Korrespondenti televiziv Muntazer al-Zaidi u bë i famshëm në të gjithë Irakun dhe Lindjen e Mesme – dhe jo vetëm – pasi hodhi këpucët e tij në drejtim të atëbotë, presidentit Amerikan George W. Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad në vitin 2008 duke bërtitur: “Kjo është një puthje lamtumire nga populli irakian, ti qen!”
Por Bush u shmang dy herë pasi këpucët “fluturonin” mi kokën e tij. Ndërkaq për këtë veprim, Zaidi ka shërbyer gjashtë muaj burg për sulm ndaj një udhëheqësi vizitues.
Dhe sot, siç shkruajnë mediat e huaja, Zaidi është duke kandiduar në parlament si një anëtar i lëvizjes së klerikut Shi’ite Moqtada al-Sadr, milicia e të cilit zhvilloi një fushatë të dhunshme kundër ushtrisë amerikane gjatë okupimit të saj në Irak, por që kohët e fundit e ka ripërcaktuar veten si kundërshtar i sektarizmit militant.
Sadr dhe pasuesit e tij argumentojnë se partitë sektare dhe etnike që përfaqësojnë shiitët, sunitët dhe kurdët e Irakut, që dominojnë që nga rënia e Sadam Huseinit në vitin 2003, kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe kanë plaçkitur shtetin.
Ata kanë formuar një aleancë të pamundur me komunistët dhe grupet e tjera sekulare.
“Qëllimi kryesor dhe arsyeja kryesore e nominimit tim është që të heqim qafe të korruptuarit dhe t’i dëbojmë ata nga vendi ynë”, ka thënë Zaidi për Reuters në një intervistë.
“Unë isha gazetar kur hodha një këpucë në drejtim të Bushit. Para kësaj ngjarjeje, unë isha, dhe ende jam, kundër pushtimit dhe korrupsionit. Por të korruptuarit nuk dëgjojnë njerëzit që kërkojnë që ata të heqin dorë nga korrupsioni. Kështu që vendosa të hyja në politikë”.
Gjithsesi ai ka bërë të ditur se ka vendosur që imazhin në të cilin shihet duke sulmuar me këpucës presidentin amerikan të mos e përdorë në imazhet e tij për zgjedhje. /tg