3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Eksporti ka shënuar rritje për 66 për qind

Më të lexuarat

Eksporti kosovar ka shënuar rritje për 66 për qind krahasuar me pesë mujorin e parë të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radio Kosovën ka thënë se këtë vit, eksporti është rritur për 101 milion, ndërkohë që importi ka kaluar vlerën 2 miliardë euro.

Kjo e fundit ka ndikuar në rritjen e të hyrave nga Dogana. Rritje të të hyrave ka shënuar edhe Administrata Tatimore e Kosovës

Në kohën kur kosovarët e kanë problem lëvizjen e lirë, si pasojë e mos liberalizimit të vizave, por edhe  masave kufizuese që shtetet kanë ndërmarrë kundër pandemisë COVID-19, kalimi i kufijve nga produktet “Made in Kosova” është rritur. Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për radion tonë tha se krahasuar me vitin e kaluar, Kosova këtë vit ka shënuar rritje në eksport për mbi 60 për qind.

“Vlerat e eksportit deri më tani kanë arritur në 253 milionë euro, në periudhën janar-maj. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë kemi pasur eksport prej 152 milion euro, që nënkupton se kemi 101 milion euro më shumë mallra të eksportuara, apo 66 për qind më shumë eksport kosovar drejt vendeve të ndryshme”, tha ai.

Destinacion i mallrave të eksportuara janë shtetet evropiane, ballkanike por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë zëdhënësi Stavileci, përderisa tregon se çka eksportohet më shumë.

“Eksporti më i madh vazhdon të jenë metalet, xehet, kemi rritje të eksportit të mobileve, dyshekëve, lëngjeve të ndryshme të gazuara dhe jo të gazuara, por edhe të pijeve alkoolike”, pohon Stavileci.

Përveç eksportit, në pesë mujorin e parë të këtij viti për rreth gjysmë miliardi është rritur edhe importi, i cili ka kaluar vlerën e 2 miliardë eurove. E kjo ka ndikuar edhe në rritjen e të hyrave nga Dogana, për rreth 30 për qind, pohon zëdhënësi Adriatik Stavileci.

“Në aspektin e taksave kemi pasur një rritje mjaft të mirë, prej më të mëdhave që nga themelimi i Doganës. Deri në datën e djeshme ne kemi grumbulluar 507.6 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 30 për qind, krahasuar me periudhën paraprake”, tha ai.

Rritje të të hyrave ka shënuar edhe Administrata Tatimore e Kosovës, që këtë vit ka inkasuar rreth 243 milionë euro, me një rritje prej 56 milionë. /be/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit