Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur në një takim kryetarin e Këshillit Shura (Dhoma e Lartë – Këshilli Konsultativ) të Egjiptit, Ahmed Fahmy Ahmed,i cili në krye të një delegacioni të gjerë parlamentar, me ftesë të kryekuvendarit Krasniqi, po qëndron në vizitë zyrtare treditore në Kosovë.
Kryetari i Dhomës së Lartë, Ahmed Fahmy Ahmed, tha se Parlamenti i Egjiptit përkrah Kosovën në të gjithë lëmenjtë.
Krasniqi , ndërkaq, tha se Egjipti, në periudhën deri sa të njohë pavarësinë e Kosovës, mund të hapë një zyrë në Prishtinë, siç kanë bërë edhe disa shtete.
“Ne kemi pasur që në lashtësi marrëdhënie shumë të mira, ndaj e kemi lehtë të ripërtërijmë marrëdhëniet. Urojmë që periudha e tranzicionit të kalojë sa më shpejt, ndërsa krahas fuqizimit të jetës institucionale në Egjipt të forcohen edhe marrëdhëniet në mes dy vendeve tona”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.
Ndërkaq, Ahmed Fahmy Ahmed, theksoi se do të angazhohet për të inkurajuar hapjen e Zyrës së Egjiptit në Kosovë, posa delegacioni të kthehet në Egjipt.
“Pas revolucionit Egjipti ka pikëpamje të reja ndaj Kosovës. Populli i Egjiptit e përkrah pavarësinë e Kosovës, rezervat ndaj kësaj çështjeje i takojnë së kaluarës. Ndërkaq, derisa të hapet ambasada e Egjiptit në Kosovë duhet të vazhdojë thellimi i marrëdhënieve kulturore e ekonomike ndërmjet dy vendeve”, tha Ahmed.
Edhe përfaqësuesit tjerë të delegacionit theksuan se deri në njohjen e Kosovës, nuk ka pengesa për thellimin e marrëdhënieve të dyanshme. Një anëtar i delegacionit egjiptian shprehu shpresën se në vizitën tjetër do të festohet hapja e ambasadës së Egjiptit në Kosovë.
Në konferencën për media, kryekuvendari Krasniqi vlerësoi lart rëndësinë e vizitës së delegacionit parlamentar, duke theksuar se këto vizita po thellojnë format e bashkëpunimit në shumë segmente. “Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit”, tha ai, “është çështje e momentit”.
Kryetari i Dhomës së Lartë, Ahmed Fahmy Ahmed pohoi se Egjipti është përkrahës i Kosovës dhe vlerëson pavarësinë dhe lirinë së saj.
“Jemi në përfundim të rrugës së njohjes së pavarësisë së Kosovës, po them njohjes, megjithëse Kosova është në zemër të Egjiptit”, theksoi Ahmed Fahmy Ahmed.kohaislame