Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i është përgjigjur deklaratave të fundit të homologut të tij grek, Prokopis Pavlopoulos.
Fjalimi i tij, që ka pasur thirrje për të mos harruar historinë për Greqinë, është mbajtur në një konferencë të partisë së tij në provincën Sakarya, pikërisht aty ku në vitin 1921 forcat turke kanë ndërprerë marshimin e ushtrisë greke drejt Ankarasë.
“Ata që duan të rifreskojnë kujtesën e tyre, le të shkojnë t’i hedhin një sy historisë së tyre të kohëve të fundit. Ata që hedhin fjalë më të mëdha sesa përmasat e trupit të tyre, para se të lexojnë përralla, le të lexojnë një libër të vërtetë historie. Le të mësojnë shumë mirë sesi shpëtuan pa u bërë peshk i kriposur në Sakarya dhe si i braktisën këto vende duke u hedhur në det. E thashë dhe e them përsëri: Nuk kemi asnjë synim për territoret dhe sovranitetin e askujt”, tha Recep Tayyip Erdogan.