në mes tjerash Presidenti Erdogan tha se “I bëjë thirrje shoqërisë ndërkombëtare dhe OKB-së për tu vënë në veprim pa humbur kohë për dhënien fund dhunës në Palestinë”.
Kreu i shtetit turk gjithashtu shtoi se gjatë samitit të jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) që do të mbahet të premten në Stamboll, do ti japin botës një mesazh shumë të fortë.
Gjatë fjalës së tij Presidenti preku edhe në luftën kundër terrorit ku tha se dëshirojnë që me Anglinë ta zhvillojnë bashkëpunimin në lidhje me çështjen e ekstradimit të anëtarëve të organizatave terroriste si të atyre të FETO-s.
Duke e bërë të ditur se Kryeministres së Anglisë, Theresa May i kanë dorëzuar listën me emra të terroristëve anëtarë të organizatave terroriste PKK dhe FETO, Presidenti Erdogan kërkoi që këta persona të ekstradohen në Turqi dhe të thellohet bashkëpunimi në luftën kundër terrorit.
Presidenti Erdogan gjithashtu shtoi se presin që Kryeministrja May brenda një kohe të shkurtë ta vizitojë Turqinë.
Ndërkaq edhe Theresa May gjatë fjalimit të saj kërkoi nga Izraeli ndalimin e dhunës ndaj palestinezëve dhe theksoi nevojën për të zhvilluar një hetim të pavarur dhe transparent në lidhje me ngjarjet e jetuara në Gazë.
Ajo falënderoi Turqinë për bujarinë e treguar me mikpritjen e 3,5 milionë refugjatëve sirianë.