0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Emri përtej domethënies?!

Më të lexuarat

Para se të ekzistonte koha… vendi… dhe çdo gjë …

Atëherë ekzistonte vetëm Zoti (xh.sh)… Asgjë tjetër veç Tij. 

Një qetësi dhe madhështi e pafund, një bukuri dhe lartësi e pakufi, që i përkiste vetëm Atij. 

Nuk ekzistonte as bota jonë, as hëna, as dielli dhe as yjet…

Vetëm Drita e Tij…

Kur u krijua e gjithë gjithësia për të cilën sot e kësaj dite nuk kemi njohuri as sa një pikë uji në oqean, Allahu I Lartësuar emërtoi çdo gjë dhe të gjitha i shkruajti në Librin e Tij para të gjithë krijimit tonë. Është një dituri jo vetëm interesante por magjepsëse, të meditojmë dhe të lexojmë se si u krijua kjo gjithësi dhe çdo gjë në te. 

Në një hadith të cilin e transmeton poashtu imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu e shumë të tjerë, Ubade ibnu Samit thotë:”I dërguari i Zotit (s.a.v.s) ka thënë:”Sendi i parë që Zoti (xh.sh) ka krijuar ishte pena. Ai e urdhëroi atë:”Shkruaj!” dhe që nga ai çast, pena shkroi gjithçka që do të sillet në ekzistencë gjer në Ditën e Kiametit.”

Pena shkroi gjithçka që i diktoi Zoti (xh.sh) nga dijet e Tij, gjë e cila gjendet në Leuhi Mahfudh.

Dijetarët myslimanë kanë mendime të ndryshme mbi sendin e parë të krijuar nga Zoti (xh.sh). Shumica e tyre mendojnë se sendi i parë është ai që transmeton Amr ibnul As, i cili thotë: ”Zoti (xh.sh)e ka shkruar fatin e të gjithë krijesave, pesëdhjetë mijë vite para se t’i krijojë. Asokohe, Arshi i Tij ndodhej mbi ujë.”

Pra, duket qartë që Allahu dhul xhelali wel ikram, fillimisht ka krijuar Arshin e tij dhe më pas ka krijuar penën. Pas tyre janë krijuar qiejt dhe toka. Prandaj, kur thuhet që pena është sendi i parë që ka krijuar Zoti (xh.sh), nënkuptojmë që ajo është e para që ka krijuar nga gjërat e kësaj bote.

I referohem në radhë të parë Librit suprem Kuranit Fisnik, ku shfaqet rrënja e çdo diturie, nga e cila sot e kësaj dite vjelin frutat e tij vetëm të diturit dhe ata që kanë prirje për të përceptuar gjërë e gjatë.  Për këtë duhet vetëm të ndajmë p.sh. Suren El Kamer (Hëna) ku shumë bukur thuhet:

“Atë (ngjarje) Ne e lamë për kujtim, po a ka ndokush që merr mësim?” (Sure Kamer, ajeti 15)

“ Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?” (Sure Kamer, ajeti 17)

 “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për të kuptuar, a ka ndokush që merr këshillë?” (Sure Kamer, ajeti 22)

 “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për këshillë, po a ka ndokush që merr mësim?” (Sure Kamer, ajeti 32)

 “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për të studiuar, a ka ndokush që merr përvojë nga ai?” (Sure Kamer, ajeti 40)

 “Ne, ata që ishin si ju i shkatërruam, a ka ndokush që merr mësim?” (Sure Kamer, ajeti 52)

Në të gjithë Kuranin ka këshilla, mësime dhe thesare shumë të çmueshme të cilat nuk munden të paguhen me gjithë pasurinë e kësaj bote, çdo shkronjë është më e vlefshme se çdo diamant më i shtrenjtë që egziston në jetën tonë materiale.

Që nga dita e parë që iu dha shpirti, Ademi (a.s) ishte i ditur. Jo ashtu siç na thuhet sot se njeriu i parë ishte i paditur pastaj filloi të mësojë nga përvoja. Ai mësoi si të ndezë zjarrin, mësoi të folurën etj… Allahu Subhanehu ve teala e krijoi njeriun të ditur dhe jo injorant. Madje, ai ishte më i ditur se vetë melekët, gjë e cila përmendet në shumë ajete dhe hadithe.

“Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Sure El Bekare, ajeti 31)

Kur Zoti  (xh.sh) e kishte deklaruar se do të krijojë një krijesë tjetër në tokë, melekët kishin thënë:”Le të krijojë Zoti (xh.sh) ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”

Zoti (xh.sh) u tregoi se Ademi (a.s)  ishte më i nderuar se melekët, pasi i urdhëroi këta të fundit t’i përulen në formë nderi. Përulja në formë nderimi, lejohej më parë, por tani është e ndaluar. Veç kësaj, u tregoi se Ademi (a.s) ishte edhe më i ditur, pasi dinte emrat e gjithçkaje, cilësi të cilën nuk e kishin melekët.

“O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” (Sure El Bekare, ajeti 33) 

Menjëherë Ademi (a.s) filloi të rendisë emrat e gjithçkaje, pasi Allahu i Lartësuar ia kishte mësuar.

“Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha:“A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Sure El Bekare, ajeti 33)

Ajo që melekët mbajtën të fshehtë është thënia e tyre:”Le të krijojë Zoti (xh.sh) ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”

Siç e shihni, sa më shumë të zhytemi në detajet e historive, aq më shumë lehtësohet të kuptuarit e Kuranit famëlartë. Duke shtjelluar shkaqet e shpalljes së ajeteve, na kthjellohen shumë gjëra që i kishim të mjegullta më parë.

Këtu fillon meditimi im gjatë leximit të Kuranit, emrat e ndryshëm e në veçanti emrat e Profetëve të përmendur në Kuranin Famëlartë, pse u pagëzuan me ato emra?! Duke u bazuar në atë se Allahu azze we xhel i zgjodhi këta emra, me siguri ka domethënie të madhe në to, por cila është a thua ajo domethënie? 

Sipas mësimit islam, emri që mbajmë gjatë jetës është gjithashtu një emër për jetën e përjetshme. Emri është një pjesë e rëndësishme e identitetit të një personi. Në mënyrë që të ruhet forma e emrit musliman, rekomandohet të mos përdorim emra të cilëve aspak nuk ua dimë domethënien, vetëm pse ne mendojmë se tingëllon bukur. Por duhet të ketë një domethënie të bukur. Në çdo religjion apo popull ka cilësitë dhe traditat e tyre andaj nuk është edhe shumë etike të përgëzojmë fëmijët me emra që nuk ua dimë domethënien apo edhe të jenë me dometënie të keqe. Kuptimet e emrave ndikojnë tek njerëzit që thirren prej tyre, dhe anasjelltas, njerëzit ndikojnë në emrat me të cilët thirren. Në Islam, ekziston një rit i tërë i emërtimit pas lindjes së një fëmije, do të ishte shumë e preferuar që secili njeri të lexojë për këto rite për ta kuptuar edhe atë se çka fshihet pas gjithë kësaj teme me rëndësi shumë të madhe në jetën e secilit individ të kësaj bote.

Profeti (s.a.v.s) ka thënë: “Në ditën e Kijametit ju do të thirreni me emrat tuaj dhe me emrat e baballarëve tuaj. Prandaj, të keni kujdes të ngjitni emra të bukur!” (Ebu Davudi). Emrat më të bukur janë 99 emrat e bukur të Allahut xh.sh., duke ua shtuar në fillim fjalën “Abd-“, pra Abdurrahman, Abdurrahim, Abdulkerim, Abdulhalim…Pastaj emrat e Profetëve të Zotit dhul xhelali wel ikram, dhe të grave të tyre besimtare, pastaj emrat e shokëve të Muhammedit( s.a.v.s.) si dhe emrat e njerëzve të tjerë të devotshëm muslimanë. Por nuk është obligim që emri të jetë në gjuhën arabe, mund të jetë një emër edhe i gjuhës amtare të foshnjës me domethënie të bukur, mirëpo si pjesë dhe simbol i kulturës gjithislame preferohet që ky të jetë emër që e përdorin shumica e botës islame.

 Të bëjmë një rrugëtim të shkurtë nëpër botë në lidhje me temën.

Në Europë më parë emrat janë dhënë në bazë të profesionit: Müller (Mullixhiu), Zimmermann (Marangoz) Wolfgang (Ecja e ujkut) etj. Në Suedi emrat janë në të shumtën e rasteve në lidhje me natyrën: Bergman (Njeri malësor), ose edhe shumë shpesh është dhënë shtesa djali i personit Andersohn ( Djali i Andersit), Johnsohn (djali i Jonit). Me kalimin e kohës këta emra janë zëvendësuar me emra nga Bibla apo edhe nga të shenjtit e tyre sipas besimit të tyre.

Në Costa Rica, si dhe në shumë vende të tjera, është e zakonshme të kalosh një emër të njëjtë brenda një familjeje – qoftë në breza, qoftë edhe në të njëjtën brez. Kështu që është mjaft e mundur që tre vajza nga një familje Kosta Rikane të quhen Maria. Kjo nga ana tjetër do të thotë që rëndësia e emrit të mesëm rritet dhe shpesh përdoret së bashku me emrin në jetën e përditshme.

Është e zakonshme në shumë pjesë të botës të kesh shumë emra, përfshirë në Portugali dhe Spanjë. Shumë njerëz atje zakonisht kanë dy emra dhe dy mbiemra (mbiemrat e nënës dhe babait të tyre).

Në pjesë të Nigerisë, fëmijëve u jepen tre emra. Emri i parë është i tij, kjo pjesë e emrit quhet Oruko. Emri i dytë, Oriki, ose “emri i nderit”, pasqyron shpresat që dikush ka tek fëmija. Kjo përfshin emra të tillë si Arik, që do të thotë “luani i Zotit” ose “sundimtari i vetëm”. Emri i tretë, Orile, lidh fëmijën me familjen dhe komunitetin e tyre. Gjatë jetës, fëmijët marrin më shumë emra informalë nga familjet dhe komuniteti.

Emërtimi në Bali është interesant dhe i pazakontë, sepse emri i një fëmije rrjedh nga rendi i lindjes. Të lindurit e parë quhen Wayan, Puh ose Luh, të lindurit e dytë quhen Made, Kadek ose Nengah. Foshnja e tretë quhet Komang ose Nyoman, ndërsa e katërta quhet Ketut. Nëse ka një fëmijë të pestë, loja fillon nga e para. Mbiemrat nuk kërkohen; madje as për dokumente zyrtare. Pra, kjo do të thotë se ka shumë njerëz me të njëjtin emër – një rrëmujë e madhe.

Në Kinë njerëzit si emër të parë duhet të kenë emra brezash, kurse emri i dytë është një emër që kanë të gjithë vëllezërit e motrat në këtë familje. 

Tajlanda ka veçoritë e veta kur bëhet fjalë për emërimin e fëmijëve. Për shkak të një besimi të vjetër se fantazmat rrëmbejnë fëmijët duke përdorur emrin e parë “të vërtetë” ose i dëmtojnë ata në një farë mënyre, fëmijëve tajlandezë shpesh u jepet një pseudonim që përdoret shumë më shpesh sesa emri “i vërtetë”. Miqtë Thai mund të njohin njëri-tjetrin për vite me radhë pa e ditur emrin zyrtar të njëri-tjetrit. Nofka është zakonisht një rrokje e gjatë dhe jo gjithmonë shumë dinjitoze. 

Në Indi ku jetojnë shumë njerëz me religjione të ndryshem dhe budizmi është në kulm, ata fëmijët i pagëzojnë me anë të astrologjisë duke konsultuar astrologët dhe ka lidhje koha, muaji, viti i lindjes, shkojnë aq larg sa edhe ora e lindjes duhet të jetë e përshtatshme. Kjo vështirëson punën nëse bëhet lindja me anë të një operacioni, pasi dëshirojnë orën e saktë të prerjes cesariane shkaku i emrit dhe konstelacionit të yjeve. Tjetra gjë është se në Indi, Sri Lankë dhe vende tjera për të cilat nuk kam të dhëna të shumta, vajzat nuk janë shumë të dëshiruara pasi se për ti martuar është e vështirë dhe një akt shumë i shtrenjtë, andaj ka shumë vajza që quhen Nakusha, emër që te ne tingëllon bukur. Por në realitet është emër i hidhur, në përkthim don të thotë “ e padëshiruara”, gjë e cila tërë jetën e shoqëron vajzën e gjorë sa që mundet edhe të bije në depresion. 

Për të mos u mburrur se jemi më të mirë, kam pasur shumë raste dhe kam dëgjuar edhe emrin Shkurte, karakterizon emra të vajzave Kosovare. Pas një reshershi dhe pyetjeve të direkta, kuptova se ashtu quhet vajza e tretë e katërt, e pestë etj. Kjo vetëm për një arsye shumë të çuditshme, për tu ndalur lindja e vajzave. 

Në Maqedoni ndryshe nga Kosova jeton miti se vajzës së tretë e më tej, ti vihet emri i nënës apo gjyshes dhe ashtu ndalohet lindja e mëtejshme e vajzave, bestytni mbi bestytni. Ndryshe nga djemtë e lindur, atyre u vendohen emrat e prindërve të tyre për nder të baballarëve, gjyshërve etj.

Emërtimi luan një rol të veçantë edhe në botën arabe-folëse. Kjo kthehet në faktin se Profeti Muhamed (s.a.v.s) duhet t’i kishte dhënë një rëndësi të madhe zgjedhjes së emrit. Thënia e tij është në përmbledhjet e haditheve: “Ditën e Gjykimit do të thirreni me emrat tuaj dhe të etërve tuaj. Prandaj zgjidhni emra të mirë. ”Përveç tingullit, është gjithashtu e rëndësishme që emrat të kenë një kuptim të mirë.

Emrat klasikë arabë përbëhen nga deri në pesë pjesë. “Emri i dhënë” ose emri personal, i cili përafërsisht korrespondon me emrin e parë evropian, shpesh zëvendësohet me një mbiemër ose pseudonim tek të rriturit. Emri pasardhës ose emri i nderit përdoret ende sot kryesisht si një përshëndetje për të rriturit. Kjo përbëhet nga Ebu (babai i) ose Umm (nëna e) plus emrin e djalit të parë. Megjithatë, adresimi i të rriturve me emrin e tyre aktual nuk është i zakonshëm. Përkatësia e grupit në vendin e lindjes ose një grup profesional shprehet përfundimisht me emrin e origjinës. Shumë figura historike nuk njihen me emrin e tyre personal, por ose me emrin e tyre të origjinës, pasardhës ose prejardhje.

Andaj sikur edhe në vendet jo arabe apo jo muslimane që përdoret termi i biri, edhe në pjesën arabe është përdorur e njëjta porse shumë njerëzve u duket pak si e pakuptimtë pasi se nuk i dihet prejardhja. 

Egziston edhe një traditë mjaft interesante në Maroko, pasi për vendet tjera arabe nuk e di saktë por nga një bisedë e vëllaut tim në një dasmë ku ishin shumë të pranishëm duke u njoftuar me ta vërejti  se si aq shumë persona quhen Muhammed kur janë shumë të afërm mes vete. Shoku i tij i tregoi se te ata është traditë që secili çift që ka fëmijë djal, njëri prej tyre quhet Muhamed. Andaj çdo çift atje ka një fëmijë me emrin e ndritur e Pejgamberit tonë Muhammedit (s.a.v.s).

Dhe nëse jeni pyetur se cili emër është emri më i përhapur në botë, do tua shuaj kureshtjen pa kërkime: emri Muhammed është në listën e emrave më të përhapur në botë. 

 

Nga tregimet e njerëzve, tash ti referohemi të vërtetës.

 

Gjithmonë gjatë leximit të Kuranit vëmendjen e kemi te emrat që përmenden në te, pasi këtë shkrim e kam bërë plan për shkrim, në muajin e bekuar të Ramazanit, siç quhet në gjuhën arabe Ramadan. Fjala Ramadan në përkthim dmth. Fjala “Ramadhan” rrjedh nga fjala rrënjë “Ra-ma-dha” ose “Ra-ma-dhaa”, e cila përshkruan nxehtësinë, shqetësimin dhe vështirësinë, shumë nxehtë. Ashtu edhe ka qenë ky muaj i bekuar dhe është në vendet e lindjes, por edhe te ne ka qenë viteve të fundit ashtu, andaj edhe shpërblimi është i madh për agjëruesit.

 

Të vazhdojmë me emrat e Profetëve, të përzgjedhurve të Allahut të Lartësuar, pse u quajtën ashtu si quhen? Pse pikërisht ashtu siç quhen edhe kanë qenë të gjitha rrethanat e tyre?

 

  1. Ademi (Adami) a.s. – (arabisht: ‏آدم‎) 

Nga Krijimi i atëhershëm në gjithësi Ademi (a.s.) nuk do të ishte si gjallesat e tjera mbi tokë. Nuk do derdhte gjak si ata. Po nuk do ishte as si engjëjt. Ai ishte ndryshe, ishte një krijesë krejt e re. Ishte krijuar për të vërtetuar logjikën e pafund të Krijimit dhe të Krijuesit.

Zoti (xh.sh.) u shpjegoi engjëjve se si do të krijonte një njeri nga balta, si do t’i jepte atij formën më të bukur dhe si do i frynte pastaj shpirt nga shpirti i Vet. Krijuesi i Madh mori nga Toka një grusht dhe. Ai grusht dhe përmbante brenda çdo ngjyrë, të verdhë, të zezë, të bardhë. Ky ishte sekreti i ngjyrave të ndryshme të njerëzve. Allahu Subhanehu ve teala, nuk i obligoi engjujt që t’i jepnin formë njeriut të parë, por këtë e bëri vetë, me duart e Tij. Shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe, derisa u tha. Pasi u tha, statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës. Në Kuran, herë theksohet se njeriu është krijuar nga balta, herë nga balta e tharë e herë të tjera nga dheu. Në fakt, njeriu është krijuar nga të gjitha këto, por sipas një kronologjie, ku zanafilla ishte dheu, balta, balta e ngjitshme, balta e tharë. 

Që para se t’i jepet i gjithë shpirti, Ademi (a.s)  fitoi mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit (xh.sh).

Kur shpirti i hyri tek sytë, Ademi (a.s) filloi të dallojë frutet e xhenetit. Kur shpirti i vajti tek stomaku, atij i lindi oreksi për të ngrënë dhe u nis të kapë nga frutet e xhenetit. Kjo ndodhte ndërkohë që shpirti nuk i kishte arritur tek këmbët. Duket qartë që Ademi (a.s) kishte një cilësi, e cila nuk do i ndahet gjithë jetës, të nxituarit.

Thotë Zoti (xh.sh) në Kuran lidhur me këtë:“Njeriu është krijuar i nxituar.” (Sure Enbija, ajeti 37)

Pasi shpirti i depërtoi tek çdo pjesë e trupit dhe krijimi i Ademit (a.s) u plotësua, Zoti (xh.sh) e fshiu tek kurrizi, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e tij gjer Ditën e Kiametit. Kjo përmendet si në Kuran, ashtu dhe në hadithet e Profetit (s.a.v.s)

Pra edhe emri Adem e ka domethënien e saktë ashtu siç u krijua, nga dheu, prej dheut, para të cilit engjujt  u urdhëruan të binin në sexhde.

 

  1. Idrisi a.s. – (arabisht: ‏‏إدريس‎) 

Përmendet dy herë në Kuran, është profeti i dytë pas Ademit (a.s). Në Kuran ai përmendet i besueshëm dhe durimtar. Sipas hadithit i cili transmenton Malik ibn Enes i cili gjendet në Sahih Myslim, se Muhammedi (s.a.v.s) e takoi Idrisin (a.s) në qiellin e katërt. Ai ishte biri i Jarim, biri i Mihlail-it, bir i Kinanit, bir i Anushit, bir i Shithit, bir i Ademit (a.s). Shithi ishte gjyshi i pestë i Idrisit (a.s). Idrisi (a.s) kishte lindur ndërkohë që Ademi (a.s) ishte akoma gjallë, duke jetuar me të njëqind e pesëdhjetë vite. Pas vdekjes së Ademit (a.s) dhe më pas të Shithit, Zoti (xh.sh) ia besoi Idrisit (a.s) amanetin e profecisë. Në një hadith thuhet se Idrisi (a.s) është Profeti i parë pas Ademit (a.s) dhe Shithit. Ashtu siç thuhet se Idrisi (a.s) është Profeti i parë që ka shkruar me penë. Atij i atribuohet merita si njeriu i parë që ka shkruar në tokë, ka qenë edhe rrobaqepës.

Emri Idris domethënë: pëkthyes, sipas komentatorëve të Kuranit thojnë se emri Idris është prej fjalës arabe dars që do të thotë udhëzoj. Idrisi (a.s.), që barti të fshehtën e mahnitjes qiellore.

 

  1. Nuhi a.s. Noah- (arabisht: ‏نوح‎‎) 

Nuhu (a.s), ishte biri i Lamis, biri i Motoshalih, biri i Idrisit (a.s). Kështu, Profeti Idris (a.s) është babai i gjyshit të Nuhut (a.s). Siç e kemi thënë, asokohe njerëzit jetonin me qindra vite. Vetë Nuhu (a.s) jetoi më shumë se një mijë vite dhe u dërgua si Profet, kur mes njerëzve u përhap idhujtaria. Në një hadith të Buhariut, Abdullah ibnu Abasi transmeton se Profeti Muhamed (s.a.v.s) ka thënë:”Mes Ademit dhe Nuhut kishin kaluar dhjetë shekuj.” Sigurisht se shumë prej nesh e dinë historinë e këtij Profeti të përmendur në Kuran saqë edhe një sure e plotë ka emrin e tij. Ai thirri 950 vjet me rend popullin e tij për tu kthyer në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe bindjen ndaj Tij. Në fund iu desht të ndërtojë anijen gjigante pa pasur asnjë lloj diturie mbi ndërtimin, pa pasur material. Duhej të mbillte pemët, duhej të pres derisa të rriten dhe pastaj ti presë për të ndërtuar anijen ku pataj barti prej gjithë gjallesave nga një çift dhe u bart me anë të detit për 6 muaj udhëtim në kodrën Xhudij. Histori shumë interesante dhe mallëngjyese e këtij Profeti. Është prej Profetëve më të dalluar në elitën e të pesë Profetëve të përzgjedhur: me emrin Ulul Azm.

Emri Nuh domethënë:  domethënë: ngushëllues, i drejtë, ai që bie paqë, qetësues,me profesion detar dhe zdrukthtar. Nuhu (a.s.), i cili thirri në rrugën e Allahut subnahehu ve teala, pa u lodhur për 950 vite rresht;

 

  1. Hudi a.s. – (arabisht: ‏هود‎‎) 

Një nga fëmijët e Nuhut (a.s), ishte dhe Sam, prej të  cilit rridhnin arabët dhe hebrenjtë. Një ndër pasardhësit ishte Hudi (a.s). Emri i tij ishte Hud (a.s). Shpesh herë, populli i Hudit (a.s), njihen edhe me emrin Ad dhe Irem, për shkak të gjyshërve të tij.  Populli i Hudit (a.s) jetonin në një rajon që njihej me emrin Ahkaf, emër të cilin e ka marrë dhe një nga suret e Kuranit fisnik. Vetë fjala Ahkaf, do të thotë duna rëre. Ahkaf ndodhej në Jemen, mes Omanit dhe Hadramaut, në një vend që shtrihej mbi det dhe që njihej me emrin Shihr.  Kjo popullatë, ndërtimin e shtëpive e kishin kthyer në art. Shtëpitë e tyre nuk ishin aspak të zakonta. Ato ishin shumë të mëdha dhe plot dekoracione.

Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!” (Sure Fexhr, 6-8)

Emri Hud domethënë: ai që do të jetë i lavdëruar, pasi ashtu edhe është, u lavdërua nga Allahu i Lartësuar në Kuran bile edhe me një sure të plotë me emrin e tij. Hudi (a.s.), Profeti i popullit mohues të Adit, vatrat e të cilëve u shkatërruan me anë të furtunave të fuqishme.

 

  1. Salihu a.s. – (arabisht: صالح‎)

Me kalimin e viteve, njerëzit iu kthyen sërish adhurimit të shumë zotave e perëndive. Këtë herë, Zoti (xh.sh) dërgon një Profet tjetër të nderuar, Profetin Salih (a.s). i cili ka jetuar në krahinën El-Hajr, e cila gjendet në rrugën tregtare nga Arabia jugore drejt Sirisë. Qyteti Madain Saleh, që gjendet disa qindra kilometra në veri të Medines në Arabinë e sotme, është quajtur sipas emrit të këtij Profeti. Shpellat ku jetonin njerëzit e asaj kohe mund të shihen edhe sot. Misioni i Salihut (a.s) ishte që t’ua prezentoj mesazhin e Zotit (xh.sh) popullit të tij Themudit. Sipas Kur’anit, populli i Themudit punonte një tokë shumë pjellore dhe shumë shpejt u bënë kryelartë për shkak të pasurisë që fitonin. Si të gjithë historitë e Profetëve edhe kjo e Salihut (a.s)  është një histori e mrekullueshme, për këtë lexoni në Kuranin Famëlartë ku përmendet mbi 26 herë, dhe tregon në hollësira historitë e tyre, nga të cilat përfiton njeriu shumë të mira që askush nuk ka arrit deri sot ti deshifroj, por përfitojnë ata që i lexojnë me vëmendje.

Emri Salih domethënë: i mirë, i drejtë, i sinqertë, i devotshëm, i virtytshëm ashtu edhe ishte në realitet. Salihu (a.s.), Profeti i popullit të pabindur të Themudit, të cilët u shkatërruan me themel me anë të tërmeteve;

 

  1. Ibrahimi (Abrahami) a.s. – (arabisht: ‏إبراهيم‎‎)

Pas vdekjes së Salihut (a.s) dhe me kalimin e viteve, idhujtaria filloi të përhapej sërish mes njerëzve. Shejtani e realizoi premtimin e tij edhe një herë në Palestinë, Gadishullin Arabik, Irak, Egjipt etj. Me këtë rast, Zoti i lartësuar (xh.sh) dërgon një nga Profetët më të shquar, një nga pesë profetët e vendosur, babanë e Profetëve, Ibrahimin (a.s). Emri dhe gjenealogjia e tij ishte Ibrahim biri i Tarih. Nofka e të atit ishte Azer, për shkak se u vinte në ndihmë njerëzve të popullit të tij.

