6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ekzoterizmi dhe ezoterizmi – Ibën Tejmija

Më të lexuarat

Ekzoterizmi dhe ezoterizmi
Ibën Tejmija
Përktheu Ardit Kraja
 
Nuk ka ndonjë problem për ta quajtur diturinë ; ekzoterike, Ilm ez-Zahir, dhe ezoterike, Ilm el-Batin, nëse ne kuptojmë me të parën diturinë e veprave dhe të dytën diturinë e ideve, besimeve dhe ndjenjave të cilat i kemi në zemër ose nëse ne kuptojmë me të parën çfarë pjesa më e madhe e njerëzve kuptojnë nga gjuha e një teksti dhe nga e dyta çfarë vetëm njerëzit e ditur mund ta kuptojnë. Në secilin rast, dituria ezoterike nuk mund të mos pajtohet me diturinë ekzoterike. Por ezoterizmi të cilin grupe të ndryshme si ezoterikët (batinitë), filozofët (falasafa), mistikët (sufitë) dhe teologët me të përbashkëtat e tyre, nuk pajtohet me diturinë ekzoterike dhe është gabim. Ndërsa supozimet e sufive, Isharat, disa mund të jenë të vërteta por mbështetja e cila mund të derivohet për ta nga një ajet nuk mund të justifikohet; të tjerët mund vetëm të jenë fallse nëse ata dalin kundër një të vertëte të mirënjohur. Megjithatë, koncepti i diturisë së frymëzuar nga Zoti, Ilm el-Laduni, është i vërtetë. Zoti i tregon zemrës së miqve të Tij të devotshëm, Eulija, çfarë Ai nuk ja tregon të tjerëve. Por kjo dituri, duhet patur parasysh, se nuk është vetë-saktësuese; ajo duhet të mbështetet nga argumentet e Sharit.
 
Hadithi që Kur’ani ka një kuptim të bredshëm (ose të fshehtë), Bati, dhe shtresa edhe më të thella të kuptimit dhe kështu me rrallë deri në shtatë shtresa të kuptimeve të brendshme, është një hadith problematik, nuk është i transmetuar nga asnjë autoritet i mirënjohur;  e as nuk gjendet në asnjë libër hadithesh. Megjithatë, ne kemi një hadith të transmetuar nga Hasan Basriu me një zingjir transmetimi të paplotë ; në të cilin nuk përmendet sahabiu, biles personi që e ka transmetuar as që e ka parë Profetin. Ai thotë, « çdo ajet (i Kur’anit) ka një kuptim të jashtëm dhe të brendshëm, po ashtu edhe një kuptim fillestarë dhe të fundëm ». Por ne dëgjojmë edhe shprehje të ndryshme si « dituri ekzoterike dhe dituri ezoterike ». Por këto shprehje kanë të dyja kuptime të sakta dhe të gabuara […].
 
Me termin Batin kuptohet ose dituria e gjërave të brendshme, të tilla si idetë dhe ndjenjat e zemrës dhe dituria e të padukshmes, Gaibit, e përcjellur nga Profetët ose kuptohet dituria të cilën pjesa më e madhe e njerëzve ose literalistëve midis tyre nuk janë të aftë ta kuptojnë. Ndërsa kuptimi i parë i është i vërtetë që ka një dituri e cila interesohet me çështjet e zemrës. Po ashtu e vërtetë është edhe dituria e cila përfitohet përmes shqisave dhe dituria e realiteteve trashedentale e cila nuk i ofrohet atyre. Besimi, në kuptimin e tij të saktë, është besimi në të padukshmen siç Zoti ka thënë, «   Ky është Libri, në të ka me të vërtetë udhëzim, padyshim për ata të cilët i frikësohen Zotit, të cilët besojnë tek e padukshmja, Gaibi » [2 :2-3] Ky besim në Gaib është besimi në të vërtetat themelore të cilat profetët i kanë thënë për Zotin, Emrat dhe Atributet e Tij, Engjëjt, Parajsën dhe Ferrin. Shkurtimisht, ajo është besimi tek Zoti, Profetët e Tij dhe Dita e Fundit.
 
Termi, Ilm el-Batin, gjithashtu nënkupton diturinë e gjërave të zemrës, të tilla si besimet e sakta dhe të gabuara, qëllimet e mira dhe të këqija. Po ashtu nënkupton diturinë e Zotit dhe dashurisë ndaj Tij, frikën për Të dhe sinqeritetin në devotshmërinë ndaj Tij, besimi tek Ai dhe pritjet prej Tij, dashurinë dhe urrejtjen ndaj gjërave të tjera për hatrin e Tij, dorëzimin ndaj përcaktimit të Tij dhe nënshtrimin ndaj vullnetit të Tij. Gjithashtu nënkupton diturinë e virtyteve si bujaria, modestia dhe bindshmëria ndaj Zotit ose të veseve si mendjemadhësia, syfaqësia. Kjo është dituri ezoterike ; sepse objektet e kësaj diturie janë gjërat e brendshme të zemrës. Përkundër diturisë ekzoterike gjendet dituria e gjërave të dukshme për të cilat kemi folur dhe diskutuar. Kjo është ajo që njohim nga Kur’ani, Suneti dhe thëniet e dijetarëve dhe ndjekësve të tyre. Në fakt, pjesa më e madhe e ajeteve të Kur’anit bie mbi këtë kategori. Zoti e ka shpallur Kur’anin si, « .. një kurë sëmundjeve të zemrës dhe si udhëzim dhe mëshirë për ata të cilët besojnë ». [ 10 :57] Kjo dituri është e vërtetë dhe është dituria e principeve të fesë ; besimi në zemër është baza për rrëfimin e gjuhës dhe veprat e zemrës janë bazat për veprat e trupit. Dituria ezoterike në kuptimin e diturisë të cilën pjesa më e madhe e njerëzve ose disa prej tyre janë të paaftë ta kuptojnë është dy llojesh ; njëri e kundërshton diturinë ekzoterike dhe tjetri jo. I pari që e kundërshton diturinë ekzoterike është i pavërtetë. Ai i cili thotë se e ka këtë dituri ose diturinë e diçkaje të fshehtë e cila bie në kundërshtim me diturinë ekzoterike sigurisht është gabim. Ai ose është një keqinterpretues i qëllimshëm, Mulhid Zindik, ose një injorant. Lloji i dytë i diturisë ezoterike, mund të klasifikohet në varësi me përputhshmërinë e diturisë ekzoterike dhe mund të jetë i vërtetë ose fallsë. Nëse provohet si i vërtetë, do të pranohet ndërsa nëse provohet gabim, do të refuzohet ; por nëse asnjëra nuk provohet atëhere duhet të pezullohet gjykimi. Shembuj të diturisë së llojit të gabueshëm ezoterik janë besimet e ndryshme të ezoterikëve të tillë si Karamathianët, Ismailitët, Nusejritët, Filozofët që i ndoqën ata dhe ekstremistët midis mistikëve dhe teologëve. Për të qenë më të saktë, Karamathianët janë më të këqinjtë nga të gjithë ata, sepse ata thonë që Kur’ani dhe islami kanë një realitet të brendshëm i cili kundërshton formën e tyre të jashtme. Për shembull, ata thonë që namazi i cili është i obligueshëm nuk është namazi të cilin njerëzit falin ; namazi i tillë është nënkuptuar vetëm për të zakonshmit. Namazi i vërtetë është namazi i elitës, e cila është njohja e doktrinës së tyre. E njëjtë me këtë, agjërimi, Saum, është t’i fshehësh këto doktrina nga njerëzit e zakonshëm. Haxhi është të vizitosh vendet e fesë të tyre. Ata po ashtu thonë që Parajsa e elitës është gëzimi i kënaqsive të kësaj dynjaje, ndërsa Ferri i tyre është të kryejnë parimet e Sharit dhe stërmundimi nën tutelën e tij […]
 
Së jashtmi, Karamathianët janë Rafid, përbrenda janë jobesimtarë. Në përgjithësi, sufitë dhe teologët nuk janë Rafid të cilët i quajnë sahabet të prishur, Fasikun, por jobesimtarë, Kafirun. Midis tyre, megjithatë, ka njerëz të cilët si Zejdit, të cilët e lartësojnë Aliun mbi Ebu Bekrin ose të cilët besojnë që Aliu ishte më i ditur sesa Ebu Bekri në gjërat ezoterike, si Harbitë dhe të tjerët si ata. Ky grupi i fundit besojnë që Aliu ishte më i ditur në diturinë ezoterike, e cila ishte lloji më i mirë i diturisë dhe që Ebu Bekri ishte superior ndaj tij vetëm në diturinë ekzoterike. Por kjo pikëpamje është diametrikisht në kundërshtim me pikëpamjen më të mbështetur të sufive dhe të liderve të tyre, të cilët u pajtuan që Ebu Bekri ishte më i dituri në çështjet ezoterike. Dijetarët e Ahlul Sunnah Uel Xhemæ janë unanimisht të pajtuar në qëndrimin që Ebu Bekri ishte më i ditur në të dyja dituritë, ekzoterike dhe ezoterike. Shumë njerëz kanë raportuar konsensus, Ixhma, mbi këtë çështje […]
 
Sufitë ezoterikë i interpretojnë fjalët « shko tek Faraoni » [79 :17] si një urdhër ndaj përkujdesit të zemrës dhe fjalët « Zoti ju ka urdhëruar të preni një viç » [2 :67] si një urdhër për të shtypur shpirtin e keq. Ata gjithashtu i konsiderojnë fjalët « hiqi të dy këpucët » [20 :17] si një urdhër për t’ju larguar kësaj bote dhe tjetrës. Të njëjtë me këtë, ata interpretojnë « pemën » të cilës Musai ju drejtua dhe « fushës së shenjtë » ku Musai qëndronte me ndjesitë e zemrës që personi ka në kohën e iluminimit […]
 
Filozofët ezoterikë i interpretojnë engjëjt dhe djajtë si aftësi të shpirtit. Ata thonë që bekimet ose vuajtjet e premtuara në Pasjetë janë përdorur në gjuhën figurative. Ata i referohen eksperiencave psikologjike të kënaqësisë ose dhimbjes më shumë sesa gjërave të jashtme të cilat i shkaktojnë ato. Të tilla ide gjithashtu gjenden në shkrimet e sufive të mëvonshëm, megjithëse asgjë e kësaj natyre nuk është dëgjuar nga liderët e hershëm të tyre.
 
Sufitë e mëvonshëm, për kundër injorancës së tyre dhe mosbesimit, kanë thënë se dinë më shumë sesa dijetarët e Ummetit, për shembull, Ibën Arabi, autori i Fusus dhe shumë të tjerë si ai, kanë thënë që qënja është një. Ata dolën tek kjo doktrinë nga e njëjta derë, duke lënë mbrapa arsyen dhe fenë.
 
Ata thanë që liderët e hershëm sufi si ; Xhuneid Ibën Muhammed, Sahl Ibën Abdullah Tustari dhe Ibën Ibrahim Kauas vdiqën pa njohur çfarë do të thoshte Teuhid. Ata gjejnë gabime me Xhuneidin dhe të tjerët si ai të cilët bënin ndryshim midis Zotit dhe botës. Xhuneidi ka thënë, « Teuhidi është të ndash kontingjentin nga Përjetësia ». Pasha Zotin, Teuhidi të cilin këta njerëz shpalosën dhe i cili identifikon ekzistencën e dynjasë me ekzistencën e Zotit është më e keqja e të gjitha doktrinave fallse të cilat liderët me mendje të shëndosh nga sufitë e kanë dënuar […] Ata në vazhdim të kësaj thonë që ata të gjithë e njohin Allahun më mirë sesa të dërguarit e Tij të cilët e morën diturinë me shpallje nga lart. Ata ndihen të lirë të interpretojnë Kur’anin në dritën e ideve të tyre fallse ezoterike. Po paraqesim disa shembuj, ata thonë që fjalët, « min ma khatijatihim ughriku » [71 :25] e cila do të thotë se për shkak të gjynaheve të tij populli i Nuhut u përmbytë me përmbytje, ata e interpretojnë se ka kuptimin që ata kanë hyrë në detin e diturisë së Zotit. Ata përpiqen të […]  fjalën, Edhab, e cila do të thotë dënim, nga Udhub, i cili do të thotë ëmbëlsi dhe ata thonë që fjalët e Nuhut rreth popullit të tij ishin në fakt një lavdërim për ta megjithëse duket si ndëshkim […] Idetë janë dy llojesh. Së pari ato të cilat janë në kundërshtim me çfarë definitivisht njohim si të vërtetë, pra, ato të cilat janë gabim po ashtu edhe argumentet e tyre të cilat i nxjerrin, sepse asnjë argument nuk mund të provojë një gjë të gabuar si të vërtetë. Së dyti, llojet e ideve janë ato që janë të vërteta në vetvete por argumentet që ja mveshin atyre nga Kur’ani dhe Suneti nuk mund të mos mbështeten nga teksti. Këto janë çfarë ata quajnë, « aluzione », Isharat. Libri i Abdurrahmenit, Sekretet e Ekzegjenës, Hakaik el-Tefsir, rropatet në të tilla aluzione.
 
Lloji i ideve të para gjenden në veprat e Karamathianëve  dhe filozofëve, besimet e të cilëve janë të ndryshme nga ato të muslimanëve. Nëse pranoni që Zoti ishte i kënaqur me muslimanët e hershëm dhe ata, gjithashtu, ishin të kënaqur prej Tij, atëhere duhet të pranoni se çfarëdo që shkon kundër rrugës së tyre është gabim. Nëse, për shembull, pranoni që namazi është obligim për çdo kënd mendësisht të shëndoshë, duhet të pranoni që kushdo që e bën joobligim për këdo duke e interpretuar një tekst është vetëm duke thënë një gënjeshtër. E njëjtë me këtë, nëse pranoni që vera dhe kurvëria janë të ndaluara për këdo mendësisht të shëndoshë duhet të pranoni që kushdo që e interpreton një tekst për të justifikuar këto gjëra në anën e një personi është duke thënë një gënjeshtër. Ndërsa idetë e llojit të dytë prej të cilëve janë shumë të paqartë, për shkak se idetë vetë janë të vërteta dhe mund të mbështeten nga Kur’ani dhe Suneti. Pyetja është vetëm për veçantinë e tekstit i cili citohet në mbështetje të tyre. Idetë e këtij lloji mund të ndahen në dy lloje, së pari, ata të cilët thonë që një veçanti e X teksti do të thotë Y. Kjo thënie është gabim. Për shembull, ai i cili thotë që fjalët « …prej një viç … » [2 :267] do të thotë, « shtypje e shpirtit të keq » ose ajo « shko tek Faraoni » [77 :17] do të thotë, « përkujdesu për zemrën tënde » ose që pjesa e parë e ajetit [48 :29] « ata të cilët janë me të (Profetin) » është një referencë ndaj Ebu Bekrit, pjesa tjetër, « të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit » është një referencë ndaj Uthmanit dhe pjesa e katërt, « ti do t’i shohësh ata të përkulen dhe gjunjëzohen » është një referencë ndaj Aliut, ai tregon vetëm gënjeshtra në emër të Zotit, ose qëllimisht ose jo. Lloji i dytë i ideve është i atyre të cilët nuk thonë që X do të thotë Y ; ata vetëm thonë që Y gjithashtu ndiqet nga X. Me fjalë të tjera, është një lloj ndërhyrjeje, Kijas. Çfarë juristët quajnë Kijas, sufitë quajnë Isharah, aluzion. Por këto aluzione mund të jenë të sakta ose të gabuara, për shembull, nëse ndonjëri e merr ajetin « askush nuk duhet ta prek atë pos ata që janë të pastër » [56 :79] për t’ju referuar Tabletat e Ruajtura ose Kur’anin e Shenjtë dhe thotë që ashtu si Tabletat e Ruajtura në të cilët është shkruar nuk preken përveç atyre të cilët janë të pastër, e njëjtë me këtë kuptimi i tij nuk kapet përveç zemrave të pastra ose zemrave të njerëzve të devotshëm, ai do të thotë diçka korrekte dhe ndërhyrja e tij gjithashtu, do të jetë korrekte […]
 
Hakaik Et-Tefsir nga Ebu Abdurrahmen Es-Suleimit i ka të gjitha llojet e ideve. Një lloj është jo i saktë ; për shmebull, pjesa më e madhe e thënieve të cilat ja ka mveshur ixhmasë sedike nuk janë fjalët e ixhmasë, ato janë fjalët e vetë Ebu Abdurrahmenit. Dijetarët e ndryshëm të traditës kanë gjetur gabime me transmetimet e tij. Kjo është pse, kurdo që Bejhaki transmeton prej tij, ai shkon përtej tij tek ata të cilët ai i ka dëgjuar. Lloji i dytë i traditës është i atyre të cilët janë raportuar nga transmetimet autentike por kanë pasaktësi në transmetim, lloji i tretë i traditës është i atyre të cilët janë autentik po aq edhe korrekt.
 
Çdogjë që shkon kundër Kur’anit dhe Sunetit është gabim dhe të gjitha faktet në mbrojtje të tij duhet të refuzohen. E njëjtë me këtë, nëse diçka përputhet me Kur’anin dhe Sunetin, por teksti i cili është thënë se e përmban atë do të thotë diçka tjetër, edhe ajo nuk do të jetë e saktë. Megjithatë, nëse dikush thotë që e ndjek nga teksti si një ndërhyrje, Kijas, ose si mësim, Itiber, ajo mund të jetë e drejtë ose gabim.
 
Ndërsa të vërtetat e frymëzuara nga Zoti, Ilm el-Laduni, është e vërtetë që Zoti i tregon miqve të tij dhe të devotshmërve të Tij çfarë Ai nuk jua tregon të tjerëve, sepse ata i abstenohen asaj çfarë Ai nuk aprovon dhe ndjekin çfarë ai aprovon. Aliu ju referua kësaj kur tha, “Asgjë e veçantë nuk më është dhënë mua përveç një pamje në Librin e Tij që Zoti ja jep një robi”. Në një tjetër hadith thuhet, “Ai i cili vepron mbi atë çfarë di do t’i jepet dituri për atë që nuk di”. Kjo mund të mbështetet nga një numër ajetesh kur’anore , të tilla si, “..nëse ata bëjnë çfarë atyre i është thënë, do të kishte qenë më e mirë për ta dhe do të kishin shkuar shumë më tej për të përforcuar besimin e tyre” dhe “Ne do t’ju kishim dhënë atyre nga Prezenca jonë një shpërblim të madh dhe do t’ua kishim treguar atyre rrugën e drejtë”. [4:66-8] Kjo do të thotë që do të udhëzohen tek rruga e drejtë […] Diku tjetër Zoti ka thënë, “Për ata të cilët ndjekin udhëzimin, Ai ia shton më tepër udhëzimin dhe devotshmërinë”. [47:17] […] Kjo gjithashtu do të thotë që Ai i cili bën çfarë Zoti nuk pëlqen kthehet mbrapsht nga udhëzimi dhe dituria, siç Ai ka thënë, “Kur ata shkuan keq, Zoti i la zemrat e tyre të shkojnë keq”. [61:5] […] Ka shumë ajete të tjera që mund të citohen mbi këtë subjekt. Njerëzit kanë tre pikëpamje të ndryshme mbi çështjen; dy janë ekstreme dhe një është në mes. Një grup thotë që abstenimi, pastrimi i zemrës dhe disiplinat e rrepta çojnë tek dituria pa mbështetje në asgjë tjetër. Një tjetër grup thotë që këto gjëra nuk kanë asgjë të përbashkët me diturinë, e cila përfitohet ose me fjalë dhe urdhërat e Sharit ose me argumente racionale. Pikëpamja korrekte është ajo e mbajtur nga njerëzit në mes, pra që thonë se gjërat të cilat janë përmendur nga grupi i parë janë faktorët më të rëndësishëm të cilët lehtësojnë përfitimin e diturisë por edhe nga gjendja për përvetsimin e llojeve të ndryshme të diturisë; por ato nuk janë të mjaftueshme të vetmuara. Diçka tjetër është e nevojshme, e kjo nuk është as dëshmitë mbi çështjen të  cilat nuk janë të njohura përveçse përmes tyre ose një ide e qartë e koncepteve të përfshira në propozimet që i përkasin fushës së diturisë së nevojshme. Ndërsa dituria e gjërave të nevojshme për shpëtim në Pasjetë dhe lumturinë atje, nuk është e disponueshme vetëm përmes ndjekjes së asaj çfarë Profetët na kanë mësuar. Zoti ka thënë, “Kur do t’ju vijë udhëzimi nga Ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpindën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Gjykimit, do ta ringjallim të verbër”. [20-123-7] Diku tjetër Ai ka thënë, “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kur’anit), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet i pandashëm”[43:36] Pra, kushdo që mendon se mund ta gjejë rrugën dhe të përvetësojë besimin përmes vetëm diturisë, pa vepruar mbi atë dituri, ose përmes disiplinave të rrepta dhe abstenimit pa përvetësimin e diturisë, sigurisht që e ka gabim. Shumë më larg të vërtetës sesa këto dy grupe të njerëzve janë ata të cilët, që për të përvetësuar diturinë, ndjekin metodën e filozofisë dhe mutekelimunëve dhe as i referohen Kur’anit dhe Sunnetit e as traditës së asaj që ata e kanë mësuar nga Shari. S’janë më të mirë as ata të cilët angazhohen në disiplina të rrepta dhe abstenojnë në linjën e filozofëve dhe mistikëve pa ju referuar Kur’anit dhe Sunnetit ose kontrollimit të disiplinave të tyre me parimet e Sharit. Ai i cili largohet nga dituria korrekte dhe Shari dhe ai i cili i largohet disiplinës korrekte dhe Sharit; janë të dy të humbur, larg nga e vërteta. I pari është si të krishterët, të cilët kanë humbur të vërtetën, dhe tjetri është si çifutët, të cilët kanë tërhequr hidhërimin e Zotit. Disa prej tyre janë edhe më keq sesa të krishterët dhe çifutët, e kam fjalën për Karamathianët, monistët dhe filozofët e tjerë të ç’udhëzuar si ata. Disa njerëz mendojnë që Profeti i ka treguar secilit grup çfarë është më mirë për ta. Kjo dëshmi duhet të kuptohet në dy mënyra. E para është që shari i ofrohet nevojave të grupeve të ndryshme të njerëze. Kjo është e vërtetë, sepse shari nuk vendos obligimin e njëjtë mbi të pasurit dhe të varfërit, të shëndoshin dhe të sëmurin, as nuk e ngarkon një person me të njëjtat detyra në prosperitet ashtu si në vështirësi ose një grua kur ajo është e pastër dhe kur ajo është me perioda ose një person kur është qeveritar dhe kur ai është i qeverisur […] Por nëse kjo dëshmi do të thotë që shari vetë ndryshon, që Profeti urdhëron një gjë për një person dhe të kundërtën për një person tjetër ose i thotë një gjë disa njerëzve dhe të kundërtën të tjerëve, kjo është tërësisht e gabuar. Disa njerëz citojnë me anë të shembullit rastin kur Aisha e pyeti Profetin nëse e kishte parë ai Zotin, dhe ai ju përgjigj në negative, por kur Ebu Bekri bëri të njëjtën pyetje ju përgjigj në pozitive. Ai kështu i dha një përgjigje, ata thonë, një personi dhe një tjetër një tjetri mbi të njëjtën çështje sipas situatave të tyre të veçanta. Kjo është një gënjeshtër të cilët armiqtë e islamit dhe hipokritët kanë thënë rreth Profetit. Si mundet që ata t’i atribuojnë atij këtë kur ai ka thënë, “Nuk është për një Profet t’ia drejtojë sytë e tij diçkaje përkundër asaj çfarë ai thotë me gojën e tij”. Kjo është transmetuar nga Ebu Daudi dhe të tjerë përpilues hadithesh. Në kohën e hyrjes në Mekë, Profeti lajmëroi që Ibën Ebu Sarh nuk do të falet. Kur Uthmani e solli atë tek Profeti që ai të mund i betohej atij, Profeti e kthej fytyrën e tij. Ai e bëri atë dy ose tre herë dhe vetëm atëhere e lejoi atë të betohej, duke i thënë njerëzve rreth tij, “A nuk kishit asnjë person të zgjuar  midis jush i cili të mund të shihte që unë e ktheva kokën nga ky njeri dhe të ngrihej dhe ta vriste?” Tek kjo ngjarje, një person në grumbull tha, “Pse nuk mi drejtove sytë e tu drejtë meje, O Profet?” Përgjigjja e tij ishte, “Nuk është sjellje e Profetit të luajë me sytë e tij”. Kjo është shenja e integritetit, korrespondencës midis sjelljes së jashtme dhe realitetit të brendshëm, të identitetit të veprës me qëllimin, i cili është diametrikisht i kundër me praktikën e hipokritëve të cilët i vendosnin fytyrat në të kundërtën e asaj që ata mbanin në zemrat e tyre. Pjesë e integritetit të tij ishte që Profeti kurrë nuk i mësoj  askujt në sekret asnjë pjesë të fesë të cilën nuk jua mësoi të tjerëve. Megjithatë, ka rastisur që kur një person e ka pyetur rreth ndonjë gjëje të cilës nuk mund t’i jepte përgjigje, ai i thoshte diçka tjetër në vend të asaj e cila mund t’i bënte dobi pyetësit, për shembull, një herë një beduin e pyeti atë rreth ditës së gjykimit, se kur do të ndodhte. Si rezultat, në vend që t’i drejtohej pyetjes direkt, ai e pyeti beduinin se çfarë ka përgatitur për atë ditë? Beduini i tha që nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, por ai e do Allahun dhe Profetin. Si rezultat, ai i tha, “çdo person do të jetë në Pasjetë me ata të cilët ai i do”. Kjo është sesi ai e sqaronte qëllimin e vërtetë prapa një pyetjeje dhe i përgjigjej. Ai kurrë nuk dha përgjigje të cilat njerëzit e tij nuk mund t’i ndiqnin. Ndërsa për hadithin e Hudhejfas, është e vërtetë që sipas një hadithi sahih Hudhejfa dinte diçka sekrete të cilën të tjerët nuk e dinin. Profeti e kishte informuar Hudhejfan rreth hipokritëve të mëdhenj në kohën kur u ndërmorr ekspedita e Tebukut. Nga tradita transmetohet që një grup hipokritësh po planifikonin të lironin shalën e devesë mbi të cilën Profeti do të kalëronte që ai të binte dhe të vdiste, por ai informohej në lidhje me to me anë të shpalljes hyjnore. Hudhejfa ishte ulur afër tij në atë kohë, ai ju kthye atij dhe i dha emrat e hipokritëve. Tradita transmeton gjithashtu që Umeri nuk falej mbi tabutin e askujt nëse Hudhejfa gjithashtu nuk falej mbi tabutin e tij. Kjo dituri të cilën Hudhejfa e mësoj nga Profeti nuk ishte e dukshme, një pjesë e fesë, as një çështje e zemrës siç dallohet nga çështjet e sjelljes.
Zoti vetë ka thënë në Librin e Tij shumë rreth karakterit dhe sjelljes së hipokritëve, në veçanti në Suran et-Teube e cila i ekspozon ata tërësisht. Ndërsa hadithi i Ebu Hurejras, është rregjistruar në koleksionet e Sahive. Ebu Hurejra, thotë, “Unë kam ruajtur dy çese me hadithe; përmbajtjen e njërës e kam shpërndarë midis njerëzve por nëse do të shpërndaja çesën tjetër ju do ta prisnit këtë fyt”. Por kjo gjithashtu nuk ka të bëjë me të vërtetat e brendshme si të dallueshme nga parimet e jashtme, e as që i referohet principeve të fesë. Në çesen tjetër Ebu Hurejra kishte vetëm hadithet përsa i përket malahi-t dhe fitan-it, luftërat midis muslimanëve dhe jomuslimanëve dhe luftërat e mëvonshme midis vetë muslimanëve. Kjo është e mbështetur nga dëshmia e Abdullah Ibën Umarit, “Të kishte thënë Ebu Hurejra që ju do të vrisnit halifen tuaj ose që ju do të bënit këtë ose atë, ju do ta quanit atë një gënjeshtër”. Sigurisht, nëse informacioni që nuk do t’i kishte pëlqyer mbretërve dhe mbështetësve të tyre do të përhapej, do të kishte pasur rrjedhoja serioze për rregjimet e tyre.  
 
Marrë nga FETVATË, 13 :231-256
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit