Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti në një takim Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdogan). Ata ishin në një mendje, për faktin se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë po forcohen në të gjithë lëmenjtë.
Duke falënderuar për mikpritjen, kryeministri i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, foli për rëndësinë dhe nxitjen që do t’ i japë Aeroporti i Prishtinës lëvizjes së qytetarëve, por edhe zhvillimeve të tjera ndërmjet dy vendeve.
“Këshillojmë investitorët turq që të investojnë në Kosovë në të gjithë lëmenjtë. Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më. Ne e ndjejmë për detyrë që të kemi marrëdhënie sa më të mira me Kosovën”, theksoi kryeministri Erdoan.
Ai në vijim foli edhe për rëndësinë që i jep Turqia thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar me të gjitha shtetet e Ballkanit. Kryeministri Erdoan foli gjerësisht edhe mbi angazhimit që ka Turqia, që Kosovën ta njohin sa më shumë shtete, si nga bashkësia e shteteve islamike, ashtu edhe nga shtetet e tjera.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pasi përshëndeti kryeministrin dhe delegacionin që e shoqëronte, vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Parlamentit të Madh të Turqisë dhe Kuvendit të Kosovës. Këtë e tregon edhe fakti i shumë vizitave reciproke të parlamentarëve turq dhe atyre nga Kosova. “Këtë funksion ka edhe kjo vizitë”, thekson njoftimi i dërguar nga Kuvendi kosovar.
Në vijim kryetari Krasniqi vlerësoi arritjet e mëdha që ka Turqia në zhvillimin ekonomik të saj. Turqia vazhdon të jetë prezente në shumë fusha në Kosovë, si: në biznes, arsim, shëndetësi, etj./trt/kohaislame