0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e makinave elektrike

Më të lexuarat

Jetojmë në një periudhë ku mund të themi se makinat elektrike po bëhen trend. Në fakt këto makina nuk lindën sot. A e dinit që një model i makinës elektrike së parë u ndërtua në vitin 1880? Megjithatë këto lloj makinash u njohën gjerësisht në shekullin e 20-të. Ishte Thomas Parker, inxhinieri i parë që arriti të ndërtonte makinën e parë eletrike të përshtatshme për prodhim në vitin 1884. Kjo makinë përdorte bateri të rikarikueshme.
 
Në vitin 1900, vetëm 22% e makinave punonin me karburant ndërkohë që 40% e tyre ishin elektrike. Sigurisht që makinat me karburant funksiononin më mirë dhe ishin më të lira ndaj dhe ato u përdorën gjerësisht deri në ditët e sotme. Një makinë elektrike kushton dyfish më shumë se sa makinat e zakonshme. Në vitin 1930, makinat me karburant arritën të pushtonin plotësisht tregun, duke bërë që makinat eletrike të zhdukeshin. Por me ardhjen e vitit 1950, individët u ndërgjegjësuan përsa i përket ndotjes që shkaktonin këto makina. Kjo gjë rriti interesin për makinat elektrike në vitet 1980-1990.
 
Por ku qëndron ndryshimi mes makinave eletrike dhe makinave me karburant?
 
Ndryshimi parësor është se makina elektrike përdor motor elektrik ndërsa ato të zakonshmet motor me karburant. Në pamjen e jashtme, makinat eletrike duken krejt normale por në brendësi të tyre fshihen disa komponentë të veçantë. Pjesa kryesore e makinës elektrike është bateria. Kombinimi i baterisë me motorrin elektrik krijojnë atë që quhet truri i makinës.
 
Tesla apo Edison?
 
Ekzistojnë dy lloj motorrash të ndryshëm që mund të përdoren në një makinë elektrike; AC dhe DC. Motorët janë ndërtuar respektivisht nga Nikola Tesla dhe Thomas Edison. Diferenca kryesore mes dy motorëve qëndron në faktin se ata kërkojnë fuqi të ndryshme për tu vënë në funksion. Një motor DC përdor 92 deri në 192 volt ndërsa ai AC kërkon bateri me kapacitet 240 deri në 300 volt. Motorrat DC janë gjithashtu më të lirë por kanë kufizime të shumta. Ndërkohë që motorrët AC janë më të lehtë për tu implementuar në automobila.
 
Pse makinat eletrike ende nuk janë të përhapura në rrugë?
 
Ka disa arsye pse makinat eletrike sot nuk janë pjesë e rrugëve. Disa probleme ende nuk janë zgjidhur, siç janë bateritë e rënda, koha e gjatë që kërkojnë për karikim, çmimi i lartë dhe vështirësia për karikim. Sot teknologjia ka avancuar dhe është bërë diçka për ti bërë makinat elektrike më efikase por mund të themi se kompanitë e prodhimit të makinave kanë tendencën të na mbajnë të varur nga karburanti. Kjo vërtetohet dhe nga rasti i metrosë elektrike në Los Angeles e cila u nxor jashtë loje nga General Motors në vitin 1990 si një përpjekje për të tërhequr më shumë blerës. Por mund të themi se problemi më i madh ka të bëjë me baterinë kryesisht me peshën, përmasën, kapacitetin, karikimin, jetëgjatësinë dhe çmimin. Bateritë më të rënda do të thotë makina më të rënda. Kjo gjë redukton efikasitetin dhe performancën duke i bërë ato më të shtrenjta dhe jetëshkurtra.
 
Tesla Motors
 
E themeluar në vitin 2003, kjo kompani me seli në Silicon Valley, është kompania e cila është përkushtuar plotësisht makinave elektrike. Kjo kompani e ka marrë emrin nga ndërtuesi i baterisë AC, Nikola Tesla. Tesla e përdori këtë bateri për të fuqizuar një makinë sportive. Kjo makinë u emërtua si Tesla Roadster dhe u lançua në vitin 2008. Ajo bëri shumë bujë duke ndryshuar mënyrën se si publiku i shihte makinat elektrike.
 
Por sigurisht që një makinë Tesla nuk është aspak e lirë. Megjithatë kjo nuk i ka ndaluar fansat e makinave elektrike të blejnë një të tillë. Për momentin, Silicon Valley është vendi ku vozisin më shumë makina elektrike në botë. 7 në 1000 makina përdorin një motor elektrik. CEO i Tesla, Elon Musk njihet si ‘versioni’ modern i Nikola Tesla. Ai ka ndërtuar një skemë strategjike për të rikthyer interesin ndaj makinave elektrike duke i shndërruar ato në një alternativë të përballueshme dhe të preferuar nga blerësit e makinave. Por Musk nuk kërkon të sjellë elektricitetin vetëm në makina por dhe në shtëpitë tona apo bizneset me prodhimin e një baterie gjigande.
 
E ardhmja e makinave elektrike
 
Do të duhen vite para se konsumatorët të fillojnë të përdorin makina elektrike. Tashmë reputacioni përsa i përket këtyre makinave ka ndryshuar. Individët po kërkojnë mënyra më efiçente për të lëvizur në rrugë dhe sigurisht më pak të dëmshme për shëndetin. Tesla ka bërë një punë të mirë në prezantimin e makinave elektrike në publik, duke i sjellë ato me kushte luksoze dhe funksionalitete të ndryshme. Dhe disa kompani të tjera janë duke ndjekur modelin e Tesla. Të tilla janë Volkswagen e-Golf, Nissan Leaf dhe Chevrolet Volt. Kjo tregon se nuk do të jetë e largët koha kur makinat elektrike të shndërrohen në makina të zakonshme në rrugët tona. (CIO Albanian)
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit