ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Nexhip Rezak, presidentin e Tunizisë, Baxhi Kaid Sibsi dhe presidentin e Iranit, Hasan Ruhani, në lidhje me planin e SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, njoftuan burime nga presidenca turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve presidenciale, Erdoğan ka vazhduar bisedat telefonike për të diskutuar në lidhje me zhvillimet lidhur me Jerusalemin, ndërsa bisedat telefonike me liderët nga Malajzia, Tunizia dhe Irani janë zhvilluar mëngjesin e sotëm.
Gjatë bisedave, presidenti Erdoğan ka theksuar se përpjekja për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit do të shkaktojë ndërprerje të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, duke shtuar se kusht për paqen dhe stabilitetin në rajon është materializimi i një shteti palestinez me kufijtë e vitit 1997 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Erdoğan ka rikujtuar se vendimi i Izraelit për ta aneksuar Jerusalemin në vitin 1980 ishin refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara.
Ai ka theksuar se Jerusalemi si qytet i shenjtë për muslimanët është çështje maksimalisht delikate për shtetet islame.
Në bisedat telefonike është thënë se çdo përpjekje për ta ndryshuar statusin e Jerusalemit do të përballet me reagim nga bota islame dhe se përpjekjet e tilla do të ndikonin negativisht në paqen dhe stabilitetin.
Presidenti i Turqisë po ashtu ka theksuar se Turqia, si kryetare me rotacion e Organizatës për Bashkëpunim Islam, do të organizojë Samitin e Jashtëzakonshëm Islam në Stamboll më 13 dhjetor.