1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Elbasani, qyteti që i parapriu pavarësisë së Shqipërisë

Më të lexuarat

100 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe jo vetëm, shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu pavarësisë së gjithë vendit në 28 nëntorin e vitit 1912. 
      Historiani Kujtim Bevapi thotë se vështirësitë për të arritur deri në shpalljen e Pavarësisë së  Shqipërisë ishin të shumta, pasi fati i kombit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita dramatike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910-1911 ishin preludi i ngjarjes madhore që do të vinte më pas. 
     Viti 1912 ishte një vit i mbushur me ngjarje të trazuara për shqiptarët. Aleancat ballkanike ndërmjet shteteve Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë, synonin ta fshinin nga harta emrin e Shqipërisë. Këto vende i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Ato nuk mund të pranonin Shqipërinë aleate sepse kishin qëllime aneksimi ndaj trojeve shqiptare. Prandaj shtypi i kohës do të shkruante e me thirrje do t’i drejtohej shqiptarëve “të marrim armët e të mbrojmë kufinjtë e mëmëdheut tonë”…
        “Fitoret e njëpasnjëshme të fqinjëve ballkanikë ndaj perandorisë osmane krijuan kushte të reja për patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut. Ata vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit të ishte shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi dhe mbledhja e një Kuvendi Kombëtar që do të vendoste për fatin e Shqipërisë” vijon Bevapi.    

                            -Elbasani shpall pavarësinë. –

     Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Elbasanit, çka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente të Shpalljes së Pavarësisë me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer. 
     Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie.  
     Lef Nosi në librin e tij “Dokumente Historike 1912 -1918”, shkruan përkëtë ditë të shënuar të qytetit: “Na gjindja e Elbasanit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm, por nga dëshiri ynë i lirë, bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditur gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë tonë nga mbretnia Otomane, tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjithë kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtsi dhe nji paansi të plotë, pa vënë re ndryshim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht, duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t’u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lirë/ Kështu e baftë Zoti! 
      Ndërsa në telegramin që i dërgohet Ismail Qemalit për shpalljen e mëvetësisë nënvizohet se: “Gjithë populli ynë (Elbasanit), myslimanë e të krishterë, me një za kanë pranue indipendencën e Shqipërisë”.

                    – Firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit –

     35 firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit ishin, Aqif Pashë Elbasani, Abdulla Bej Tirana, Venemin Deliana, Ali Agjahu, Refik Myftiu, Sheh Mahmut Guma, Sheh Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraci, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Bicakciu, Fuat Bej Kahremani, Servet Bej Zylfi, Demir Bej Sulcebeu, Sheh Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Isuf Bej Taushani, Hasan Ciftja, Demir Zenelhoxha, Hafëz Sulejman Kungulli, si dhe Dhimitër Dhimitruka. Ngritja e flamurit në Elbasan më 25 Nëntor ishte një moment i rëndësishëm, ku veçanërisht shquhet Aqif Pashë Elbasani.  

                       – Aqif Pasha ngriti  flamurin në Elbasan –

     “Aqif Pashë Elbasani, siç njihet në qytet, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit. Njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë si dhe për mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij. 
     Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën flamurin kombëtar më 25 nëntor të vitit 1912, dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur”.
      Më 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit.
        Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare. Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavaruar në trojet e veta. Pavarësisht sesi do të rridhnin ngjarjet më vonë, Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar./trt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit