Presidenti Rexhep Tayyip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) deklaroi të dielën se Gjysmëhënë e Kuqe e Turqisë, me ndihmat dhe shërbimet e saj për të gjithë nevojtarët pa dallim, meriton së tepërmi të jetë një nga institucionet më në zë të botës…
Presidenti Rexhep Tayyip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) deklaroi të dielën se Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, me ndihmat dhe shërbimet e saj për të gjithë nevojtarët pa dallim, meriton së tepërmi të jetë një nga institucionet më në zë të botës në fushëveprimin e saj.
Gjatë fjalës së rastit në programin e 149-vjetorit të themelimit të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, ceremonisë së dekorimit të donatorëve dhe darkës së iftarit, organizuar në Qendrën e Kongreseve “Haliç” të Stambollit, Presidenti Erdoan theksoi se individualisht është mjaft e vështirë të ofrosh shërbime të mira dhe të dobishme në një periudhë, ku popullsia ka shënuar rritje, qytetet janë zgjeruar dhe takimi i donatorëve me nevojtarët është vështirësuar shumë; ndërkohë që institucionet bamirëse si Gjysmëhëna e Kuqe Turke arrijnë ta bëjnë këtë lehtësisht falë organizimeve të tyre të shpeshta dhe akumulimit të madh e përvojës së gjatë të tyre ndër dekada.
Kreu i Shtetit turk vuri në pah se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sikurse dhe në vitet e shkuara, që të mbështesin të gjitha projektet brenda dhe jashtë vendit të Gjysmëhënës së Kuqe, një nga organizatat e shoqërisë civile më të mëdha e më të përhapura në Turqi, me mbi 700 filiale në shkallë vendi.
“Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, me ndihmat dhe shërbimet e saj për të gjithë nevojtarët pa dallim, meriton së tepërmi të jetë një nga institucionet më në zë të botës në fushëveprimin e saj. Më lejoni të falënderoj edhe një tjetër herë të gjithë stafin e saj, nga presidenti e deri tek aktivisti më i thjeshtë, që shërbejnë nën emblemën e Gjysmëhënës së Kuqe Turke në çdo skaj të rruzullit tokësor, nga Vani në Pakistan, nga Sivavi në Somali, nga kufijtë tanë me Sirinë dhe Irakun e deri në Arakan e Bosnjë-Hercegovinë”, u shpreh ai.
Nëse Turqia – vijoi Erdoan – është sot në gjendje të planifikojë dhe ekzekutojë vetëm, pa pasur nevojë për askënd, operacionin më të madh në botë të ndihmave për refugjatët, kjo është edhe falë meritës dhe rolit të madh të Gjysmëhënës së Kuqe Turke.
“Sa më shumë t’i dalim për zot institucioneve si Gjysmëhëna e Kuqe, përfaqësuese të kulturës sonë të solidarizimit dhe të ndihmesës për njëri-tjetrin, aq më shumë kontribuojmë për ta bërë vendin dhe botën tonë më të qetë dhe më të sigurt”, siguroi lideri turk.
Më tej, ai nënvizoi se Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë dërgon ndihma në Siri, Arakan, Mianmar, Pakistan dhe kudo është e nevojshme jashtë shtetit, ndërkohë që është e kudogjendur edhe në rast fatkeqësish brenda vendit.
Në fund, Presidenti Erdoan përgëzoi donatorët e vlerësuar me çmim dhe u shpërndau atyre plaketat.