-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ekonomia e zhvillimit–recetat për rritje ekonomike dhe zhvillim social

Më të lexuarat

Ekonomia e zhvillimit është një degë e shkencave ekonomike që studion aplikimin e teknikave moderne të analizës mikro dhe makro-ekonomike në problemet ekonomike, sociale, mjedisore dhe institucionale që ndeshin vendet e varfëra dhe ato në zhvillim. Ajo fokusohet vecanërisht në faktorët që kushtëzojnë varfërinë, prapambetjen dhe mos-zhvillimin, politikat dhe institucionet që prodhojnë zhvillim, me qëllim që ti ndihmojë vendet deficitare në raport me zhvillimin e modernizimin që të dalin nga varfëria dhe projektohen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social.

Çfarë është ekonomia e zhvillimit dhe si ka evoluar ajo?

Në përmbajtjen e saj, ekonomia e zhvillimit është një tërësi praktikash publike dhe private që inkurajojnë zhvillimin ekonomik të një vendi apo rajoni, që favorizojnë investimet, inovacionet dhe teknollogjitë e reja, kulturën dhe shpirtin e sipërrmarjes, formimin profesional, edukatën e punës,etj. Objektivi themelor i saj është krijimi apo bashkimi i një mase kritike faktorësh prodhimi për të arritur një nivel të konsiderueshëm rritje ekonomike dhe për të garantuar një përmirësim të nivelit të jetës të banorëve të një shteti apo rajoni. Ekonomistët e zhvillimit tentojnë ti përgjigjen pyetjeve të mëposhtëme : si mund të matet zhvillimi?, përse në një botë që dominohet nga teknollogjitë moderne, pjesa dërrmuese e popullsisë së saj është e varfër?, përse vendet janë kaq të diferencuara në stadet e tyre të zhvillimit?, a është moszhvillimi vetëm cështje ekonomike?, cilat janë strategjitë më efektive për të stimuluar zhvillimin?, cili është roli i institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare në këtë proces?,etj.

Për shumë ekonomistë, ekonomia e zhvillimit si pjesë e shkencave ekonomike e gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e saj për shkak të diversitetit të madh të vendeve të varfëra dhe atyre në zhvillim. Ajo ndodhet nën dy “presione” : nga njëra anë parimet e përgjithshme të ekonomisë; nga ana tjetër, vecoritë e vendeve të pazhvilluara që kërkojnë trajtime e analiza specifike.

Sipas P.Guillaumont, “ekonomia  ezhvillimit ndodhet pikërisht ndërmjet këtyre dy perspektivave. Ajo ka për qëllim të shpjegojë apo adoptojë parimet e përgjithshme të ekonomisë në vendet e pazhvilluara në situata specifike ekonomike, sociale, gjeografike e historike” . Ndërsa A.O.Hirshman nënvizon se shprehja “ekonomi e zhvillimit” i rezervohet një korrenti teorik që analizon problemet e zhvillimit dhe mos-zhvillimit, se ajo karakterizohet nga refuzimi i “monoekonomizmit” apo konceptimit unik të ekonomisë, duke shprehur një grup të vecantë interesash të përbashkëta ndërmjet vendeve të pasura dhe atyre të varfëra.

Analiza e fenomenit të mos-zhvillimit bëhet nëpërmjet katër “lenteve” të ndryshme: 1)analiza nga këndvështrimi i “vonesës në zhvillim”; 2)analiza nga këndvështrimi i “specifikave të vendeve të pa zhvilluara”;3)analiza nëpërmjet paradigmës “qëndër-periferi”;4)analiza nga këndvështrimi i “lidhjeve tipike të mos-zhvillimit me zgjerimin global të kapitalizmit”.

Në shumë studime e botime, mos-zhvillimi analizohet bazuar në disa karakteristika të përgjithshme të tij si stanjacioni ekonomik, varfëria, mungesa e shërbimeve, demografia galopante dhe e pakontrolluar,etj. Kjo ka cuar në ndërtimin e një tipologjie specifike për këtë kategori vendesh : “vende periferike”, “vende të dominuara”(vitet 1950), “vende të pazhvilluara”(vitet 1960), “vende në rrugën e zhvillimit”, “vende të botës së tretë” (vitet 1970), “vende në zhvillim”(vitet 1980), “vende në zhvillim të shpejtë” (vitet 1990-2000). Institucionet ndërkombëtare përdorin gjithashtu klasifikime specifike për këtë katëgori vendesh. Banka Botërore, bazuar në nivelin e PBB/frymë përdor kategoritë “ekonomi me të ardhura të ulta” dhe “ekonomi me të ardhura të ndërmjetme”; UNDP,bazuar në “Indikatorin e zhvillimit njerëzor” (IHD), përdor kategoritë “vende me zhvillim human të dobët, IHD <0.5”, “vende me zhvillim human mesatar, IHD në intervalin 0.5 – 0.799”; CNUCED i klasifikon në bazë të të PBB/frymë, “në % e prodhimit industrial në PBB”, “nivelin e shkollimit”, “nivelin e kalorive ushqimore”, “jetëgjatësinë”, etj.

Nga pikëpamja historike, ekonomia e zhvillimit, si degë e shkencave ekonomike, ka lindur në periudhën e pas luftës së II-të botërore . Deri para vitit 1944, teoritë apo studimet specifike që lidheshin me vendet e varfëra dhe cështjet e zhvillimit konsideroheshin si pjesë e « analizës së rritjes ekonomike », duke mos patur një teori specifike për këtë qëllim. Në fillim të viteve 1950, ekonomistë si John Kenneth Galbraith, Paul N. Rosenstein-Rodan, Ragnar Nurkse Albert O. Hirchman, Arthur Leëis, , Gunnar Myrdal, Raul Prebisch,etj., bënë tentativat e para për të trajtuar « në mënyrë të ndarë » cështjet e zhvillimit ekonomik dhe rritjes ekonomike, duke përpunuar tezën se « zhvillimi nënkuptonte garantimin e një rritje ekonomike afat-gjatë… e cila nga ana e saj krijonte mundësi për rritjen e mirëqënies së popullsisë dhe eleminimin e varefërisë ».

Punimet u përqëndruan në « faktorët që përcaktojnë rritjen ekonomike » dhe politikat e investimeve masive që do ndihmonin për të dalë nga mos-zhvillimi », në konceptin e rritjes së ekuilibruar dhe asaj të dizekuilibruar, në rrethin vicioz të varfërisë, etj.  Koncepti dominues në këtë periudhë ishte se « zhvillimi apo mos-zhvillimi është thjesht cështje kohe », pra, nëse do gjendeshin dhe investoheshin kapitalet e domosdoshme (pasi mungesa e kapitalit shihej si pengesa kryesore e zhvillimit), zhvillimi ishte i garantuar.

Përse egziston diferencimi në nivelin e zhvillimit ndërmjet shumëm vendeve të botës?

Në tentativë për tju përgjigjur pyetjes se « përse egziston diferencimi në nivelin e zhvillimit ndërmjet shumëm vendeve të botës », ekonomistët e zhvillimit në këtë kohë ju përgjigjën se « zhvillimi është një fenomen universal i karakterizuar nga faza pothujase mekanike nëpër të cilat duhet të kalojnë një ditë apo një tjetër gjithë popujt. Sipas “teorisë së etapave të rritjes” të W.W.Rostow, vende apo shoqëri të ndryshme gjenden në momente të caktuara të historisë së tyre në një aks zhvillimi që shtrihet nga “shoqëritë tradicionale tek ekonomitë më të zhvilluara”.

Cdo shoqëri kalon në 5 etapa të ndryshme zhvillimi ekonomik :

1)shoqëritë tradicionale të dominuara nga sektori bujqësor dhe ndryshime të pakta sociale;

2)etapa e kushteve paraprake të zhvillimit (evolucioni i mentalitetit, rritja e produktivitetit, bujqësi në zhvillim të vazhdueshëm, rritje e popullsisë);

3) etapa e fillimit të ngritjes ose shkëputjes (rritje e investimeve dhe zhvillimi i industrisë);

4)progresi drejt maturimit (rritja e të ardhurave dhe qëndrueshmëria e tyre, revolucionet industriale);

5)periudha e shoqërive të konsumit.

Sipas tij, vendet në zhvillim gjenden kryesisht në etapat 2 dhe 3. Rostow diferenconte në mënyrë specifike fazën 3, të cilësuar si “take of » e cila ishte hapi themelor drejt zhvillimit, vecanërisht atij industrial .

Politikat publike që propozoheshin ishin të frymëzuara nga koncepti i « Planit Marshall », dhe sektori ku këto duhej të përqëndroheshin ishte industria. Në këtë kohë fjala celës ishte « nevoja për një big push » për vendet e varfëra. « Modeli Harrod-Domar » i dalë në vitin 1948, është modeli i parë ekonomik që formalizon rritjen ekonomike, që tregon karakterin e paqëndrueshëm të rritjes ekonomike dhe që kërkon « ndërhyrjen e shtetit për ta garantuar rritjen ekonomike dhe cuar përpapra atë ». Sipas tij, rritja ekonomike varej nga nga niveli i kursimeve, dhe diferencat ndërmjet nivelit të ulët të kursimeve dhe nevojave për të garantuar rritjen duhet të kompesoheshin nga ndihma e huaj.

Formulimi i famshëm i Ragnar Nurske se « një vend është i varfër, pikërisht sepse është i varfër” reflekton më së miri idenë që mbretëronte në këtë periudhë se “zhvillimi është cështje parash dhe investimesh”. Kursimet janë të pamjaftueshme sepse të ardhurat janë të ulta ; të ardhurast janë të ulta nga që nuk ka rritje ekonomike si pasojë e mungesës së kapitaleve ; mungesa e kapitaleve frenon investimet. Pra, të stimulosh zhvillimin duhet të financosh, dhe deri sa kursimet e brendshme të arrijnë një nivel të kënaqshëm, investimet duhet të vijnë nga jashtë .

Analiza e debate për strategjitë e zhvillimit dhe industrializimit

Debatet e ekonomistëve u përqëndruan sidomos në tema të tilla si : « strategjitë e industrializimit”, “degët dhe sektorët prioritarë të zhvillimit”, “rritjen e ekuilibruar apo të c’ekuilibruar”, “ekonominë e hapur apo proteksionizmin ?”,etj. Ndërkohë ekonomistët u grupuan në katër grupe që polemizonin ndërmjet tyre : korrenti strukturalist, korrenti proteksionist, korrenti reformist dhe ai liberal. Në lidhje me strategjitë e industrializimit, u diferencuan: industrializimi nëpërmjet zëvendësimit të importeve (zgjerimi i tregut të brendshëm, rrishpërndarja e të ardhurave, reforma agrare, ndërtimi i tregjeve rajonale, vendosja e sistemeve proteksioniste nëpërmjet kuotave e të drejtave doganore,politika buxhetore aktive,etj.) ; industrializimi nëpërmjet stimulimit të eksporteve (shfrytëzimi i avantazheve krahasuese) ; industrializimi integral ndërsektorial.

Në këtë periudhë në debatet e ekonomistëve mbizotëronte dhe “teoria e transmetimit të rritjes” ose “modeli Heckscher-Ohlin-Samuelson”(HOS), sipas së cilës, vendet e pazhvilluara vuanin si pasojë e keqorientimit apo mos-përshtatjs së tyre me specializimin ndërkombëtar, ndërkohë që tregëtia ndërkombëtare bazohej në diferencat e disponimit të faktorëve të prodhimit. Për këto vënde mjaftonte gjetja e një drejtimi specializimi në tregjet botërore, mundësisht në produkte që kërkonin shumë fuqi punëtore e pak kapital, që ato të avanconin në rrugën e zhvillimit. Kjo teori theksonte se tregëtia e lirë ndërkombëtare krijonte mundësinë e transmetimit të rritjes nga vendet e zhvilluara drejt atyre të pazhvilluara. Transmetimi i rritjes do të bëhej nëpërmjet tre mekanizmave :  lëvizjes së mallrave dhe teknollogjive; cmimeve të ulta në vendet e zhvilluara, që i bënin importet e vendeve të pazhvilluara më të lira; lëvizjes së kapitaleve që ishin “me tepricë” në vendet e zhvilluara dhe mund të investoheshin me fitim në vendet e pazhvilluara duke favorizuar zhvillimin e tyre.

Politikat kryesore që do të realizonin këto objektiva kishin të bënin me thithjen e investimeve të huaja dhe futjen masive të teknologjive të reja, me organizimin e sistemeve financiare dhe bankare, me administrimin më të mirë të fuqisë punëtore, me qeverisje të qëndrueshme dhe të fortë, etj. Tezat e tyre evoluan akoma më shumë duke futur idenë se « zhvillimi kishte nevojë për rritjen ekonomike….por një politikë e mirëfilltë zhvillimi duhet të përfshinte dhe objektivin e reduktimit të pabarazive ekonomiko-sociale dhe të kënaqte nevojat bazë të popullsisë së varfër » .

Por, këto teori e interpretime të ekonomistëve ndryshuan radikalisht në periudhën 1960-80, dhe koncepti se zhvillimi ishte cështje kohe dhe investimesh, u zëvendësua, sidomos nën ndikimin e “shkollës strukturaliste” dhe “shkollës neo-marksiste”, me « teorinë e ndërvarjes dhe marrëdhënieve të pabarabarta qëndër-periferi », dmth., me interpretimin se « marrëdhëniet ekonomike dhe zhvillimi i vendeve të varfëra varej nga vendet e pasura », se “qëndra është përgjegjësi i vetëm për moszhvillimin e periferisë”, se vendet « ish-koloniale » që kishin fituar pavarësinë dhe liritë politike, ekonomikisht vazhdonin të mbeteshin të varur nga ekonomitë e zhvilluara të metropoleve koloniale të dikurshme .

Kjo teori nënvizonte se « vendet e pasura kanë nevojë për vendet e varfëra që të garantojnë rritjen e tyre ekonomike » . Për ekonomistin argjentinas Raul Prebisch, « zhvillimi dhe pasurimi i vendeve të zhvilluara është proporcionalisht i kundërt me varfërimin e vendeve të varfëra », se “produktiviteti dhe fitimet e vendeve të pazhvilluara transferohej në vendet e industrializuara” .

Për ekonomistët partizanë të « teorisë së ndërvarjes », të tillë si Samir Amin, Giovanni Arrighi, Sergio Bagú, Fernando Henrique Cardoso, Celso Furtado, Hans Singer, Immanuel Ëallerstein, Theotonio dos Santos, etj., ishte e pamundur që « vendet e jugut » të zhvilloheshin pa u cliruar nga lidhjet dhe ndërvarjet me ekonomitë e fuqishme të vendeve « të veriut », sepse zhvillimi i vendeve të veriut mbështetej në mos-zhvillimin e atyre të jugut.  Në kundërshtim me teorinë e transmetimit të rritjes nëpërmjet specializimit ndërkombëtar dhe tregëtisë, këta ekonomistë mendonin se ishte pikërisht tregëtia ndërkombëtare burimi i varfërimit të vendeve të jugut, arsye që justifikonte aplikimin e politikave proteksioniste dhe planifikimin qëndror në këto vende.

E gjithë kjo ngarkesë ideologjike e politike që karakterizoi debatet mbi zhvillimin coi në hartimin nga ana e vendeve në zhvillim të « strategjive të mirëfillta kombëtare të zhvillimit », në « hartimin e politikave të zhvillimit të pavarura nga perëndimi dhe metropolet koloniale», në « politika që synonin të kopjonin modelin e vendeve të zhvilluara ». Cdo vend i « jugut » apo « periferisë » duhet të synonte ekonominë e tij të pavarur dhe me cikël të mbyllur.  Por, në fillim të viteve 1970, ekonomia botërore u përball me një krizë të rëndë me natyrë strukturore duke bërë që si vendet e zhvilluara kapitaliste, ashtu dhe ato në zhvillim të reflektonin mbi politikat dhe strategjitë e të ardhmes . Vendet në zhvillim dhe ato të varfëra u gjendën në borxhe që nuk mund ti shlyenin, ndërkohë që mjaft nga bankat e mëdha që deri tani kishin qenë kreditorët e tyre po kërcënoheshin nga falimentimi . Mbas deklarimit të Meksikës në vitin 1982 se ajo ndërpriste pagimin e cdo interesi apo principali për borxhet e saj, «kriza e borxheve » u bë fjala celës që shpjegonte gjendjen e këtyre vendeve. Menaxhimi i kësaj krize ju besua institucioneve të Bretton Woods-it, si FMN dhe Banka Botërore nëpërmjet planeve të “axhustimit strukturor” dhe « Konsensusit të Washingtonit » që synonin “aderimin e vendeve të jugut në filozofinë dhe politikat derregulluese, aplikimin e liberalizmit ekonomik, hapjen e tregjeve, privatizimeve masive dhe ortodoksinë buxhetore, etj.”

Metoda e analizës shkakësore në ekonomi

Në fillim të viteve 1990, disa ekonomistë të zhvillimit si Michael Kremer, Esther Duflo, Ted Miguel, Abhijit Benerje, Sendhil Mullainathan,etj., në kuadrin e kërkimit të metodave “për të kuptuar faktet e politikave ekonomike dhe eksperiencave të zhvillimit” në nivel lokal e terrene konkrete, zhvilluan “metodën e analizës shkakësore në ekonomi”. Ata projektuan “teorinë e randomizimit”, “teorinë e vlerësimit të rastësishëm”, duke insistuar tek investimet e tipit “mikro-projekt” si një strategji zhvillimi efektive dhe racionale. Kjo shënoi dhe lindjen e një nën-disipline në shkencat ekonomike të quajtur “ekonomia e mikro-zhvillimit”.

Objektivi i teorive të randomizimit apo vlerësimit të rastësishëm është puna direkte me partnerët në terren që mund të jenë OJQ, qeveri lokale apo kompani private, të cilat duan të zbatojnë një program të caktuar për të krijuar kushte shërbime në të cilat ata që përfitojnë nga programi të jenë tërësisht të krahasueshëm me të tjerët që nuk mund të përfitojnë në momentet e para të aplikimit të tij. Për këtë, fillimisht zgjidhet një “grup provë”, p.sh., 100 komuna ku ndërtohen shkolla, qëndra të shërbimit shëndetsor, qëndra agropërpunimi, ujësjellësa, sisteme ujitje e kullimi, rrjete kanalizimesh, sisteme mikrokredie,etj. Mbasi evidentohet eksperienca pozitive e tyre dhe krahasohen të dhënat socio-ekonomike të këtyre komunave me pjesën tjetër të tyre të një zone apo në rang vendi, atëhere kjo eksperiencë shtrihet në gjithë hapësirën që ka nevojë për këtë shërbim dhe kthehet “në politikë e qëndrueshme zyrtare”.

Tranzicioni nga një ekonomi e pazhvilluar në një ekonomi të zhvilluar kërkon arritjen e një “niveli kritik adaptimi kulturor, edukativ, politik, legjislativ e material të lidhur me zhvillimin”. Shembulli i vendeve të grupit BRICS (Brazili, Rusia, Kina, India, Afrika e Jugut) tregon se “shkëputja drejt zhvillimit” u favorizua nga faktorë të tillë si mbrotja e industrive të reja vendase, shtimi i kredive për investime dhe eksporte, mbajtja e një kursi këmbimi “nënvleftësues” për monedhat vendase në mënyrë që të nxiten eksportet, egzistenca e një sektori publik relativisht të fortë e efikas, investime të konsiderueshme në kapitalin njerëzor, reforma agrare që e përfshijnë sa më shumë fshatarësinë në prodhim, politika mbështetëse në shëndetësi, etj. Projektet e zhvillimit synonin të përfshinin sa më shumë shtresa të popullsisë duke i krijuar atyre kushte për inisiativë dhe besim tek rezultatet e synuara.

Teoritë e zhvillimit të dhjetëvjecarit 1990-2000, të përpunuara vecanërisht nga ekonomisti Michael Porter, insistonin në nocionin e “qëndrave gjeografike të kompetencës” në të cilat duhet të grupoheshin “njohuritë më të rëndësishme” të cilat do të krijonin një burim të ri të jashtëzakonshëm të avantazheve konkuruese. Rasti i “Silicon Valley” në SHBA, apo “specializimet” në industrinë hapësinore, inxhinerinë gjenetike, biokarburantet, medikamente gjenerike, etj., që vende të ndryshme po marrin e konkretizon më së miri këtë teori.

Teoritë dhe debatet mbi rrugët e zhvillimit në shek.XXI-të

Në fillim të viteve 2000, debatet dhe rrugët kryesore të zhvillimit u fokusuan në një inisiativë ndërkombëtare të udhëhequr nga OKB që u shpall gjatë “Takimit të Mijëvjecarit” në shtator 2000 në Neë York, në të cilën morrën pjesë 193 kryetarë shtetesh e qeverish dhe 23 organizata ndërkombëtare. Produkt i këtij takimi ishte shpallja e “Objektivave të Mijëvjecarit për Zhvillimin” që do të përbënin rrugën kryesore nga do kalonte zhvillimi ekomiko-social në shkallë globale deri në vitin 2015. “Takimi i Mijëvjecarit” fiksoi 8 objektiva themelore : 1)reduktimi i varfërisë ekstreme dhe urisë; 2)garantimi i arsimit bazë për të gjitjë; 3)promovimi i barazisë gjinore dhe përfshirja e femrave në aktivitetin ekonomik; 4)zvogëlimi i vdekshmërisë foshnjore; 5)zvogëlimi i vdekshmërisë mëmësore; 6)luftimi i sëmundjeve si SIDA, tuberkulozi,etj.; 7)garantimi i një mjedisi të qëndrueshëm; 8)vendosja e një partneriteti botëror për zhvillimin.

Në këtë kuadër, në 2002 u mbajt një konferencë ndërkombëtare në Monterrey të Meksikës me objekt “financimin e zhvillimit” e cila fiksoi elemnetët e partneritetit për koordinimin e një zhvillimi global, në të cilin vendet e zhvilluara dhe ato të varfëra ranë dakort për të ndjekur një rrugë të përbashkët për zvogëlimin e varfërisë dhe nxitjen e zhvillimit. Cikli vazhdoi me “Takimin botëror për një zhvillim të qëndrueshëm” që u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut në 2002, në të cilin u diskutua për një administrim më të mirë të burimeve natyrore, ekosistemeve dhe diversitetit në shkallë globale si dhe u përcaktuan afatet dhe instrumentet e realizimit të Objektivave të Mijëvjecarit. Në vitin 2015, Objektivat e Mijëvjecarit hyjnë në një etapë të re 15 vjecare ku fokusi kryesor u përqëndrua tek politikat dhe treguesit e zhvillimit të qëndrueshëm. Këto takime e vendime hapën një periudhë të re në historinë e zhvillimit, pasi ishin objektivat e parë në shkallë ndërkombëtare që njohën në nivelet më të larta politike domosdoshmërinë e luftës kundër varfërisë, rolin dhe kontributin që vendet e pasura duhet të jepnin në këtë drejtim (ato u angazhuan që të kontribuonin në formën e ndihmave për zhvillim me 0.7% të PBB të tyre, të anullonin një pjesë të konsiderueshme të borxheve të vendeve të varfëra, të ndihmonin në financimin e politikave të zhvillimit të vendeve të varfëra,etj.), si dhe faktin se vendet e varfëra nuk mund të dilnin të vetme nga situata dramatike ku ndodheshin (ato u angazhuan që të ndërtonin dhe zbatonin strategji kombëtare specifike për realizimin e Objektivave të Mijëvjecarit) .

Në optikën e perspektivës së ekonomisë së zhvillimit, në fillim të shek.XXI-të, informacioni dhe dija po zëvendësojnë kapitalin dhe energjinë si faktorë bazë të krijimit të pasurisë e mirëqenies, ashtu si këto dy të fundit zëvendësuan punën e dorës dhe pronën e tokës dy shekuj më parë. Progresi teknollogjik i shek.XX-të e ka transformuar pjesën dërrmuese të punës që krijon pasuri nga një bazë « fizike » në një bazë « dije e njohurish ». Në mesin e shek. XIX-të, « kapitali fizik » përfaqësonte 65-70% të kontributit në rritjen e rendimentit të punës ndërsa në fund të shek. XX-të, ai përfaqësonte 20-25 % të këtij kontributi. Shekulli i XXI-të po e thellon akoma më shumë këtë tendencë duke e cuar në 15-20%. Teknollogjia dhe dija konsiderohen si faktorët celës të prodhimit, rritjes ekonomike dhe zhvillimit. Ekonomistët vlerësojnë se është i nevojshëm një revolucion i tërë dhe në treguesit e matjes dhe shprehjes së efekteve të kësaj ekonomie të re gjithnjë e më « jo-materiale ». Ekonomisti D.Sichel, vlerëson se ndërsa « informatika peshon vetëm 2% në stokun e kapitaleve në SHBA, kontributi i saj në rritjen ekonomike është të pakten disa herë më i lartë» .

Si pasojë e « lehtesisë së transportit » të informacionit dhe globalizimit të cilësive të fuqisë punëtore, njohuritë dhe ekspertiza mund të zhvendosen shumë shpejt nga nje cep i globit në një tjetër dhe për pasojë cdo avantazh i përftuar mund të humbet shpejt. Konkurrenca dhe pabarazitë në zhvillim, po vijnë nga « ekonomia e dijes dhe shërbimeve ». Përballimi i saj është i lidhur ngushtë me një proces inovativ permanent të bazuar në njohuritë të thella shkencore, në aftesinë e shpërndarjes dhe përvetsimit të tyre, duke e bërë « ekonomine dhe administrimin e dijes dhe informacionit » një faktor esencial të zhvillimit. Në strategjinë e Lisbonës, BE vendosi si objektiv prioritar që ta bënte « ekonominë europiane, ekonominë e dijes më konkurruese dhe më dinamike të botës » . Ekonomisti amerikan Paul Romer shprehet në mënyrë metaforike se « idetë mund të krijojnë mundësi që rritja ekonomike të vazhdojë dhe 5 miliard vjet të tjera » .

Ekonomia e vendeve të zhvilluara po përfshihet në këtë sistem të ri : teknollogjitë e informacionit dhe komunikimit janë prezent kudo duke shoqëruar në cdo hap procesin e prodhimit dhe shpërndarjes. Kompanitë dhe firmat e « ekonomise së re » po i shkurorëzojnë cdo ditë e më tepër kompanitë e « ekonomisë së vjetër ». Bota ka hyrë në një periudhë të re të historisë ekonomike dhe zhvillimit. Sfidat nuk janë më vetëm në Europë si në fillim të shek. XIX-të ; nuk janë mëvetëm në Europë, Amerikën e Veriut dhe Japoni si gjatë shek.XX-të ! si pasojë e këtij « revolucioni  teknollogjik », sfida ka përfshirë gjithë botën duke prodhuar një realitet të ri në lidhje me procesin dhe konceptet e zhvillimit, në të cilin  « të gjithë ndeshen me të gjithë »./fjale.al/

Autor: Adrian Civici

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit