1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

“Ekonomia shqiptare duhet të mbështetet tek investimet e huaja dhe rritja e eksporteve”

Më të lexuarat

“Parashikimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, që monitorojnë Shqipërinë, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, BERZH, përfshirë edhe parashikimin e qeverisë shqiptare flasin për një trend rritës, pra për parashikime optimiste që kanë të bëjnë me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto”

 

 

TIRANË (AA) – Teksa Banka e Shqipërisë pret një përshpejtim të lehtë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016, vlerësimet për trendet e zhvillimit ekonomik në vend apo modelin e zhvillimit ekonomik shikohen të lidhura me disa faktorë. Anadolu Agency (AA) ka realizuar një intervistë me analistin e çështjeve ekonomike në Shqipëri, Bardhi Sejdarasi, i cili ka folur për parashikimet rreth ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2016, faktorët që ndikojnë në trended e zhvillimet ekonomik, raportet me vendet e tjera, etj.

Duke iu referuar treguesive makro-ekonomikë, Sejdarasi, vitin 2015 e konsideron një vit pozitiv për ekonominë, ku ai i referohet edhe Prodhimit të Përgjithshëm Bruto dhe ritmeve të rritjes së tij.

“Ka një dinamikë rritjeje dhe ka një tendencë të ritmeve të rritjes, që duhen të shoqërohen edhe me dukuri të tjera, siç janë ato të rritjes së punësimit. Sa u përket faktorëve që ndikojnë në ekonomi janë faktorë që njihen, veçanërisht më të rëndësishëm janë investimet, sidomos investimet e huaja, por edhe vendase. Ka patur probleme për mënyrën e financimit të këtyre financimeve, ka patur një lloj ngërçi që lidhje me investitorët e huaj. Investimet kanë qenë pjesë e zhvillimit të ekonomisë, kanë shkuar tek 700-800 milionë euro për vitin që kaloi. Ka patur dhe vazhdon të ketë probleme me kreditimin e ekonomisë sepse kreditimi i ekonomisë vazhdon të ketë një ngërç shoqëruar në 3-4 vitet e fundit, me mungesën e investimeve vendase” u shpreh Sejdarasi.

Sipas tij, parashikimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, që monitorojnë Shqipërinë, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, BERZH, përfshirë edhe parashikimin e qeverisë shqiptare flasin për një trend rritës, pra për parashikime optimiste që kanë të bëjnë me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Janë bërë edhe kalkulime të tilla që rritja ekonomike të sigurohet nga faktorët e tjerë siç janë rritja e kreditimit të ekonomisë, veçanërisht investimet e huaja shumë të fuqishme. Këta faktorë duhet të shoqërohen edhe me të tjerë që kanë të bëjnë me tregun ndërkombëtar” shpreh ai.

Sejdarasi shpjegon se një nga sfidat më të mëdha është që ekonomia shqiptare duhet të orientohet jo vetëm thjesht ndaj përdorimit të remitancave, por veçanërisht në nxitjen e atyre sektorëve dhe atyre faktorëve brenda vendit të cilët sjellin vlerë të shtuar. Ai pohon se ka një rënie të ndjeshme të remitancave në krahasim me 5 vite më parë ku regjistroheshin deri në 1.3 miliardë euro dhe tani kjo vlerë shkon në nivelin 500-700 milionë euro, ndërsa vlerëson se nuk duhet që ekonomia shqiptare të mbështetet tek remitancat. Sipas tij një ndikim ka edhe çmimi i naftës, ndërsa shton se ndodhet në një stanjacion të plotë sektori i eksperteve minerale për shkak të tregut jo të favorshëm ndërkombëtar, ku e njëjta gjë vihet re dhe me naftën. Shtimi eksporteve dhe investimeve të huaja, sipas Sejdarasit, janë dy faktorët që do të ndikojnë për të mbajtur parashikimin prej 3-3.4 përqind të rritjes ekonomike për vitin 2016.

Sa i përket raportit me vende fqinje, por edhe me vendet e tjera ai shprehet se: “Ka tregues që duhet të na bëjnë të kënaqur, përshembull treguesi i shkëmbimeve tregtare me Kosovën. Ka një rigjallërim të ekonomisë greke, që mund të kemi akoma shkëmbime tregtare në rritje. Këto shkëmbime brenda rajonit janë në përgjithësi të kufizuara për shkak të produkteve apo shërbimeve që vendet iu ofrojnë njëri-tjetrit. Ato që kanë peshë në ekonominë shqiptare janë mineralet, energjia, metalet, etj. Ajo që është e rëndësishme është tërheqja e investimeve të huaja, sepse janë e vetmja mundësi në kushtet aktuale, në mungesë të kreditimit apo mungesë të investimeve të brendshme.”

Ajo që ndikon në vlerësimin e tij në investime është klima e biznesit dhe shton se: “Sot po vëmë re që ka investitorë të huaj që kërkojnë bashkëpunim me kompanitë shqiptare. Ka një gjallërim të tregut italian ndaj Shqipërisë. Nuk e kemi patur në këtë nivele kërkesën e investimeve turke, franceze, kërkesën e investimeve nga Izraeli, Danimarka, etj. Kemi pasur disa invesitorë tradiconal, si italian, grekë, sot kemi diversifikim të burimeve që përcaktohen si investime të huaja të domosdoshme”.

Në fund Sejdarasi vlerëson se nuk duhet që ekonomia shqiptare të mbështetet tek remitancat, por mbetet e rëndësishme, sipas tij kreditimi i ekonomisë, investimet e huaja direkte dhe rritja e eksporteve, pasi këto vlerëson ai ndikojnë në rritjen e mirëqenies dhe punësimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit