Allahu i Lartësuar na e ka qartësuar në Librin e Tij (Kur’anin), se jeta e kësaj bote është një kënaqësi e përkohshme dhe një përjetim mashtrues.
” Dijeni se jeta e kësaj bote është veçse lojë, kalim kohe në argëtim, stoli e krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve. Ajo i ngjan atij shiut, prej të cilit bima i habit bujqit, por pastaj ajo thahet dhe e sheh të verdhë, mandej përthyhet dhe kalbet. Ndërsa në botën tjetër ka dënim të rëndë, por edhe falje gjynahesh dhe dhurim kënaqësie nga Allahu. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim mashtrues.”
(El-Hadid, 20)
Ebu Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- thotë: Ka thënë i Derguari i Allahut ﷺ : ” Dynjaja është burg për besimtarin dhe xhenet për pabesimtarin”
(Muslimi)
Profeti ﷺ ka thënë: “Kjo botë është e mallkuar, kjo botë është e mallkuar përveç përmendjes së Allahut dhe kush e lartëson Atë, dijetari dhe i dituri.”
(Termidhiu thotë ky është hadith i mirë)
Ja kjo është e vërteta e dynjasë të cilën e kërkojnë dhe e përqafojnë shumë prej njerëzve, siç e ka cilësuar i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ka largësi të madhe ndërmjet këtyre dhe atyre që e njohën të vërtetën e saj, prandaj ata iu afruan Ahiretit, e kërkuan atë, dhe punuan për të, sepse nuk barazohen këta dy grupe tek Allahu asnjëherë.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem.”
(Esh-Shura, 7)
Allahu i Madhëruar thotë:
“Nuk janë, kurrsesi, njëlloj i verbëri dhe ai që sheh, as errësira dhe drita, as freskia (e hijes) dhe vapa. Po kështu nuk janë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit.”
(El-Fatir, 19-22)
Vërtete i sprovuari me dynjanë jetoi në të i verbër.
” Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.”
(El-Haxh,46)
Dhe ai në Ahiret është më i verbuar dhe më i humbur!!