-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Enver Hasani po e synon postin e Kryeprokurorit të Shtetit?

Më të lexuarat

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani shumë shpejt mund të marrë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Hasanit pritet që edhe pak muaj t’i skadojë mandati në krye të instancës më të lartë gjyqësore në vend, dhe tashmë ai e ka objektivin e qartë se cilin institucion do ta drejtojë.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Prokurorisë së Shtetit. Sipas këtyre burimeve, Enver Hasani i ka gjasat më të mëdha që të vij në krye të organit të akuzës.
 
“Momentalisht problem Hasanit mund t’i paraqes vetëm aspekti ligjor, për faktin se kërkohet që kandidati për kryeprokuror të ketë përvojë në Prokurori, gjë që nuk e ka. Mirëpo, nëse dështon edhe kësaj radhe zgjedhja e Lumezit në krye të Prokurorisë, që ka shumë gjasa të ndodh, atëherë do të ndryshohet legjislacioni për zgjedhjen e kryeprokurorit, duke u thirrur në dështimin për të satën herë për zgjedhjen e drejtuesit të organit të akuzës. Dhe më këtë ndryshim, mund t’i hapet mundësia që për kryeprokuror të kenë të drejtë edhe njerëz që kanë përvojë në lëmin e gjyqësorit, sidomos ata që kanë qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese”, tha ky burim.
 
Sipas këtij burimi, Hasani e ka mbështetjen e shumicës së anëtarëve të KPK-së, dhe të njerëzve të fortë të pushtetit, sidomos të atyre të PDK-së.
 
Gazeta ka provuar që të kontaktoj edhe me kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, përr të mësuar nëse ai do t’ia mësyjë postit të Kryeprokurorit, mirëpo kontakti me këtë të fundit ka qenë i pamundur.
 
Ndërkohë, para disa muajsh, Gjykata Kushtetuese në krye me Enver Hasanin e kishte rrëzuar Aleksandër Lumezin, në garën për kryeprokuror, pas ankesave që i kishin bërë dy kundërkandidatë të tij.
 
Lumezi para disa ditësh sërish i ka marrë votat e anëtarëve të Këshillit Prokurorial si kandidati i vetëm për kryeprokuror.
 
Madje, Lumezi kishte mbetur kandidati i vetëm në garë, pasi pesë të tjerët ishin tërhequr me arsyetimin se procesi ishte i kompromentuar.
 
Mirëpo, çështja duket se do të ngecë sërish, pasi Gjykata Kushtetuese, më datë 25 shkurt të këtij viti, pas zgjedhjes së tij i është drejtuar me një kërkesë të veçantë Këshillit.
 
Këshilli Prokurorial ka vendosur që t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese dëshmitë dhe provat që konsiderohen të rëndësishme për këtë institucion, për të vlerësuar procesin e nominimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
 
Anëtarët e këshillit u mblodhën mesditën e së premtes për të shqyrtuar kërkesën e Kushtetueses për informatat shtesë lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatit.
 
Gjithashtu, Këshilli Prokurorial vendosi që të informojë edhe presidenten lidhur me informatat e dërguara në Gjykatën Kushtetuese.
 
Në anën tjetër, Lumezi në një intervistë për Top Channel, gjatë së cilës thotë se beson shumë tek vendimmarrja e drejtë e presidentes Atifete Jahjaga për dekretimin, si tregues për mirëfunksionimin e sistemit prokurorial.
 
“Unë mendoj se ajo nuk ka të drejtë dhe nuk ka kompetenca të përzihet në kompetencat e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili edhe me Kushtetuten e Kosovës, me nenin 10 paragrafi 2, përcaktohet si institucion i pavarur dhe askush nuk guxon të përzihet. Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të kërkojë të gjitha informacionet sa i përket procesit të parë, ndërsa sa i përket procedurës së dytë mendoj që nëse ata kërkojnë ndonjë informacion pa pasur kërkesë nga ndonjë palë e autorizuar, atëherë i tejkalojnë kompetencat dhe autorizimet e tyre dhe ndërhyjnë drejtpërdrejtë në punën e Këshillit Prokurorial”, deklaron Lumezi.
 
Vendimi që e kishte marrë Gjykata Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, e drejtuar nga Enver Hasani, gjatë kohës sa vendi ishte futur në krizë politike, ku ia njihte vetëm PDK-së të drejtën që ta ketë kryetarin e Kuvendit, kishte bërë që shumë analistë dhe njohës së fushës së kushtetutshmërisë, ta vlerësonin këtë vendim si të anshëm dhe të ndikuar politikisht.
 
Falë këtij vendimi, bëri që Blloku LVAN, të filloj thyerjenë, dhe pas disa muajsh nga ky vendim, LDK e Isa Mustafës përfundimisht largohet nga Blloku dhe hyn në bashkëqeverisje me PDK-në e Hashim Thaçit./Gazeta Blic/kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit