3.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Erdogan: Bllokojmë marrëveshjen me BE-në, nëse s’ka liberalizim vizash

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar prerazi të martën vendet evropiane në lidhje me Marrëveshjen e Ripranimit.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar prerazi të martën vendet evropiane në lidhje me Marrëveshjen e Ripranimit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, në mbyllje të Samitit Botëror Humanitar që u mbajt në Stamboll më 23 dhe 24 maj, Presidenti Erdogan reagoi fuqishëm ndaj vonesës së mbështetjes financiare prej 3 miliardë eurosh, që Bashkimi Evropian i ka premtuar Turqisë në lidhje me refugjatët.

“Turqia nuk pret as lëmoshë dhe as favore. Këtë e kam thënë qartë dhe prerazi. Ne presim ndershmëri”, tha ai.

Kreu i shtetit turk kritikoi ashpër BE-në edhe për kriterin në lidhje me ndryshimin e ligjeve antiterror, që i imponohet Ankarasë për liberalizimin e vizave.

“Nëse vendosni ende kritere ndaj Turqisë, atëherë të na falni, por kjo është e tolerueshme deri në një pikë të caktuar. Ndërsa më pas Turqia merr një vendim përfundimtar dhe ju themi ‘tani pasojat mendojini vetë’, por pasi të jetë marrë ky vendim përfundimtar”, u shpreh ai.

Bashkimi Evropian, vijoi Presidenti Erdogan, po na kërkon që të ndryshojmë ligjet antiterror pikërisht në kohën kur Turqia gjendet nën sulmet e organizatave terroriste të të gjitha kaheve; por si vallë mund ta kërkojnë këtë në këmbim të heqjes së vizave?

Erdogan sinjalizoi gjithashtu se Ankaraja do të realizojë takime në nivel ministror me autoritetet e Brukselit për sa i takon kushteve specifike, qo i vendosen Turqisë për lëvizjen e lirë.

“Në rast se nuk marrim rezultatin e dëshiruar nga këto bisedime, atëherë asnjë vendim dhe asnjë ligj në kornizën e Marrëveshjes së Ripranimit nuk do të dalë nga Parlamenti i Republikës së Turqisë. Të mos na vendosin kritere një me dy, këtu është Turqi”, theksoi presidenti.

Më tej, Erdogan e pruri fjalën te standardi i dyfishtë, që Brukseli zbaton për liberalizimin e vizave.

“A kërkohet vizë nga qytetarët e Amerikës Latine? Jo, ata vijnë me lehtësi dhe hyjnë pa vizë në vendet anëtare të BE-së. Atëherë përse vallë kërkoni vizë për qytetarët e Republikës së Turqisë?”, pyeti lideri turk në formë kritike.

Sipas marrëveshjes Turqi-BE të 18 marsit, emigrantët që kanë mbërritur në mënyrë ilegale në Greqi që prej 20 marsit do të duhet të rikthehen në Turqi, nëse nuk duan të aplikojnë për azil apo nëse kërkesat e tyre për azil do të refuzohen. Gjithashtu, për çdo emigrant sirian që do të rikthehet në Turqi, Bashkimi Evropian do të marrë një tjetër sirian që ka bërë një kërkesë legjitime.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit