Familja Pajaziti nga fshati Veleknicë e Gjilanit, e cila deri më tani jetonte në kushte të mjerueshme, do të bëhet me shtëpi të re.
Kjo falë shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” e cila arriti që për 15 orë të mbledhë rreth 17 mijë euro me të cilat do të ndërtojë shtëpinë e re.
Kryefamiljarja Hanumshahe Pajaziti, rrëfen se gjendjes së rëndë ekonomike i shtohet edhe fakti që dy fëmijët e saj vuajnë nga sëmundja e epilepsisë.
Ndërsa, ajo vet vuan nga sëmundja e zemrës.
E lajmi se shumë shpejt do të bëhet me shtëpi e gëzoi shumë, sa që lotët nuk mundi t’i ndalë.
Drejtori i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka thënë për Ekonomia Online, se ditë më parë e vizituan këtë familje dhe u njohën me gjendjen alarmante në të cilën jetonte kjo familje 5 anëtarësh.
Ai ka bërë të ditur se për një kohë shumë të shkurtër arritën të mbledhin shumën e duhur për ndërtimin e shtëpisë për këtë familje.
“Ne gjatë aksioneve të përditshme erdhëm edhe në këtë familje për t’iu sjell gjëra ushqimore dhe higjienike. Pamë që jetonin në gjendje të mjerueshme dhe të papërballueshme. Menjëherë kërkuam që të hapet aksioni ndihmës për këtë familje. Dhe deshti Zoti për pak orë ne mblodhëm 17 mijë euro me të cilat do të ndërtojmë shtëpi të re për këtë familje”, ka thënë ai.
Kjo familje pritet që brenda muajt të hyjë në shtëpinë e re dhe të fillojë një jetë normale.