3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Specialja në Hagë

Më të lexuarat

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtar dhe zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka marrë ftesë për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Vetë Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se është ftuar që më 24 korrik të paraqitet për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë më 24 korrik 2019.

“Është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:

“DEKLARATË

Prishtinë, më 20 korrik 2019

Të nderuar bashkëkombës

Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019.

Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.

Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.

Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.

As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.

Jakup Krasniqi, anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe, të premtën kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje pasi Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim. E nga specialja për intervistim është ftuar edhe Bisilm Zyrapin, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi si dhe disa ish-eprorë tjerë të UÇK-së./tg

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit