3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Ekspertët: Kujdes fëmijët, ata nuk duhet të bëhen peng të video-lojërave

Më të lexuarat

Varësia e lojërave çon në probleme të tilla si izolimi nga jeta shoqërore, rënia e suksesit shkollor dhe problemet në punë”, tha Dalbudak.
Revolucioni teknologjik ka ndryshuar shumë praktika tradicionale gjatë viteve me shumë zhvillime të rëndësishme, ku nuk mund të bëjnë përjashtim as lojërat e fëmijëve.

Fëmijët që tani kanë qasje më të lehtë në teknologjinë më të fundit të lojërave, përbën një shqetësim të dukshëm për prindërit e tyre se ata po bëhen gjithnjë e më të varur nga lojërat, pasi kalojnë orë të tëra me pajisjet mobile, kompjuterë dhe konsolë.

Këto shqetësime nxitën Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të përfshijë çrregullimet e lojërave në listën e saj të çrregullimeve të sjelljes dhe kushteve të shëndetit mendor në vitin 2018.

Çrregullimi i lojërave është përcaktuar si “prioritet në rritje që u kushtohet lojërave mbi aktivitetet e tjera në masën që lojërat të kenë përparësi mbi interesat dhe aktivitetet e përditshme”, thonë nga OBSH-ja.

“Çrregullimi i lojërave është një nga problemet më të zakonshme psikiatrike”, tha Ercan Dalbudak, profesor i asociuar i psikiatrisë, në një bisedë për Anadolu Agency (AA).

Dalbudak tha se fëmijët do të bien në grackën e lojërave kur ata kanë një dëshirë të fortë për të luajtur lojëra, vazhdojnë duke luajtur me fiksim pavarësisht nga pasojat negative dhe nuk mund ta kontrollojnë sjelljen e tyre.

Duke theksuar se vendosja e fëmijëve në ekranet në moshë të re nuk preferohet, ai tha se do të ishte më mirë të kufizohej kontakti i tyre me ekranet deri në moshën tre vjeçare.

Adoleshentët janë grupmosha më e rrezikuar

“Varësia e lojërave çon në probleme të tilla si izolimi nga jeta shoqërore, rënia e suksesit shkollor dhe problemet në punë”, tha Dalbudak, duke shtuar se adoleshentët që variojnë nga mosha 10 vjeç deri në moshën 21 vjeçare janë grupmosha më e rrezikuar.

Këtë grup kryesisht e përbëjnë prindërit e fëmijëve adoleshentë që ankohen për shprehinë që kanë fëmijët e tyre duke kaluar shumë kohë në lojëra, veçanërisht për lojërat e fatit, tha ai.

“Çrregullimi i lojërave është i zakonshëm në mesin e atyre që kanë një çrregullim të mungesës të vëmendjes, hiperaktivitet, impulsivitet të lartë ose tendencë drejt depresionit ose ankthit”, shtoi ai.

Megjithëse, nuk është e mundur të shmanget krejtësisht ekspozimi i ekranit në botën e sotme, familjet duhet t’i mbajnë celularët, tabletët dhe kompjuterët larg fëmijëve të tyre dhe të mos i lejojnë të marrin tabletat në dhomat e gjumit, shtoi ai.

I pyetur nëse është e mundur të trajtohet varësia e lojërave, ai tha se ka disa mënyra, si diagnostikimi i situatave të rrezikshme në moshat e hershme, kalimi i kohës së duhur me fëmijët, gjetja e aktiviteteve të përshtatshme për moshën dhe inteligjencën e fëmijëve të tyre dhe duke i ndihmuar ata që të jenë më të shoqërueshëm.

Duke nënvizuar se prindërit duhet të përcaktojnë dhe kufizojnë kohën e qëndrimit para ekranit, ai tha se duhet të vendosen rregulla të zbatueshme.

“Prindërit duhet së pari të krijojnë rregulla për veten dhe t’u binden atyre. Ata duhet të shmangin kalimin e kohës para ekranit para fëmijëve të tyre”, sugjeron Dalbudak.

Nëna e një djali nëntë vjeçar u ankua për shprehinë e tij të tepërt të lojërave.

“Kur i themi se koha e tij për të luajtur me tabletën ka mbaruar, ai menjëherë zemërohet dhe nervozohet duke bërë ‘fytyrën e trishtuar’. Ai nuk pranon të bëjë asgjë që ne kërkojmë prej tij”, tha ajo duke kërkur të mbetet anonime.

Ajo shtoi se djali i saj është i strukur dhe komunikon më pak me njerëzit në krahasim me shokët e tij.

“Ai e ka të vështirë të luajë lojëra të tjera përveç atyre dixhitale me shokët e tij, por ai mërzitet lehtë, nuk është se ia kemi kufizuar djalit tim, por është i zakonshëm me bashkëmoshatarët e tij. Ata nuk dinë si të luajnë jashtë”.

Ajo shtoi se e inkurajon atë të flasë dhe të jetë më aktiv në aspektin shoqëror me të tjerët në jetën reale.

Tradicionalja kundër artificiales

Eksplorimi i botës së fëmijëve nëpërmjet vëzhgimit dhe bashkëveprimit me të tjerët ka ndryshuar në një eksperiencë artificiale që bëhet përmes tabletëve dhe telefonave celularë, tha Bilal Sambur, profesor në Universitetin “Yildirim Beyazit” të Ankarasë.

“Derisa fëmijët të arrijnë moshën 14 ose 15-vjeçare, përdorimi i pajisjeve digjitale duhet të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Sambur.

Ai u bëri thirrje familjeve të vendosin rregulla për fëmijët që të shoqërohen me njerëz të vërtetë, duke shtuar se koha dhe vazhdimësia janë një tregues i rëndësishëm i varësisë së lojërave.

“Nëse një lojë bëhet një zakon standard dhe i vazhdueshëm i fëmijëve, kjo është gjithashtu një tregues tjetër i varësisë së lojërave”.

Duke patur parasysh idenë e gabuar se disa lojëra janë të dobishme për fëmijët, ata mund të luajnë ato lojëra sa më shumë që duan, Sambur tha: “Ky është një iluzion i madh. Fëmijët mund të jenë të varur nga të gjitha lojërat”.

‘Tabletët dhe kompjuterët nuk janë kujdestarë të fëmijëve’

“Në disa lojëra, ka misione si rrëmbimi, grabitja dhe avancimi përmes trafikut të drogës dhe është përcaktuar si një rregull i lojës që niveli mund të kalohet vetëm nëse arrihet që një numër i caktuar drogash të blihen ose shiten”, tha Deniz Unay, specialist i mediave sociale në Stamboll.

Ai tha se ka një përpjekje për të arsyetuar disa elemente kërcënuese të shoqërisë duke krijuar perceptime përmes lojërave.

Duke theksuar se kufizimi ose ndalimi i platformave virtuale nuk është kurrë një zgjidhje, Unay sugjeroi që njerëzit e të gjitha moshave duhet të edukohen dhe të informohen lidhur me këto çështje.

“Unë i paralajmëroj familjet këtu. Tabletët, telefonët celularë dhe kompjuterët nuk janë kujdestarë të fëmijëve tuaj. Ne duhet të kujdesemi për fëmijët tanë. Nëse i lëmë ata të pambrojtur në një mjedis të panjohur, çdo dëm që ata pësojnë është drejtpërdrejt faji ynë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit