3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Erdoğan: Futbolli dhe politika kanë shumë gjëra të përbashkëta

Më të lexuarat

“Koha e tyre ka kaluar, por akoma rezistojnë. Ne i fituam në shtatë cikle zgjedhore, ndërsa do t’i fitojmë edhe për të tetën herë më 16 prill”

STAMBOLL (AA) – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se të ardhmen e Turqisë nuk mund ta ndërtojnë ata që frikësohen nga rinia turke dhe nga populli, raporton Anadolu Agency (AA).

“Koha e tyre ka kaluar, por akoma rezistojnë. Ne i fituam në shtatë cikle zgjedhore, ndërsa do t’i fitojmë edhe për të tetën herë më 16 prill, dhe shpresoj se atëherë do ta kuptojnë porosinë e popullit”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan mbajti një fjalim në Qendrën e Kongreseve Halic, në Stamboll, ku sot mbahet Samiti i 2-të Futbollistik Ndërkombëtar, i cili në organizim të Unionit të Klubeve Futbllistike të Turqisë mblodhi personalitetet më të shquara të botës së sportit, veçmas futbollit.

Presidenti turk në fjalimin e tij theksoi se futbolli ka tejkaluar kufijtë e sportit dhe është bërë vendtakim ku bashkohen karaktere, identitete dhe rrëfime të ndryshme, dhe se në thelbin e tij qëndron lufta e përbashkët, miqësia dhe toleranca.

“Krahas shkathtësive dhe talentit individual, që i përdorin lojtarët në terren, për një fitore nevojitet që prapa tyre të qëndrojë edhe një udhëheqësi e fuqishme, staf teknik dhe tifozë. Të gjithë duhet të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar. Në një lojë ku luhet deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk ka vend për dëshpërim”, tha Erdoğan.

Duke theksuar se futbolli paraqet argëtim dhe shpresë për të rinjtë e mbarë botës, nga shkretëtirat afrikane dhe favelit brazilian, deri te lagjet luksoze në metropole, ai tha se yjet e mëdhenj të futbollit bëhen shembuj për të rinjtë. Gjithashtu shtoi se edhe ai gjatë rinisë së tij ka stërvitur futboll për disa klube.

“Në të gjitha fazat e jetës më ka shërbyer përvoja që ma dha futbolli, e që reflektohet në disiplinë, punë ekipore dhe sjellje shembullore. Jam i bindur se futbolli dhe politika në thelb kanë shumë gjëra të përbashkëta. Sikur edhe në sport, edhe në politikë esenca është në garimin dhe konkurrencën. Njëherë duhet të fitoni në zgjedhje, më pas të merrni përgjegjësi dhe t’i shërbeni popullit. Sikur edhe në futboll, politika po ashtu është lojë ekipore në të cilën duhet kuadër i fuqishëm prej lojtarëve. Sikur edhe një ekip futbolli pa plan dhe strategji në lojë nuk ka gjasa të fitojë trofe, ashtu edhe politikanët dhe partitë nuk kanë gjasa nëse nuk kanë çfarë t’u thonë qytetarëve të tyre. Edhe futbollisti edhe politikani duhet t’ia përkushtojnë jetën kësaj ftese që të arrijnë sukses”, tha presidenti i Turqisë.

Ai më tej theksoi se me paraqitjen e dhunës dhe agresionit, edhe futbolli edhe politika humbin karakteristikat e lojës xhentlemene, pikërisht siç e humbin atë edhe me paraqitjen e gënjeshtrave, intrigave, komploteve dhe tradhtisë. Këtë e krahasoi me fushatën që e konsideroi të ndyrë që zhvillohet para referendumit për ndryshimet kushtetuese që do të mbahet në Turqi më 16 prill, dhe tha se kundërshtarët e reformave dhe vendosjes së pushtetit efikas dhe sistemit presidencial e mashtrojnë opinionin me gënjeshtra klasike.

Duke theksuar se Turqia gjatë 14 viteve të fundit, nga qeverisja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) ka arritur përparim dhe stabilizim të madh, Erdoğan tha se sporti është një nga sektorët që më së shumti është investuar. “Që nga themelimi i Republikës deri në vitin 2002, në Turqi janë ndërtuar 1.575 komplekse sportive, ndërsa ne për 14 vite i shtuam edhe 1.923 komplekse. Në 48 pishinat ekzistuese olimpike, i shtuam 78 të reja. Po ashtu e rritëm edhe numrin e sallave të sportit prej 372 në 825. Shumicën e 277 stadiumeve ekzistuese i rinovuam, ndërsa po ndërtojmë stadiume të reja ndaj të cilave e gjithë bota tregon me gisht. Gjithsej 30 stadiume që i ndërtuam janë margaritarë të sportit dhe artit. Nëntë prej tyre tashmë janë në përdorim, në fazën përfundimtare të ndërtimit janë 15-të, ndërsa për gjashtë stadiume janë kryer fazat projektuese dhe të tenderit. Këto 30 stadiume kanë kapacitet të përgjithshëm prej 720.000 spektatorëve”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se Ankarasë i mungon një stadium i caktuar spektakolar siç e ka Stambolli, dhe theksoi se është bërë një plan që stadium ekzistues “19 Maj” në Ankara të shembet dhe në vend të tij të nndërtohet një i ri i cili do të pranojë deri në 40.000 spektatorë. Edhe përkundër të gjitha investimeve në zhvillimin e infrastrukturës, Erdoğan tha se Turqisë nuk i është dhënë organizimi i Lojërave Olimpike, sepse tek ata që marrin vendime “qarkullojnë valixhe të ndryshme”.

“Unë personalisht jam bindur dhe i kam parë ato intriga që bëhen gjatë zgjedhjes së organizatorëve. Megjithatë, ne vazhdojmë ta zhvillojmë sportin dhe sportistët, ndërsa gjatë 14 viteve të fundit organizuam gjithsej 659 ndeshje ndërkombëtare dhe u dëshmuam si nikoqir. Stambolli, por edhe qytetet tona tjera nga Erzurum deri në Antalia dhe nga Trabzoni deri në Mersin, gjithmonë janë të gatshëm të jenë nikoqir të ndeshjeve më të mëdha ndërkombëtare”, tha Erdoğan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit