Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk i është përgjigjur të mërkurën ftesës së Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën hetimore. Është thirrur në imunitetin funksional që ia garanton Kushtetuta nga ndjekja penale për vendimet si kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, procesi hetimor kundër tij për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar është pezulluar për një afat të pacaktuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për t’i hapur rrugë procesit hetimor, imunitetin duhet t’ia heqë presidentja Atifete Jahjaga. Por, kërkesën duhet ta bëjë vetë Gjykata Kushtetuese. Kësisoj, ndjekja penale e Hasanit është në dorën e institucionit që drejton ai.
Si pasojë e pezullimit të hetimeve dëshminë nuk e ka dhënë gjyqtari amerikan në Gjykatën Kushtetuese, Robert Carolan.
Carolan është dashur të merret në pyetje para një trupi gjykues në një proces hetimor të veçantë për shkak se ekziston mundësia që të mos mund të dëshmojë në një proces të mundshëm gjyqësor.