Ka diçka që të gjithë trafikantët nuk e durojnë dot: burgun në SHBA. Mjafton të shohësh frikën që kishte Pablo Escobar. Kjo video e publikuar së fundmi tregon se si trafikanti meksikan i drogës, El Chapo, fshin lotët sapo prek tokën amerikane.
Të martën, trafikanti 61-vjeçar, emri i të cilit është Joaquin Guzman, u shpall fajtor për dhjetë akuza, shtatë prej tyre për krime droge. Qeveria meksikane e ekstradoi Guzman në janar të vitit 2017, një ditë përpara se Donald Trump të merrte zyrtarisht detyrën si president.
Pas vendimit, Departamenti i Drejtësisë publikoi pamjet nga ekstradimi i El Chapo. Ai duket i shokuar, teksa shoqërohet nga agjentët e DEA-s.
Raportohet se qeveria meksikane e ekstradoi kryetrafikantin pasi mori garanci se ai nuk do dënohet me ekzekutim.
Ironia është se dritën jeshile për ekstradimin e tij e dha presidenti meksikan i asaj kohe, Enrique Pena. Në gjyq doli një e dhënë, ku thuhej se El Chapo i ka dhënë atij një ryshfet prej 100 milionë dollarë.