O Zot!
Me Ty strehohem, e kush strehon veç Teje,
Strehoje të dobëtin që kërkon mbrojtjen Tënde,
Jam i dobët dhe kërkoj ndihmë nga i Fuqishmi,
Të më forcosh të imunizohem prej mëkatit tim,
O Ti që i percepton vështrimet, teksa ato nuk dinë,
Për Ty dhe perceptimit Tënd, thelbin se si qëndron,
Njeriu posedon sy, që kanë një cak, një diapazon,
Tek sa Syrin Tënd të përsosur, caku nuk e kufizon,
Syri im nuk arrin të të shoh, porse mua,
Çdo gjë rreth e rrotull për Ty më tregon,
O mbirësi i luleve që aromë të këndshme lëshojnë,
Kjo aromë në fakt, shumë mbi Ty reflekton,
O rrjedhësi i lumenjve më njomësinë ëmbëltuese,
Asnjë ditë s’e ka çuar dëm kush të lut dhe të shpreson,
O Zoti im, e ke shpëtuar atë që epshin e vet e ka robëruar,
Dhe tërë zemrën e tij kënaqësisë tënde ia ka dedikuar,
Kam braktisur dhe harruar dynjanë dhe pasionin për të,
Gjithë konfidencën tek fjalët që t’i drejtoj Ty e kam gjetur,
Dashurinë time e harrova dhe nga të dashurit e mi u izolova,
Edhe veten e harrova, i frikësuar mos të të harroja,
Unë -o Zoti im- isha skllavi i guaskës sime,
Që ma dyllosi zemrën dhe më bëri mos të të kujtoja,
E sot, ja ku jam, kam dalë nga guaska e harresës,
Me zemër të kthjelluar, tek Ti vështrimin e kam fokusuar.
Ebu Hurejra [r.a] transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një, kush i rendit ato (i mëson përmendësh dhe punon me to), hyn në Xhenet”[1].
Në disa transmetime ka ardhur si shtesë edhe renditja e këtyre emrave të përsosur: “Ai është Allahu që veç Tij nuk ka hyjni, Mëshiruesi, Mëshirëbërësi…”, deri në fund të hadithit në të cilin renditen nëntëdhjetë e nëntë emrat e Allahut lavdiplotë.
Kjo shtesë hadithi ka ardhur vetëm nga imam Tirmidhiu, por ka ardhur me një rrugë tjetër edhe tek Ibn Maxhe. Gjithsesi, të gjithë verifikuesit e (rrugëve të transmetimit të) hadithit dhe dijetarët janë të një mendimi, se e vërteta është, që kjo shtesë nuk është thënë nga Profeti (a.s).
Pozicionimi ku na fton të pozicionohemi hadithi madhështor që cekëm më sipër është:
Së pari: Emrat e Allahut lavdiplotë janë të shumtë, madje puna me to qëndron ashtu siç ka thënë Allahu lavdiplotë: “Thuaj: ‘Sikur deti të ishte ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterrej, para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (det)’”[2] dhe ka thënë: “Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë penë dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (që të shërbenin si bojë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shteroheshin detet, do të konsumoheshin penët, por jo mrekullitë e Zotit). Allahu është ngadhënjyes i urtë”[3].
Allahu lavdiplotë posedon prej kuptimeve të falënderimit, lëvdimit, kompletimit, madhështisë, fuqisë, aftësisë dhe pushtetit, aq sa njeriu nuk është i aftë ta rendisë dhe as arsyeja e tij nuk është e aftë ta kapë. Asnjë perceptim nuk mund ta përfshijë Qenien hyjnore të Allahut. Ky hadith nuk presupozon kufizimin e emrave të përsosur në nëntëdhjetë e nëntë. Përkundrazi, në një hadith të saktë transmetohet nga Ibn Mes’udi [r.a], se Profeti (a.s) teksa po i fliste dhe po e luste Zotin e tij lavdiplotë, ka thënë: “Të lus Ty me çdo emër Tëndin, me të cilin ke emërtuar Veten Tënde, ose që e ke zbritur në Librin Tënd (Kuran), ose që ia ke mësuar ndokujt prej krijesave të Tua, ose që e ke rezervuar në diturinë Tënde të fshehtë…”.
Në hadithin e shefatit (ndërhyrjes së tij ekskluzive që të fillojë gjykimi) thuhet, se Profeti (a.s) bie në sexhde poshtë Arshit dhe Allahu i mundëson atij ta falënderojë me falënderime e lëvdata, të cilat Allahu ia mëson atij me këtë rast dhe që nuk i dinte më parë.
E pra Zoti ynë lavdiplotë posedon emra, me të cilat Ai e ka emërtuar Veten e Tij, prej të cilëve disa i ka zbritur në Librin e Tij, sikurse emrat e përsosur të Allahut prezente në Kuran, të cilat disa prej studiuesve i kanë renditur se janë tetëdhjetë e një emra; dhe ka prej emrave të Tij të përsosur emër të cilin Allahu ia ka mësuar disa prej krijesave të Tij prej profetëve dhe të dërguarve, ose engjëjve të afërt, ose atij që ka dashur Allahu lavdiplotë.
Ka edhe emra të Allahut lavdiplotë, të cilët Allahu i ka rezervuar në diturinë e fshehtë të Tij dhe askush nuk i di.
Kjo ka të bëjë me faktin, se Allahu i Lartësuar posedon prej kuptimeve të madhështisë, domethënie të tilla që krijesat nuk mund t’i konceptojnë, pasi Ai është hyjnia i vërtetë, i qartë, poseduesi i bukurisë absolute, kompletimit absolut, madhështisë absolute, aftësisë së plotë. Allahu i lartësuar posedon emra dhe atribute, të cilat i di dhe i kupton vetëm Ai vetë, lavdiplotë dhe i lartmadhëruar është Ai.
Nëntëdhjetë e nëntë emrat në fjalë kanë specifika të veçanta, prej të cilave përmendim se kush i rendit (i mëson përmendësh dhe punon me to) hyn në Xhenet, ashtu siç ka thënë i vërteti i besueshëm, Profeti [a.s].
Së dyti: Emrat e Allahut lavdiplotë janë teukifije (nuk mund të ndërhyhet në çështjen e tyre), dhe asnjërit prej njerëzve nuk i lejohet të shpikë ndonjë emër për Allahun e Lartësuar. Ndërkaq njerëzit mund të flasin rreth Zotit të tyre dhe të shprehin një larmi lavdërimesh, falënderimesh, lëvdatash dhe mirënjohjeje. Ky është një kapitull i gjerë, mbi të cilin kanë folur dijetarët, novatorët, letrarët dhe poetët. Madje ka ndodhur që një malësor, një fshatar i thjeshtë dhe pa shkollë, ose besimtar që sapo ka besuar dhe njohur Zotin e tij dhe që zemra e tij rreh me dashurinë e zjarrtë që ka për Të, të flasë me gjuhën e tij dhe të përdorë larminë e ngjyrave të fjalëve të bukura dhe madhështore, për madhërimin e Allahut të lartësuar, lëvdimin dhe lavdërimin e Tij. Nuk ka problem që të bëhet kjo gjë, pasi ajo hyn në kapitullin e të shprehurit lidhur me Allahun, të Lëvduarin, Gjithëbërësin.
Ndalimi i të folurit në kapitullin e emrave të Allahut, presupozon se nuk është e lejuar që fjalët informuese dhe lëvduese që përdoren për Allahun, të transformohen dhe shndërrohen në një emër, i cili t’i vishet Allahun lavdiplotë dhe Ai të thërritet dhe të emërtohet me këtë emër derivat. Ky është kuptimi se emrat e Allahut janë teukifij-të fiksuar, pra kuptimi është se nuk lejohet për askënd që të shpikë një emër për Allahun lavdiplotë dhe të lartësuar, madje as edhe nga informacioni që vjen në Kuranin fisnik. Në këtë kontekst përmendim faktin, se Allahu lavdiplotë dhe i lartësuar “flet dhe thotë”, por ajo që dihet është se prej emrave të Tij nuk janë emrat “Folësi apo Thënësi”. Emrat e Allahut lavdiplotë janë vetëm ata që kanë ardhur të atribuuar si emër në Kuran dhe Sunet (traditën profetike), si për shembull: “Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi, Sunduesi, i Pastri, Paqësori, Lavdiploti, i Urti, i Lartësuari, Madhështori, Garantuesi, i Gjithëpushtetshmi, etj”.
Së treti: Prej emrave të përsosur të Allahut ka emra që janë veçanërisht për Të, ndaj dhe nuk lejohet të emërtohet me to tjetërkush. Këto emra janë emrat “Mëshirues dhe Allah”, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaj: ‘Thërriteni: Allah ose thërriteni Rrahman (Mëshirues), me cilindo që ta thërrisni (nga këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit”[4], prandaj nuk emërtohet askush prej krijesave me ndonjërin prej këtyre dy emrave, veçse Allahu e rrënon, ashtu siç bëri me Musejlemen (profetin e rremë) kur u vetëquajt me emrin Rrahman (Mëshirues) me të cilin e quanin pasuesit e tij që i thoshin “Rrahmani (Mëshiruesi) i Jememes”, ndaj dhe Allahu e ekzekutoi atë, e shfarosi, e ndëshkoi dhe ia shuajti emrin duke bërë që për të të mbesë një reputacion i keq dhe të thuhen fjalë të këqija, si kur ishte gjallë, ashtu dhe pas vdekjes së tij. Pra “Allah dhe Rrahman (Mëshirues)”, janë nga emrat e Tij me të cilat nuk emërtohet askush veç Allahut lavdiplotë.
Ndërkaq, me emrat që mbeten mundet që të emërtohet tjetërkush veç Allahut, si për shembull: dëgjuesi, vështruesi. Pra lejohet që njeriu të përshkruhet dhe të emërtohet me emra të tillë. Në lidhje me këtë vetë Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuranin fisnik: “Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, dhe e bëmë atë dëgjues dhe vështrues”[5].
Por ne jemi të vetëdijshëm se midis këtyre dy atribuimeve dhe përshkrimeve të bëra me këto emra, është një dallim i qartë, aq sa dallimi midis Krijuesit dhe krijesës.
Robit i përshtaten këto emra vetëm për ato realitete dhe atribute, që posedojnë kuptime që u korrespondojnë limiteve të krijesës njerëzore. Kur robin e cilësojmë se ai është dëgjues ose vështrues, flasim për një nivel dëgjimi dhe vështrimi, të cilin e kufizojnë kufij dhe barriera, për një nivel me vlera të caktuara që nuk shkojnë përtej, ndërsa Zoti ynë lavdiplotë i posedon këto atribute në superioritetet e tyre, në kulminacionet, kompletimin dhe bukurinë kulminante, gjë të cilën nuk mund të përfshijnë mendjet dhe nuk arrijnë ta kuptojnë perceptimet.
Pamundësia perceptuese e Allahut,
Përbën në realitet një konceptim,
Teksa shqyrtimi i Vetvetes së Tij hyjnore,
Përbën idhujtari dhe mosbesim.
Pra mund të ndodhë, që robi (njeriu) të emërtohet me disa prej emrave të Allahut lavdiplotë, por midis realitetit të emrit të Allahut lavdiplotë dhe realitetit të emrit të krijesës, ka diferencë të gjerë dhe të madhe.
Ka edhe disa emra të Allahut lavdiplotë, që duhet të përmenden në mënyrë unike dhe të posaçme vetëm për Të, si emrat “El Aziz-Lavdiploti”, “El Hamid-i Falënderuari”, “El Hakim-i Urti”, “Er Rrahim-Mëshirëbërësi”, “El Alim-i Gjithëdijshmi”, “El Khabir-i Gjithëinformuari”, “El Basir-Gjithëvështruesi”… dhe ngjashëm me to, emra me të cilët njeriu e thërret Allahun lavdiplotë dhe me të cilët lutet.
Prej emrave të Allahut ka emra që nuk bën të përmenden veçse përkrah antonimit të tyre. Mund të përmendim emrat e Allahut si: “En Nefi’i-Dobisjellësi, Ed Darru-Dëmsjellësi” ose “El Kabidu-Ngushtuesi, El Basitu-Bollëksjellësi”, e të tjera emra të ngjashëm me këto çifte antonime që janë prej emrave të Allahut. Pra nëse e përshkruan Zotin tënd lavdiplotë se Ai është Dëmsjellës dhe kaq, ose Ngushtues dhe kaq, diçka e tillë aludon një kuptim që nuk i takon lavdisë së Allahut të lartësuar, fisnikërisë, madhështisë, kompletimit dhe shenjtërisë së Tij, ndaj dhe këto emra nuk përmenden të veçuar, por përmenden krahas antonimeve të tyre.
Kuptimi i i fjalës “ihsa-rendit” në thënien e Profetit (a.s): “Allahu posedon nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një, kush i rendit ato (i mëson përmendësh dhe punon me to), hyn në Xhenet”; përfshin një sërë çështjesh, prej të cilave përmendim:
Së pari: njohjen e këtyre emrave dhe memorizimin e tyre, në mënyrë që njeriu të mund t’i rendisë në të numëruar emrat e bukur të Allahut. Në fakt një grup prej dijetarëve muslimanë i kanë kushtuar vëmendje renditjes numerike të emrave të Allahut, sikurse Zuxhaxhi, Ibn Munedi, Ibn Hazmi, Ebu Hamid el Gazali, Ibnul Arabij, El Kurtubiu, dhe të tjerë veç tyre, ndërsa prej bashkëkohorëve të këtij grupi i përket shejkh Ibn Uthejmini, Umer el Eshkari, Muhamed el Hamud el Nexhdi, dhe të tjerë autorë dhe dijetarë, të cilët i kanë kushtuar vëmendje përmendjes numerike të emrave të Allahut, si dhe nxjerrjes së tyre prej Kuranit dhe Sunetit (traditës) të saktë të Profetit.
Kjo që thamë hyn tek kuptimi i “ihsasë-renditjes” të emrave të përsosura të Allahut dhe s’ka pikë dyshimi në faktin e meritës dhe vlerës së lartë që ka njeriu, i cili është i familjarizuar dhe posedon njohuri mbi emrat e Allahut lavdiplotë, i cili i reciton ata dhe e lut Allahun me ta. Prandaj është mirë që besimtari t’i rendisë emrat e përsosur të Allahut në një letër ose broshurë dhe t’i verë në një vend që bien në sy në makinën apo dhomën e tij, që të përfitojë bereqetin (begatinë) e tyre dhe t’i memorizojë ata.
Së dyti: prej kuptimeve të renditjes së emrave të Allahut është: mësimi i kuptimeve të tyre, pasi këto emra nuk janë emra simbolikë, as imagjinarë, as të ngirë, as të pështjelluar në kuptimin që bartin, por ata janë emra të thëna me një gjuhë të qartë arabe, duke kërkuar që njeriu t’i kuptojë mirë kuptimet e tyre. Duhet që njeriu të lexojë dhe kalojë qoftë edhe një libërth, që interpreton dhe komenton kuptimin e emrit hyjnor.
Duhet të rendim t’i mësojmë këto emra, që kur t’i lexojmë dhe recitojmë ta bëjmë një gjë të tillë duke poseduar botëkuptim mbi ta, jo thjesht duke përsëritur dhe thënë përmendësh artikulimet e këtyre emrave pa ditur se çfarë kuptimi fshihet në to.
Kjo është në vetvete një përfitim i madh që e begaton dhe dëlirëson unin e njeriut, si dhe e ngre dhe avancon zemrën, arsyen, shpirtin dhe pasionin në shkallët e kompletimit.
Së treti: lutja Allahut lavdiplotë me insistim duke e thirrur Atë me këto emra, për të cilën Vetë Allahu i lartësuar ka thënë: “Allahu ka emrat më të mirë, andaj Atë thirreni me ata e hiquni nga ata që bëjnë shtrembërime me emrat e Tij…”[6].
Allahu lavdiplotë dëshiron të thërritet me këta emra, prandaj dhe është thënë:
Biro, mos i kërko gjë ademiut (njeriut),
Por lute Atë dyert e të Cilit nuk mbyllen,
Allahu mërzitet nëse Atij s’i kërkon,
Ndërsa njeriu po i kërkove, gjëmën bën.
Le ta lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të përsosur, duke ditur se lutja në fjalë përmbledh dy kuptime:
Kuptimi i parë: lutja është kërkesë, pra ti e lut Allahun duke i kërkuar dhe shpresuar atë që të preokupon dhe përbën problem për ty në çështjet e jetës tënde të dynjasë dhe asaj të Amshimit, prej gjërave që i do dhe shpreson ose që ua ke frikën dhe i urren.
Kuptimi i dytë: lutja është adhurim, me të cilën presupozohet adhurimi i Allahut të Lartësuar duke e thirrur Atë me këto emra, duke ndjerë prezencën e kuptimeve të tyre, duke u dhënë vëmendje domethënieve të tyre, duke u angazhuar me ta, krahas madhërimit të Allahut, dëlirësimit të Tij, falënderimit të Tij, tehlilit (thënies” La ilahe il Allah-nuk ka hyjni veç Allahut”), tekbirit (thënies: “Allahu Ekber-Allahu është më i madhi”), namazit për Të, përmendjes së Tij, dhe ndjesisë së prezencës së Tij.
Ashtu siç ka thënë imam Ibnul Kajimi [Allahu e mëshiroftë]: “Allahu i lartësuar është I gjithëdijshëm dhe i do dijetarët, është I bukur dhe e do bukurinë, është I mëshirshëm dhe i do të mëshirshmit, është Bamirës dhe i do bamirësit…”[7].
Përftimi i njeriut prej rrezatimeve të këtyre emrave të përsosur, mësimi prej tyre, edukimi mbi to dhe të sjellurit në përputhje me kuptimet e tyre, e bën njeriun që të realizojë kuptimin e vërtetë të “el ihsa-renditjes” së emrave të Allahut lavdiplotë.
Prej adhurimit në fjalë është edhe leximi i Kuranit, nisur nga fakti se ai përmban emrat e Allahut lavdiplotë dhe këtu hyn edhe fakti, që njeriu ta ndjejë prezencën e kuptimeve të tyre dhe për pasojë Allahu i lartësuar të jetë me të në çdo rrethanë, njeriu të mbështetet tek Ai, ta ndjejë prezencën e Tij, besimin tek Ai, mbikëqyrjen e Tij dhe çdo çështje ta lërë në dorën e Allahut lavdiplotë. Në këtë kontekst mund të thuhen edhe kuptime të tjera madhështore, që e pasurojnë njeriun dhe e bëjnë të konkretizojë kuptimin e këtyre emrave të përsosur.
Së katërti: të ndjejmë prezencën e kuptimeve të këtyre emrave, kur biem në më të këqijat gjëra, me të cilat sprovohet njeriu si: neglizhenca, zhytja në materializmat e jetës dhe endja pas shpërqendrimeve të saj.
Ilaçi më i mirë për zemrat është të ndjesh prezencën e madhështisë së Allahut, i Cili është Njohësi i të gjithë sekreteve, si dhe ta përmirësosh gradualisht unin në njohjen e Allahut dhe në besimin tek Ai, derisa të arrish gradën: “Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh”. Kjo ia shton personit qasjen tek bindja, pranimi dhe aktivizimi, sikurse ka thënë Allahu lavdiplotë: “[Allahu është Ai], i Cili të sheh kur ngrihesh në këmbë. (Dhe e sheh) Edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që janë në sexhde (falen)”[8].
Shtoi kësaj se ndjesia e këtyre emrave i shton besimtarit refuzimin e mëkatit, asketizmin, nxitimin për t’u shkulur prej mëkateve dhe forcën për t’u penduar dhe bërë kthesë, sepse dihet se njeriu i bën mëkatet pikërisht për shkak të egërsimit të zemrës si pasojë e largimit nga Zoti, ndërsa ndjesia e këtyre emrave e bëjnë njeriun të përmendet se po i ekspozohet zemërimit të Allahut, kritikës dhe kanosjes së Allahut lavdiplotë që vjen për robin, kur ai mbetet mbi mëkat.
Autor: Selman Audeh
[1] Transmetim i Bukhariut dhe Muslimit.
[2] Kehf: 109.
[3] Lukman: 27.
[4] Isra: 110.
[5] Insan: 2.
[6] Araf: 180.
[7] Në librin “Udetus Sabirin-Pajimi i Durimtarëve” (faqja 241).
[8] Shuara: 218-219.