Historia e Ibrahimit (a.s) ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tre vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Profeti dhe rëndësisë së historisë së tij. Por edhe një sure e plotë e mban emrin e këtij Profeti të dashur nga i cili mësuam shumë gjëra me vlerë. Tërë jeta e tij na mëson si ta adhurojmë Allahun e Lartësuar, tregon besimin e sinqertë dhe dashurinë e tij ndaj Allahut të Lartësuar që kishte, sa që edhe fëmijën e vetëm deshi ta sakrifikojë për hir të Tij. Vetë Allahu e quajti me emrin “ Halilullah” – miku i Zotit (xh.sh), pasi në shumë raste ai e vërtetoi këtë pseudonim. Ishte një ndër Profetët që i donte shumë mysafirët dhe shumë dorëdhënë. Transmeton imam Buhariu se Profeti (s.a.v.s)  ka thënë:”Hasbunallahu ve ni’mel vekil (na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë), e ka thënë Ibrahimi a.s para se të hidhej në zjarr.”

Në disa transmetime të pakonfirmuara, thuhet se kur Ibrahimin a.s e hodhën me katapultë, para se të mbërrijë tek zjarri, i erdhi Xhibrili a.s dhe i tha:”O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë?” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Për ty nuk kam nevojë, por për Zotin (xh.sh) kam.” Ibrahimi (a.s), i cili në sajë të dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit (xh.sh), i ktheu në trëndafilishte zjarret e Nemrudit mizor; dhe ashtu përdoren lutjet e tij sot e kësaj dite në rrethana të ndryshme. Leximi i jetës së tij tregon mrekulli nga mrekullitë e Allahut subhanehu ve teala për njerëzit të cilët duan të jetojnë në rrugën e zgjedhur të Islamit, është një shembull i mrekullueshëm i dashurisë dhe bindjes ndaj Allahut dhul xhelal.

Emri Ibrahim domethënë: baba i njerëzimit, baba i  shumë popujve, subhanAllah ashtu edhe ishte saktë. Ibrahimi (a.s.), i cili në sajë të dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit (xh.sh) , i ktheu në trëndafilishte zjarret e Nemrudit mizor.

 

  1. Luti a.s. – (arabisht: ‏لوط‎‎) 

Ngjarjet e historisë së Lutit (a.s), zhvillohen gjatë jetës së profetit Ibrahim (a.s), i cili ishte xhaxhai i Lutit (a.s).  Emri i tij përmendet në Kuran njëzet e shtatë herë, në katërmbëdhjetë sure. Luti (a.s) u dërgua në fshatin Sedom. Ky vendbanim ndodhet pranë detit të vdekur, i cili sot njihet edhe me emrin deti i Lutit. Përveçse ishte një qendër biznesi e fuqishme, ky vendbanim përbënte një stacion pushimi të rëndësishëm për të gjithë udhëtarët dhe karvanët. Banorët e këtij qyteti ishin jobesimtarë të shthurur dhe të degjeneruar, gjë të cilën e kishin kthyer në art, paturpësitë e tyre nuk i kishte vepruar askush gjer atëherë. Ishin të parët që vepronin gjëra kaq të pahijshme dhe të turpshme dhe amorale. Në një hadith, Profeti Muhamed (s.a.v.s) thotë:

“Zoti (xh.sh) e mëshiroftë vëllain tim Lutin. Ai ishte nevojë për mbështetje dhe krah të fuqishëm.” (Buhari dhe Muslim). 

Emri Lut domethënë: udhëtari i Zotit (xh.sh) , udhëtoi nëpër shumë vende gjatë profecisë së tij. Luti (a.s.), Profeti i dëshpëruar i Sodomës dhe Gomorres, i cili e thirri në udhëzim popullin e tij amoral dhe të pabindur deri në momentin e fundit.

 

  1. Ismaili a.s. – (arabisht: ‏إسماعيل‎‎)

Ismaili (a.s.) është biri i parë i Ibrahimit (a.s.), historia e tij konsiderohet e rëndësishme në Islam. Ibrahimi (a.s) i morri Haxherën dhe Ismailin në Mekë, pasi që Zoti (xh.sh) e urdhëroi atë. Në Mekë ai e ndihmoi Ibrahimin (a.s.) në ndërtimin e Qabes. Ismaili (a.s.), i cili është bërë simbol i sinqeritetit, besnikërisë, dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit (xh.sh). Si foshnje u dërgua në Meke së bashku me nënën e tij, Haxheren, prej këmbëve të tij dhe nga lutja e sinqertë e nënës së tij doli uji i bekuar Zemzemi., prej atëherë, sot dhe kësaj dite ne e shijojmë mirësinë dhe bekimin e atij uji. Ishte shumë i ndëgjueshëm, puntor dhe i sinqertë në besimin e tij. Iu nështrua pa asnjë kusht urdhërit të Zotit të tij për tu flijuar. Ndërtoi së bashku me të atin e tij Ibrahimin (a.s.) Meken dhe aty luteshin te dytë me bindje për udhëzimin tonë:

“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di” (Sure El Bekare ajeti 127)

Emri Ismail domethënë: Allahu (xh.sh) dëgjon, ai dëgjoi, ishte shumë i ndëgjueshëm ndaj urdhërave të Allahut dhe ndaj prindërve të tij. Ismaili (a.s.), i cili është bërë simbol i sinqeritetit, besnikërisë, dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit (xh.sh).

  • Is’haku (Azjaku) a.s. – (arabisht: ‏إسحاق‎‎‎)

Është fëmija i dytë i Ibrahimit (a.s.) me gruan e tij të parë Sarën, edhe pse të shtyrë në moshë. Ky fëmijë ishte një dhuratë e shpërblim i Zotit (xh.sh) për besimin, durimin e besnikërinë e Sarës dhe të Ibrahimit (a.s.) i cili nuk la asnjë urdhër të Allahut subhanehu ve teala, pa e plotësuar. Gjatë gjithë jetës së tij, Is’haku (a.s.) pa u lodhur, pa u zmbrapsur e pa pushuar kurrë, shpjegoi fjalën e Zotit (xh.sh) e rrugën e Tij, ftoi njerëzit drejt mirësisë e besimit. Eci i bindur në rrugën e të atit e të vëllait, duke zënë kështu vendin e tij të nderuar në plejadën e Profetëve. Edhe ky tregim gjindet mrekullueshëm si të gjitë tregimet tjera në Kuranin Fisnik:

Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.” (Sure Safat, ajeti 112)

Emri Is’hak domethënë: i buzëqeshur, ai që është i gëzuar, ashtu siç u gëzua dhe buzëqeshi nëna e tij Sara kur mori lajmin se dot ë bëhej nënë në moshë e saj shumë të shtyrë.

  • Jakubi a.s. – (arabisht: ‏يعقوب‎‎)

Ja’kubi (a.s.), i biri i Is’hakut )a.s) dhe nip ii Ibrahimit (a.s.), ishte Profeti i cili duke vdekur i kishte porositur bijtë e tij, të cilën porosi e regjistroi edhe Kur’ani:

E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi, (u thanë) “O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë myslimanë !” (Sure Bekare, ajeti 132). 

Ka qenë i sprovuar me humbjen e djalit Jusufit (a.s) dhe humbjen e syve por nuk e humbi shpresën në Allahun subhanehu ue teala asnjëherë pasi e dinte se të gjitha ishin sfida.

Emri Jakub domethënë: ai që është i lidhur shumë me Allahun subhanehu ve teala. . Profeti i cili u bë simbol i durimit, i djegur nga malli e dashuria për të birin.

  • Jusufi a.s. (Yosef) – (arabisht: ‏يوسف‎‎)

Jusufi (a.s.), i biri i Jakubit (a.s.), nipi i Ishakut (a.s.), stërnipi i Ibrahimit (a.s.), është Profeti për të cilin flet një sure e plotë kuranore, e emëruar sipas tij, surja Jusuf. Për njohësit më të mirë të historisë së Profetëve të mëparshëm të Allahut të Lartësuar, është e njohur se Jusufi (a.s.), në bazë të disa rrethanave (me caktimin e Zotit (xh.sh) nga Palestina arriti në Egjipt, ku më vonë i solli edhe prindërit dhe vëllezërit e tij. 

Jusufi (a.s.) ka jetuar para 3500 vjetëve në kohën e krizës së rëndë ekonomike, Jusufi (a.s.) kërkoi që sunduesi ta vendoste në një pozitë të rëndësishme politike në shtet dhe ajo iu dha. Mirëpo, Jusufi (a.s.) gjatë gjithë kohës së krizës ekonomike agjëroi dhe nga depot mori vetëm aq sa i duhej për të jetuar. 

Jusufi (a.s.) gjithë jetën e tij të vështirë, pusin, tregun e skllevërve, shpifjet e intrigat, burgun, të gjitha këto gjëra ai i kishte përballuar me besim e me durim. Ky tregim është i njohur për secilin njeri që e ka lexuar Kuranin Fisnik, ku edhe Allahu i Lartësuar e fillon me “ tregimin më të bukur” e po ashtu edhe Jusufi (a.s) ishte shumë i bukur. Profeti i cili dallohej për bukuri, për komentimin e  ëndrrave dhe shfrenimin e epshit, dhe abstenimit nga amoraliteti.

Emri Jusuf domethënë: i pikëlluari, vajtuesi. Jusufi (a.s.), i cili pas skllavërisë dhe vuajtjeve të jetës së burgut, u bë mbret i zemrave të pikëlluara. 

  • Ejubi a.s. – (arabisht: ‏أيوب‎‎)  

Ejubi (a.s.) ishte një njeri shumë i mirë e i devotshëm. Allahu subhanehu ve teala i dha atij një provë edhe me pasurinë, edhe me familjen, edhe me shëndetin. Njëherë e një kohë, ai ishte njëri prej më të pasurve të vendit, pastaj nuk i mbeti asgjë. Pa kaluar shumë, humbi edhe familjen e ngeli vetëm. Aq më tepër që një sëmundje shumë e rëndë dhe e pashpresë i kishte mbuluar gjithë trupin dhe ai copëtohej mes dhembjeve. Megjithatë, Profeti Ejub (a.s.) për asnjë moment nuk e humbi durimin, asnjëherë nuk e la mangët adhurimin e lutjet për Zotin (xh.sh), çdo çast falënderoi. Fatkeqësia që i kishte ndodhur ia kishte forcuar edhe më tepër besimin e lidhjen me të Adhuruarin. ilaçi më i mirë për këto është, t’i lutemi Zotit (xh.sh) me durim e përkushtim dhe të plotësojmë gjithmonë urdhrat e këshillat e tij, duke qenë pasues të devotshëm të rrugës së tij. Edhe për këtë Profet ka tregim të bukur në Kuranin Fisnik sa që edhe i dërgohet selam.

Emri Ejub domethënë: ai që pendohet, i persekutuar i cili gjen strehim te Allahu i Lartësuar. Ejubi (a.s.), i cili me meditimin e tij të thellë, durimin ndaj gjitha vështirësive, u bë simboli i durimit;

  • Shuajbi a.s. – (arabisht: ‏شعيب‎‎)

Profeti Shuajb (a.s.) ishte njeri shumë trim. Gjithashtu ishte shumë i mërzitur për njerëzit që megjithë paralajmërimet e tij e me ftesat e kthjellta për në rrugë të drejtë e për shpëtim, vraponin drejt zjarrit të ferrit. Ishte Profet tek banoret e Medjenit (Ithtaret e Ejketit). Ishin njerzit më të këqinj në sjellje dhe besim. Për Shuajbin (a.s.) ishte thënë: Ligjëruesi i Profetëve. I kishte ndaluar nga politeizmi dhe mashtrimi në peshim, por ata kishin refuzuar. Ndëshkimi iu kishte ardhur “Ditën e Hijes”.

Thotë Allahu, subhanehu ve teala,” Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: “O popull im, adhurojeni All-llahun, ju nuk keni Zot tjetër pos Tij, mos matni as mos peshoni mangut,…”.( Sure Hud, ajeti  84). 

Emri Shuajb domethënë: ai që do të shohë Allahun e Lartësuar. Shuajbi (a.s.) oratori i Profetëve, i cili i ngrinte peshë zemrat me oratorinë e tij të jashtëzakonshme pasi e donte Allahun subhanehu ve teala më shumë se çdo gjë.

  • Musa (Moisiu) a.s. – (arabisht: ‏موسى‎‎)

Një ndër historitë më të shquara dhe madhështore që rrëfen Kurani fisnik, është ajo e Profetit Musa (a.s) një nga pesë të dërguarit e vendosur. Historia e këtij Profeti legjendar ceket në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran. Musai (a.s) ishte i përzgjedhur prej Zotit (xh.sh) dhe në shërbim të Tij, larg cytjeve dhe tundimeve të shejtanit. Musai (a.s) ishte biri i Imranit, biri i Kahit, biri i Lavit, biri i Jakubit (a.s), biri i Ibrahimit (a.s.). Natën që u ngjit në qiej, Profeti Muhamed (s.a.v.s) u takua edhe me Musanë (a.s) të cilin e përshkruan: “Musai (a.s) ishte shumë zeshkan dhe i bëshëm…”Lidhur me fuqinë dhe forcën e tij fizike, thuhet se ishte ekuivalente me atë të dhjetë burrave. Gjithashtu, thuhet se Musai (a.s) vuante nga belbëzimi. Këtë fakt e përmend dhe faraoni, i cili u drejtohet këshilltarëve duke stigmatizuar Musanë (a.s):

“Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?” (Sure Zuhruf, ajeti 52)

Megjithatë, kjo e metë nuk e pengoi të zgjidhej si i dërguar i Zotit (xh.sh) dhe Profet, madje të renditet tek pesë të dërguarit e vendosur. Edhe vetë Musai (a.s) e pranon këtë të metë në të folur, ku thotë në një ajet:

“Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur.” (Sure Kasas,ajeti, 34)

Folësi i Allahut Subhanehu ve teala dhe pronari i mrekullisë së shkopit. Nëna e tij e kishte hedhur në det duke qenë foshnje, në mënyrë që të mos e mbyste Faraoni. Allahu i Lartësuar i kishte folur në “Luginën e shenjtë”,ia kishte dhënë Tevratin dhe e kishte dërguar tek faraoni, i cili i kishte robëruar njerzit, saqë iu thoshte: unë jam zoti juaj, por Allahu, subhanehu ve teala, e kishte fundosur në det. 

Thotë Allahu,subhanehu ve teala:” Ne e kemi pas dërguar Musain me argumente e fakte të qarta,”.(Sure Gafir, ajeti 23).

Emri Musa domethënë: fëmij i nxjerrur prej uji, ai që noton ( SubhanAllah). Musai (a.s.), i cili me mrekullinë e shkopit të tij, e mbyti faraonin mendjelehtë në dallgët e Detit të Kuq dhe ashtu siç tregon domethënia e e emrit të tij, ishte edhe fillimi i jetës së tij.

  • Haruni a.s. (Aron)- (arabisht: ‏هارون‎‎)

Haruni (a.s.) .vëllau i Musaut (a.s.). Allahu e kishte nderuar me profeci pas lutjes së Musait (a.s.). Askush nuk ka përfituar nga vëllau më shumë se Haruni (a.s.) prej vëllaut të tij, ai u bë Profet dhe i përmendur në Kuran, andaj edhe ne duhet të lutemi për familjarët tonë, dashamirët dhe gjithë muslimanët, pasi Allahu Subhanehu ve teala i pranon lutjet. Thotë Allahu,Subhanehu ve teala,

” Nga mëshira Jonë i dhamë vëllain e tij Harunin, Pejgamber.”.( Sure Merjem, ajeti  53).

Emri Harun domethënë: i justifikuar, person i çmuar. Haruni (a.s.), i cili e ndihmoi vëllain tij, Profetin e madh, Musain (a.s.), në çdo kohë dhe vend.

  • Dhulkifli a.s. – (arabisht: ذو الكفل‎)

DhulKifli.Ishte profet i Beni Israileve.Thote Allahu,Subhanehu ve teala,

“ِPërkujto Ismailin, Eljesan, Dhelkiflin, që të gjithë prej të zgjedhurve.”.( Sure Sad, ajeti 4 ). 

Emri Dhulkifli domethënë: kujdestar, mbrojtësi, pronar i garancisë. Dhulkifi (a.s.), Profeti i mirë që u zhyt në mëshirën hyjnore

  • Davudi a.s. – (arabisht: ‏داود‎‎) 

Davudi (a.s) kishte një zë shumë të bukur, saqë thuhet se askush tjetër nuk ka gëzuar zë më të bukur si Davudi (a.s.) Sa herë që ulej dhe lexonte nga libri i shenjtë, dëgjohej jehona e maleve që e shoqëronte zërin e Davudit (a.s). Kurse zogjtë i qëndronin sipër duke dëgjuar leximin e Zeburit. “Me të vërtetë, Ne i dhamë Davudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Davudin”. (Sure Sebe, ajeti 10)

Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, por sipas kritereve të imam Buhariut dhe Muslimit, Profeti Muhamed (s.a.v.s) dëgjon një ditë Ebu Musa El-esh’ariun duke lexuar Kuran. Profeti (s.a.v.s)  qëndroi duke e dëgjuar dhe në fund i tha:”Ebu Musait i është dhënë një zë melodioz si ato të Davudit a.s.” Ai njihet si adhuruesi më i madh i Zotit (xh.sh). Kjo ceket në një hadith të saktë të transmetuar nga imam Buhariu dhe Muslimi, ku Profeti (s.a.v.s)  thotë:”Namazi (i natës) më i dashur tek Zoti (xh.sh) është namazi i Davudit a.s. Po ashtu, agjërimi më i dashur tek Zoti (xh.sh) është ai i Davudit. Ai flinte deri në mesnatë, pastaj zgjohej dhe falej gjatë 1/3 së natës dhe sërish kthehej dhe flinte 1/3 e mbetur. Ai agjëronte një ditë dhe hante ditën tjetër. Kur hynte në luftë, nuk dinte të kthejë shpinën.”Një tipar tjetër dallues i Davudit (a.s) ishte mirënjohja. 

Këtë e cek vetë Zoti (xh.sh) në Kuran ku thotë:“O familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” (Sure Sebe ,ajeti 13)

Emri Davud domethënë: shumë fetar, jashtzakonisht i devotshëm, i dashur. Davudi (a.s.), i cili me dhikrin e tij entuziazmonte malet, gurët, madje edhe kafshët e egra të bëjnë tesbih Allahun e Lartësuar.

  • Sulejmani a.s.(Salomom) – (arabisht: ‏سليمان‎‎)

Pas vdekjes së Davudit ( a.s), menjëherë në fron erdhi djali i tij Sulejmani (a.s).

“Sulejmani e trashëgoi Davudin (në misionin e tij profetik)” (Sure Neml, ajeti 16)

Ajo që trashëgoi Sulejmani (a.s) nga babai i tij Davudi (a.s) nuk është pasuria, por dituria dhe profecia. Ai kishte aftësi të kuptojë gjuhën e shpendëve dhe bisedonte me to lirshëm. Zoti (xh.sh) e shndërroi Sulejmanin (a.s) në mbretin më të madh që ka parë historia mbi tokë. Askush para dhe askush pas tij nuk ka gëzuar dhe nuk do të gëzojë pushtet aq të madh. Ai konsiderohet mbreti më i fuqishëm i të gjithë kohërave. Askujt tjetër më parë dhe askujt tjetër pas tij nuk i janë nënshtruar xhindët. Të gjithë xhindët punonin dhe i ishin nënshtruar Sulejmanit (a.s).

“(Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë, si dhe të tjerë të lidhur në pranga.” (Sad, 37-38)

“Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje.” (Sebe, 11)

Nëse Davudit (a.s) i ishte mundësuar përpunimi pa lodhje i hekurit, Sulejmanit (a.s) Zoti (xh.sh) i kishte falur një burim nga i cili buronte bakër i shkrirë. 

Thotë Zoti (xh.sh) në Kuran:”Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë.” (Sure Sebe,ajeti  12)

Emri Sulejman domethënë: paqësor, i urtë. Sulejmani (a.s.), i cili e mbajti jashtë zemrës së tij pasurinë dhe mbretërinë madhështore të kësaj bote.

  • Iljasai a.s. – (arabisht: ‏إلياس‎‎)

Iljasai,(a.s.) Allahu,subhanehu ve teala, e kishte dërguar tek populli i tij në Ba’lebek, në perëndim të Damaskut. 

Thotë Allahu,subhanehu ve teala: “(shpërblyem) Edhe Zekerijanë, Jahjanë, Isain, Ilijasin të gjithë prej të mirëve të përsosur”.(Sure Enam, ajeti 85).

” Edhe Iljasi ishte prej të dërguarve Tanë.”.(Sure Saffat, ajeti 123).

Emri Iljasa domethënë: i përzgjedhuri. Iljasi (a.s.), i cili la emër të mirë ndër njerëz dhe meritoi selamin e Allahut: “Paqja qoftë mbi Iljasin!”

  • Eljesa a.s. – (arabisht: ‏اليسع‎‎)

Thotë Zoti i lartësuar në Kuran lidhur me këtë Profet:

“Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (Sure En’am, ajeti 86)

“Kujtoje edhe Ismailin, Eljesain dhe Dhulkiflin. Të gjithë ata kanë qenë nga besimtarët e zgjedhur e të mirë.” (Sure Sad, ajeti 48)”

Eljesa ishte biri i Adij dhe disa mendojnë se rrjedh nga familja e Harunit. Ashtu siç thuhet se ishte djali i xhaxhait të Iljasit a.s. Përveç faktit se ishte i dërguar i Zotit (xh.sh), dijetarët nuk përmendin ndonjë detaj tjetër nga jeta dhe vepra e tij. 

Emri Eljesa domethënë: ndihmëtar në rrugën e Allahut. Eljesa (a.s.), i cili meritoi grada të larta.

  • Junusi a.s. – (arabisht: ‏يونس‎‎)

Edhe Junusi (a.s.), si të gjithë Profetët, ishte një njeri i zgjedhur i Zotit (xh.sh) . Në një vend të quajtur Ninova, ditë e natë, ai këshillonte popullin e tij, duke i ftuar në rrugë të drejtë. Kur e pa se askush nuk po udhëzohet u largua prej popullit të tij, dhe hipi në një anije. Prej aty duhej të hudhej në det ku e gëlltiti balena, është tregim tepër bukur i njohur në Islam. Tri botë të errëta që mbështillnin njëra-tjetrën. Nisi t’i lutej Zotit (xh.sh) . Zotit që kishte nën urdhra edhe peshkun, edhe detin, edhe natën… Lotët i rridhnin rrëke. Në mes të errësirës, zemra e gjuha e tij kishin vetëm një drejtim. T’i shprehte Zotit (xh.sh) pendimin e t’i kërkonte falje. Në errësirën e barkut të balenës, jehonte zëri i Junusit. Thotë Profeti Muhamed (s.a.v.s) në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Nesai, Tirmidhiu dhe të tjerë:”Lutja e Dhununit (Junusit) në barkun e balenës ishte:

” S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Sure El enbija, ajeti 87)

Nuk ka besimtar që e lut Zotin (xh.sh) me këtë lutje, veçse Ai do ia pranojë lutjen. Kjo lutje ka efekt të menjëhershëm, sidomos në zgjidhjen e halleve dhe largimin e fatkeqësive.

Emri Junus domethënë: i favorshëm, dhembshur. Junusi (a.s.), i cili kapërceu errësirat duke u thelluar në të vërtetën e duasë dhe dhikrit me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

  • Zekerija a.s. – (arabisht: ‏زكريا‎‎

Gjaku i Zekerijas rridhte nga Profeti Davud,(a.s) që andej te Profeti Ibrahim,(a.s). Ishte një nga hallkat e fundit të zinxhirit të Profetëve të dërguar te Izraelitët. Në faltoren e Jerusalemit ai predikonte pa pushim dhe ftonte njerëzit në rrugën e Zotit duke u shpallur e shpjeguar të vërtetën. Ai ishte një Profet i madh, të cilit Zoti i kishte dhënë shumë dituri e urtësi. Ai bëri edukimin, mësimin dhe mbrojtjen e Merjemit. Kur Merjemi u rrit e arriti pjekurinë, Zekerija (a.s) i përgatiti asaj një dhomë të veçantë në faltore, të cilën e quajtën mihrab. Malli e dëshira për një fëmijë po ia digjte zemrën. Zekerija vazhdoi lutjen. Me zë të ulët e me lutjet më të thella të shpirtit, Zekerija po i lutej Zotit (xh.sh) për një fëmijë, që të trashëgonte prej tij profetësinë, diturinë, urtësinë e lartësinë. Aq më tepër që ai e dinte se pa një udhërrëfyes, populli i tij menjëherë do t’i hynte rrugëve të shtrembra. Dhe Zoti (xh.sh) e pranoi lutjen e Zekerijas. Atë çast, engjëjt i folën atij kështu:

“O Zekerija! Sihariq për ty! Do të bëhesh me një djalë, që do e ketë emrin Jahja! Asnjë njeri më përpara nuk është quajtur kështu!” ( Sure Merjem, ajeti 7)

Emri Zekerija domethënë: Allahu më kujton mua, Allahu mendon për mua. Zekerijja (a.s.), Profeti dëshmor që vuajti shumë prej popullit të tij.

  • Jahja a.s. – (arabisht: ‏يحيى‎‎)

Jahja (a.s) siç theksuam më lartë ishte biri i vetëm i Zekerijasë (a.s). Ndërsa moshatarët e vet e shpenzonin rininë e bukurinë e moshës me vese të këqija e me dëfrime pa vlerë, ai ruante me devotshmëri ndershmërinë e pastërtinë e karakterit të tij. Që në moshë shumë të vogël ai ishte tepër i dhënë pas të mësuarit e pas dijes. Kur u rrit e arriti pjekurinë, Zoti (xh.sh) i tha;

 “Shtrëngoje Librin me gjithë fuqinë, o Jahja!”, (Sure Merjem, ajeti 12)

Pastaj i mësoi atij shumë gjëra, dhe e pa të denjë për një shpirt të madh, të mrekullueshëm, plot me dashuri. Profetin Jahja (a.s.) e ndrynë pikërisht në një prej qelive të kalasë së Makirusit, ku mbi shkëmbinjtë e thepisur nuk shihej veç Deti i Vdekur, e ndonjëherë, tej në horizont, vargmalet e largëta e të mjegullta. Për të parandaluar zemërimin e njerëzve që e donin aq shumë, lejuan që të vizitohej në qeli nga nxënësit e të afërmit. Pas nje mosmarrëveshje, histori shumë prekëse, mbi gurët e kalasë se Makirusit, rridhte gjaku i një të pafajshmi, i një Profeti i cili u masakrua nga mbreti i asaj kohe për çështje amorale dhe të ulta. Ndërsa shpirti i Jahjas (a.s.) drejtohej drejt të Lartësuarit, historia shënonte një tjetër krim të Izraelitëve. Ashtu sikur kishin vepruar me të atin, Zekerijan (a.s), duke e vrarë pa asnjë faj, ashtu vepruan edhe me të birin, duke e lënë sërish njerëzimin pa udhëheqësin e kohës, Profetin, udhërrëfyesin e vet.

Emri Jahja domethënë: rilindës, i mëshirshëm, ringjallës. Jahja (a.s.), i cili e priti vdekjen si dëshmor, njësoj si babai i tij Zekerijja (a.s.);

  • Isa (Jezusi) a.s. – (arabisht: ‏عيسى‎‎)

Ndërkohë që dy Profetët Zekeria dhe Jahja (a.s) u vranë, jetonte një Profet i tretë, i cili sapo ishte dërguar si i tillë, Profeti Isa (a.s). Kur u vranë ata dy, Isa (a.s) sapo i kishte kaluar të tridhjetat. Ai njihet ndryshe dhe me emrin Mesi. Këtë ai e mori për shkak të udhëtimeve të shumta. Ai nuk kishte shtëpi dhe vend të tijin. Gjithashtu, thuhet se u quajt Mesi, për shkak se kur lindi, nëna e tij e lyu me vaj. Lidhur me lindjen e tij, lexone Suren Merjem të Kuranit Fisnik.

Ajo jetonte në lindje të Jerusalemit, larg syve të njerëzve. Ajo nuk lejonte askënd ta vizitojë dhe nuk vizitonte askënd. Të afërmit ia dërgonin ushqimin pranë derës dhe ajo e merrte më pas, ashtu siç merrte furnizim edhe nga vetë Zoti. (xh.sh).  Vetëm Zekeria (a.s) kishte të drejtë ta vizitojë. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, asaj i shfaqet Xhibrili (a.s) në dhomën ku ishte izoluar dhe adhuronte Zotin (xh.sh) dhe i dha lajmin se do të ketë një fëmijë.

Merjemja a.s vazhdoi e mbyllur në faltoren e saj, larg syve të njerëzve, derisa filloi të ndjejë se ka ardhur koha të lindë. Atëherë ajo doli nga faltorja dhe eci një distancë të konsiderueshme, derisa mbërriti në Betlehem.

“…u tërhoq me të në një vend të largët.” (Sure Merjem, ajeti 22)

Isai (a.s) u rrit në Betlehem dhe që i ri shquhej për dije dhe urtësi. Për herë të parë, ai foli kur ishte i porsalindur, pastaj do të heshtë. Vetëm pasi të mbushë moshën e përshtatshme, ai do të fillojë të flasë sërish.

Me kalimin e viteve, Benu Israilët filluan ta shohin me dyshim Isain (a.s). Shumë prej tyre filluan të përhapin fjalë se shkatërrimi i Benu Israilëve do të vijë pikërisht nga duart e këtij djaloshi. Isai (a.s) nuk u obligua me misionin e profecisë veçse pasi mbushi tridhjetë vitet. Në këtë moshë, Zoti i lartësuar i shpalli Ungjillin dhe e zgjodhi Profet. Atëherë ai filloi t’i ftojë njerëzit në adhurimin e një Zoti të vetëm derisa i bënë kurthin për ta vrarë në moshën 33 vjeçare. 

Isai (a.s) është ngritur nga Allahu Subhanehu ve teala në qiell, pas zbritjes së sofrës  dhe pas tradhtisë që iu bë në atë kohë. Ai nuk ka vdekur, por jeton i gjallë në qiell. Ai do të vdesë pas zbritjes në kohën e Dexhallit. Do të jenë myslimanët ata që do i falin xhenazen dhe do e varrosin, do të jetojë edhe 40 vite pas zbritjes. 

“Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Sure Merjem, ajeti 33)

Ditën kur të gjithë njerëzit do të ringjallen, Zoti i lartësuar do i kërkojë Isait (a.s) sqarim mbi faktin që njerëzit e konsideronin atë si bir të Zotit.

Emri Isa domethënë: shumë i drejtë, ndihmës në rrugën e Allahut. Isai (a.s.), i cili shëronte të sëmurët dhe ngjallte të vdekurit me lejen e Allahut Subhanehu ve teala, u lind pa baba.

  • Muhammedi s.a.v.s. – (arabisht: ‏محمد‎‎)

Të flasësh apo të shkruash për Profetin Muhammed (s.a.v.s) vulën e Profecisë, është një sfidë shumë e madhe për secilin prej nesh, ashtu edhe për mua. Duke u bazuar në shkrimet e shumta shpresoj që secili musliman së paku një libër të ketë lexuar, mos më shumë, për jetën dhe veprimtarinë e tij, pasi nuk ka asnjë njeri që ka jetuar deri në ditën e sotme për të cilin është shkruar, treguar, dhe hulumtuar më shumë se sa jeta e Profetit Muhammed (s.a.v.s) nga çdo popull i mundshëm botëror. Është ndër Profetët e përzgjedhur: “Ulul Azmi, ku janë: Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhamedi (s.a.v.s). Ulu’l Azmi quhen Profetët më të shquar në historinë e njerëzimit, të cilët janë përzgjedhur nga vetë Allahu Subhanehu ve teala. Ata quhen profetët e vendosshmërisë së lartë. 

Profeti Muhamed (s.a.v.s)  u lind të hënën me 20 Prill 571 në Mekë të Arabisë. Familja Hashimite së cilës i përkiste, ishte një degë e fisit fisnik e të fuqishëm Kurejsh. Babai i tij Abdullahu ishte një tregtar dhe vdiq përpara se ai të lindte. Nëna Emine jetoi derisa ai u bë gjashtë vjeç. Muhamedi (s.a.v.s) jetim u mor nën mbikëqyrje, së pari nga gjyshi Abdumuttalib, për dy vjet dhe më vonë nga xhaxhai Ebu Talibi sipas amanetit të gjyshit.

Profeti i fundit ishte fryti i lutjes së Profetit Ibrahim (a.s), i lajmeve të mira të Isait (a.s.) dhe i ëndrrës së nënës së tij Emine. Pasi ndërtoi Qaben, Profeti Ibrahim (a.s.) iu lut kështu Allahut:

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t’ua lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësisë dhe idhujtarisë) ata. S’ka dyshim, Ti je Ngadhënjyesi, i Dituri.” (Sure Bekare , ajeti 129) 

Isai (a.s.) u foli atyre që ishin pranë tij rreth Profetit që do ta pasonte,  të quajtur “Ahmed.” Nëna e Muhamedit (s.a.v.s), Emine, pa një ëndërr në të cilën asaj iu tha: “Ti mban në mitrën tënde udhëheqësin e njerëzve” dhe kur ai lindi ajo tha: “Unë ia lashë nën mbrojtje Të Vetmit (Allahut) për ta ruajtur nga e keqja e çdo lakmitari”; dhe pastaj ia vuri emrin Muhamed.”

 

Lindja e Profetit qe një shenjë e pranimit të asaj lutjeje, manifestimit të atyre lajmeve të gëzuara dhe realizimit të asaj ëndrre. Ai ishte lidhja e fundit e tokës me qiellin. Ai hapi një dritare drite drejt qiellit për njerëzimin e mbytur në errësirë.

Sinqeriteti i tij mund të konfirmohet duke medituar mbi strukturën e thirrjes së tij, që ai e solli dhe duke matur ndikimin e madh që ai bëri në histori dhe në shpirtrat e qindra miliona njerëzve.

Kur ai u bë 13 vjeç, filloi të punonte duke e ndihmuar xhaxhain e tij në tregti. Ai u mor me tregti për shumë vite dhe u bë i njohur për ndershmërinë dhe virtytet e tij. Kur u bë 25 vjeç u martua me Hatixhen. Ajo ishte 40 vjeç në atë kohë dhe në propozimin e saj për martesë në radhë të parë ndikoi reputacioni i tij si “Emin” (i besueshmi, i ndershmi). Kur ishte 35 vjeç ai luajti rolin e gjyqtarit në Qabe; pati një mosmarrëveshje kur erdhi puna për të vendosur Gurin e Zi në vendin e duhur pasi secili fis pretendonte se u takonte atyre nderi i kryerjes së kësaj pune. Profeti e vendosi gurin mbi një çarçaf dhe i tha secilit prej kryetarëve të fiseve të kapte nga një cep të tij duke shmangur kështu një konflikt të mundshëm midis fiseve. Kur mbushi 40 vjeç, në vitin 610 gjatë muajit të Ramazanit, kryeëngjëlli Xhebrail erdhi tek ai dhe periudha e shpalljes filloi. Shpallja e parë qe ajeti që nis kështu:

“Lexo në emër të Zotit tënd i Cili krijoi…”. (Sure Alak, ajeti, 1)

Kështu Allahu i Madhëruar ia caktoi detyrën e profecisë Muhamedit (s.a.v.s).

Detajet nga jeta e Muhammedit (s.a.v.s) janë ruajtur kujdesshëm, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt i studimeve të historianëve – edhe të atyre nga Lindja edhe e atyre nga Perëndimi. Në kundërshtim me njerëzit dhe udhëheqësit tjerë, të cilët lavdinë e tyre e kanë arritur në sfera të kufizuara të aktivitetit, sukseset dhe të arriturat e Muhammedit (s.a.v.s) shtrihen në çdo sferë të jetës.

Krijuesi i gjithëfuqishëm u ka treguar njerëzve se feja është thesar i tillë, që nuk fitohet dhe nuk përjetohet lehtë. Muhammedi (s.a.v.s) që në fëmijëri e shijoi fatin e jetimit – humbjen e prindërve, pastaj me radhë edhe humbjen e farefisit të afërm – bashkëshortes Hadixhe dhe të gjithë fëmijëve, përveç Fatimesë, e cila gjysmë viti pas tij u shpërngul në ahiret duke mos mundur të ngadhënjejë dëshpërimin e pafund për babanë. Ndërsa pas pranimit të Shpalljes – gjatë 23 viteve të ardhshme, Pejgamberi (s.a.v.s) u ballafaqua me të gjitha fatkeqësitë e kohës dhe botës së atëhershme shkretinore. 

Është vështirë të haset në histori një shembull i tillë i ekuilibrit jetësor sikurse është rasti me Pejgamberin e Islamit. Pejgamberi (s.a.v.s) ka qenë thellë i vetëdijshëm për këtë të vërtetë. 

Është e pamundur të mos pajtohesh dhe të mos mbetesh i magjepsur para madhështisë së Pejgamberit a.s … Nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj kaptinave, të cilat flasin mbi atë si bartës i moralit dhe karakterit të përkryer, si njeri, baba, bashkëshort mësues, edukator, shtetas, diplomat, burrështetas, mik, dhe çka jo nga veçoritë dhe virtytet njerëzore. “Jam dërguar që të përkryej moralin njerëzor”, nuk janë vetëm fjalë, por edhe praktikë e përditshme e Muhammedit (s.a.v.s). Gjithashtu hadithi tjetër: “Jam dërguar si mësues” nuk janë vetëm frazë, por edhe realizim e mësuesisë në çdo të mirë njerëzore dhe fisnike.

Me sa u tha më lartë kuptojmë që kur është fjala për të zgjedhurit e All-llahut (xh. sh.) kemi të bëjmë me njerëz të cilët kanë poseduar veti mbi-mesatare, të cilat i kanë bërë të përkryer në formën njerëzore dhe se vetëm ata kanë mundur të jenë të zgjedhurit për detyrën që u është besuar nga Krijuesi i gjithësisë. Asnjë pejgamber i Zotit (xh.sh) nuk e ka fituar detyrën e vet deri sa nuk ka flijuar pjesën më të mirë të jetës për luftë dhe përpjekje që ta përgatitë veten për këtë. Gjithsesi secili Profet për myslimanët paraqet shembullin e përkryershmërisë njerëzore, pra edhe vetë Muhammedi (s.a.v.s) paraqet si shembullin e përsosmërisë njerëzore, po ashtu edhe të asaj profetike dhe se në të dyja drejtimet ri-prezanton mishërimin kuranor të të dyja dimensioneve.

Prandaj nuk është e rastësishme që Kurani e merr për shembull më të mirë në çdo pikëpamje: “Ju keni shembullin më të mirë në Pejgamberin e All-llahut.” (Sure Ahzab, ajeti, 21). Ky imperativ i është drejtuar mbarë njerëzimit, veçmas myslimanëve. Sikur Muhammedi (s.a.v.s) të vendoste të jetonte si melek (engjëll) duke mospërfillur çdo gjë të këndshme, ky imperativ do të mbetej shkronjë e vdekur. Ai, pra, nuk është melek (engjëll), por njeri dhe njerëzve për pejgamber u dërgohen qeniet njerëzore. (Sure Hud, ajeti 31).

A na brengos edhe ne fakti që në shumë çështje nuk jemi duke e ndjekur Profetin (s.a.v.s)? Si duket ne myslimanët ende nuk e kemi kuptuar si dhe sa duhet imperativin e parë të Allahut (xh.sh) të shpallur në Kuran, i cili urdhëron: ‘IKRE’ – Lexo, mëso. Fatkeqësisht, këtë imperativ kuranor nuk e kemi marrë me seriozitetin e duhur. Nuk e kemi kuptuar domethënien e tij, ashtu si e ka bërë vetë Muhammedi  (s.a.v.s).

Nuk ka besim pa përpjekje, pa angazhim, pa investim të fuqisë, pa hulumtim. Nëse dëshirojmë të gjejmë mënyrën më të mirë të mësim-besimit si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë, por edhe mbi përgatitjen e nënës për punë islame me fëmijët, të pyesim si e ka bërë këtë Pejgamberi (s.a.v.s). Ai ka lënë jo vetëm përmbajtje por edhe metodat e punës, prandaj dhe Allahu, Subhanehu ve teala,  për të thotë: 

“Ti, vërtet, je në shkallën më të lartë të moralit”. (Sure El-Kalem, ajeti 4).

Ai personalisht për vete nuk ka kërkuar asgjë, nuk lejoi t’i tregohej ndonjë formë e posaçme respekti. Nuk lejoi respektimin formal të përcjellë me gjeste të jashtme duke thënë se ai nuk është mbreti romak as perandori persian.

Periudha në të cilën jetoi Profeti (s.a.v.s) njihet si Shekulli i Lumtur dhe Epoka e Bekuar. Gjatë kësaj Epoke të Bekuar, ndjekësit e Profetit u quajtën sahabe. Ata kryesisht përbëheshin në shumicën dërrmuese nga Emigrantët (Muhaxhirët) dhe Ensarët. Ky brez ishte i përbërë nga njerëz të cilët ishin të palëkundur në besimin e tyre, të mençur, të sjellshëm, mjaft të aftë, punëtorë, të durueshëm dhe të shkathët, ndaj ata u bënë shembull për brezat e ardhshëm.

Emri Muhammed domethënë: shumë i lavdëruar, i denjë për lavdërim.

“Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhëri e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab: 56)

 

Për fund e di se sigurisht ka gabime në shkrim, ka gabime edhe në renditje atë nuk e mohoj pasi gjuhën shqipe e përdor si gjuhë të dytë, ndër të tjerat, dhe nuk mundet të jetë perfekt shkrimi im në aspektin gjuhësor, por qëllimi im ishte në radhë të parë të bëj diçka për të arritur kënaqësinë e Krijuesit Tim dhe ta kem për ditën e llogarisë edhe pse vepër e vogël, shpresoj të më peshojë shumë në atë ditë ku do të jemi shumë të nevojshëm për ndihmë.

Gjithashtu të vetëdijësohemi në emërtimin e fëmijëve. Duke e ditur se ata do të jetojnë me ato emra tërë jetën, nuk ka kuptim tu vihen emra pa kuptim, mos për diçka tjetër atëherë së paku për tua dëshiruar të mirën me një emërtim të bukur dhe domethënës. Në mbarë botën në bazë të emrit bëhen dallimet vendore, religjioze etj. Përveçse te ne, ku nuk i dihet as ardhja as prejardhja e emrave, kur pyeten njerëzit çka don të thotë emri thotë: po tingëllon bukur!?

Nuk dëshiroj të mar shembuj, se nuk është kompetenca ime dhe do të duhej shumë të zgjerohemi në temën e emrave. Por të lexojmë një shkrim pak më ndryshe nga që jemi mësuar për ta lexuar, të largohemi  për disa minuta nga shkrimet apo fotot e zbukuruara me photoshop dhe fotot gjithmonë të buzëqeshura të FB, në një kohë magjepsëse… 

Në kohën kur filloi Krijimi i kësaj gjithësie aq të madhe, të gjërë, të përsosur me çdo gjë të nevojshme dhe të bukur, i krijuar nga Krijuesi ynë më i Bukur, kur nuk egzistonte koha…kur nuk egzsitonte njeriu… kur nuk egzistonte asgjë, përveç Atij i Lartësuar dhe i Madhëruar qoftë Ai (dhul xhelali vel ikram).

Lus Allahun e Madhëruar ta pranoj këtë shkrim dhe përmbledhje, të mi falë gabimet dhe lëshimet, por ta zbukuron, rrit dhe shumëfishon qëllimin  dhe shpërblimin, pasi vetëm Ai shpërblen pa masë edhe nëse nuk e meritojmë. 

 

Pëmbledhje nga: Suzana Hasani

Literatura e përdorur:

Kurani Fisnik – Sherif Ahmeti

Pejgamberët dhe Shpalljet – Besimi në dritën e Kur’anit dhe Sunnetit

Sira e Profetit Muhammed 

Vargu i Profetëve I dhe II 

Ali, Hassan oder Zahra? Arabische Vornamen und Ihre Bedeutung

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit