1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Edukata e përmendjes së Allahut

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, i Cili, përkujtuesit dhe përkujtuesve të Allahut vazhdimisht u ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj për begatitë, dhuntitë e Tij të shumta me falënderim të madh.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të Dërguarin tonë Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij si dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.

Në ndalesat vijuese do të paraqesim një vepër prej veprave të vlefshme në çdo kohë dhe vend, por vlera e saj vërtetohet në këtë muaj të bekuar. Kjo vepër është përmendja (përkujtimi) e Allahut të Madhërishëm me fjalë dhe vepra.

Ndalesa e parë:

Të përmendurit e Allahut të Lartësuar ka ardhur në Librin e Tij në shumë ajete, me forma të shumëllojshme dhe me formulime të ndryshme në Sunetin Pejgamberik, me fjalë ose vepër, duke urdhëruar për të, inkurajuar, shpjegimin e asaj se çka u ka përgatitur përkujtuesit Allahu, dhe herë të tjera me ndalimin nga të preokupuarit e asaj që largon prej të përmendurit të Tij.

Të meditojmë në fjalën e Allahut të Lartësuar duke i urdhëruar robërit e Vet për ta përmendur Atë:

“O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.” (Ahzab, 41-43)

Gjithashtu thotë:

“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë.” (A’rafë, 205)

Po ashtu thotë:

“Dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (Xhumua, 10)

Në disa ajete të tjera Allahu i Madhërishëm i lavdëron përkujtuesit e Tij dhe shpjegon shpërblimin e tyre dhe atë çka u ka përgatitur atyre. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar i kërcënon të shkujdesurit nga të përmendurit e Tij me humbje dhe shkatërrim. Ai thotë:

“O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” (Munafikun, 9)

Ndalesa e dytë:

Allahu i Madhërishëm ka sqaruar se fshehtësia e bindjes dhe shpirti i saj është të përmendurit e Allahut, nga aspekti se e ka bërë shoqërues të të gjitha veprave. Allahu e ka shoqëruar me namazin. Ai thotë:

“Dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” (Ta Ha, 14)

Gjithashtu thotë:

“Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë.” (Nisa, 103)

Allahu i Madhërishëm sa i përket namazit të xhumasë thotë:

“Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (Xhumua, 10)

Ndërsa Pejgamberi i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, përkitazi me çështjen e haxhillëkut thotë:

“Rrotullimi (tavafi) rreth Qabesë së Shenjtë, sa’ji rreth Safasë dhe Mervasë dhe hedhja e guralecëve janë ligjësuar për ta përmendur Allahun.”[1]

Allahu i Lartësuar përmendjen e Tij e ka shoqëruar me luftëtarin me rastin e ndeshjes me armikun e tij. Ai thotë:

“O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni.” (Enfalë, 45)

Ndalesa e tretë:

Vërtet, vlerat dhe dobitë e të përmendurit të Allahut janë të shumta, ndër më të rëndësishmet janë:

Përfundimi i tij është hyrja në xhenet. Ebu Davudi dhe të tjerët shënojnë nga Muadh bin Xhebeli, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Kush e ka fjalën e tij të fundit nga kjo botë La ilahe il-lall-llah do të hyjë në xhenet.”[2]

Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, na nxit për përkujtimin e njeriut në momentin e vdekjes dëshminë La ilahe il-lall-llah. Shënon Imam Muslimi në koleksionin e tij të saktë nga Ebu Seid el-Huderi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se Pejgamberi i Allahut ka thënë:

“Përkujtoni të vdekurit tuaj me ‘La ilahe il-lall-llah’.”[3]

Ndalesa e katërt:

Të përmendurit e Allahut përfshinë fjalët dhe veprat në çdo kohë dhe në çdo vend. Në këtë kontekst, kemi hadithe të shumta nga Suneti Pejgamberik, ndër to: Shënon Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Dy fjalë janë të lehta në gjuhë, të rënda në Mizan (peshojë), të dashura te Mëshiruesi: Subhanall-llahi ve bihamdihi, subhanall-llahil-adhiim.”[4]

Imam Muslimi shënon nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Zotit ka thënë:

“Të them: “SubhanAllahi vel hamdu lil-lahi ve la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber, është më e dashur për mua se sa ajo ditë në të cilën ka lindur Dielli.”[5]

Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Ejub el-Ensariu, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“La ilahe il-lall-llahu, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir; dhjetë herë, e ka shpërblimin sikur t’i ketë liruar katër persona, nga bijtë e Ismailit.”[6]

Gjithashtu Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Musa el-Esh’ariu, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, ka thënë:

“O Abdullah bin Kajs, a të tregoj për thesarin prej thesareve të Xhenetit? La havle ve la kuvvete il-la bil-lah” – (S’ka ndryshim e as forcë, pos me ndihmën e Allahut).”[7]

Prej llojeve të përmendjes (dhikrit) së Allahut: Istigfari (kërkimi i faljes) në çdo kohë, e veçanërisht kjo vërtetohet në kohën e vlefshme dhe në vendin e vlefshëm. Allahu i Lartësuar, duke sqaruar vetitë e besimtarëve të devotshëm thotë:

“Dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran, 17)

Gjithashtu thotë:

“Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e ti kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” (Maide, 74)

Lidhur me Nuhun, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë:

“E u thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 10-12)

Gjithashtu thotë:

“Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nisa, 110)

Kurse i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e shpeshtonte kërkimin e faljes. Ebu Davudi dhe të tjerët shënojnë nga Ibën Umeri, kënaqësia e Allahut qoftë me të dytë, se ai ka thënë:

“Kemi mundur që të numërojmë Pejgamberin në mexhlis të thotë 100 herë: ‘O Zot! Më fal dhe më prano pendimin tim! Ti je Ai që pranon pendimin dhe që fal shumë.”[8]

Transmetohet nga Egar el Muzeni, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Edhe mua më kaplon harresa, prandaj i lutem Allahut për falje nga 100 herë në ditë.”[9]

Ndalesa e pestë:

Vërtet, të përmendurit e Allahut konsiderohet prej veprave më madhore që mund të afrohet robi tek Allahu i Lartësuar, siç shënon Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, nga Ebu Derdai, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se Pejgamberi i Allahut, ka thënë:

“A dëshironi t’ju tregoj për një vepër që është më e dashur dhe më e lavdëruar tek Sunduesi i juaj dhe do e ngrejë më shumë shkallën tuaj? Është më e mirë për ju sesa të jepni lëmoshë ari dhe argjend, është më e mirë për ju sesa të takoheni me armikun dhe t’ia hiqni kokat atyre apo t’ju heqin kokat juve?” Të pranishmit thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” Ai tha: “Të përmendurit (dhikri) e Allahut.”[10]

Ndaj, prej këtu, muslimani duhet t’i afrohet Allahut të Madhërishëm në këtë muaj të bekuar, të lidhet me të përmendurit e Tij, duke qenë në këmbë e i ulur, duke ecur e duke qenë i hipur, i mëson lutjet e sakta të transmetuara dhe ato ua mëson familjes dhe fëmijëve të tij. Atij do t’i afrohen engjëjt dhe do të largohen nga ai djajtë, siç është transmetuar në shumë hadithe. U mëson fëmijëve të vet lutjet e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes, lutjet e gjumit para dhe pas zgjimit, lutjet me rastin e daljes nga shtëpia dhe hyrjes në të dhe në të gjitha situatat tjera. Kësisoj, e ruajmë vetveten dhe shoqërinë tonë nga çdo e keqe dhe e dëmshme.

Agjërues dhe agjëruese!

Vëzhguesi në realitetin tonë kundrejt këtij adhurimi të bekuar e të vlefshëm, gjen neglizhencë të qartë, shkujdesje të dukshme, preokupim me gjëra të tjera e jo me të përmendurit e Allahut, vëren mexhliset të mbushura me thashetheme, përgojim dhe bartje të fjalëve, tallje të shumta dhe të qeshurit e shumtë vrasës i zemrës, dhe gjëra të tjera që i pushtojnë kohët e të moshuarve dhe të rinjve, burrave dhe grave.

Muslimanë të nderuar!

Vërtet, muaji i Ramazanit konsiderohet mundësi e madhe për të kapur atë që ka ikur, neglizhencën në kalimin e jetës, për të plotësuar atë që ka shkuar. A ka ndonjë ndalesë me vetveten për ta llogaritur atë për kohën që ka humbur dhe preokupuar nga të përmendurit e Allahut?

Sigurisht, Ramazani është stinë e tregtisë së suksesshme me të përmendurit e Allahut, leximin e Kur’anit, lutjes, kërkimit të faljes dhe vepra të tjera të mira.

E lus Allahun e Madhërishëm që të na falë gabimet dhe neglizhencën tonë, t’i shumëfishojë shpërblimet tona, të na ndihmojë në përmendjen e falënderimin e Tij dhe në adhurimin sa më të mirë. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/
[1] Ebu Davudi, 1/581, nr. 1888. Ahmedi , 6/64, 75.

[2] Ebu Davudi, 1/207 nr. 3116, Hakimi 1/351

[3] Muslimi, 2/631, nr. 917. Ibn Ebi Shejbeh, 3/237, Ibn Maxhe nr. 1444.

[4] Buhariu 11/206 nr. 6404. Muslimi, 4/2072, nr. 2694

[5] Muslimi, 4/2072 nr. 2695. Tirmidhiu nr. 3597

[6] Buhariu 11/201. Muslimi, 4/2071.

[7] Buhariu, 11/187. Muslimi, 4/2076.

[8] Ebu Davudi, 1/475 nr. 1516. Tirmidhiu, 5/461 nr. 3434. Nesaiu, 6/119 nr. 10292.

[9] Muslimi, 4/2075 nr. 2702. Ebu Davudi, 1/475 nr. 1515.

[10] Tirmidhiu, nr. 3377. Ibn Maxhe nr. 3790. Hakimi, 1/496

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit