Ministri belg i Mbrojtjes, Pieter De Crem ka deklaruar sot se nuk është në favor të shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në vendin e tij. Belgjika, Franca dhe Shqipëria janë tre vendet që janë kontaktuar nga SHBA-të si vende të mundshme për shkatërrimin e një arsenali prej 1 mijë tonë lëndë kimike.
“Jemi gati të bëjmë një përpjekje për të kontribuar, por nuk mbështes në pamje të parë por edhe në terma afatgjatë që kjo të kryhet në Belgjikë”, ka thënë De Crem për radion “VRT”.
“Mund të ndihmojmë për të neutralizuar këto armë, por besoj se ky proces duhet kryer afër Sirisë”, citohet ministri nga agjencia kombëtare e lajmeve në Belgjikë.
Të premten e kaluar, Shqipëria tha se nuk mund të ndihmojë me shkatërrimin e këtyre armëve në territorin e saj pasi një ide e tillë shkaktoi protesta në vend.
Norvegjia gjithashtu është shprehur se nuk mund të bëjë një gjë të tillë në tokën e saj dhe bashkë me Danimarkën kanë ofruar anije për të bërë transportin e armëve kimike jashtë Sirisë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle gjithashtu ka ofruar ndihmë financiare dhe teknike. /Shekulli/kohaislame