1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

E kam dhënë sadakatul fitrin në fillim të Ramazanit. A më pranohet?

Më të lexuarat

Pyetja:

Unë punoj në perëndim dhe pata rastin që ditët e para të Ramazanit t’i kaloj në vendlindje. Atje, pashë se kishin nevojë shumë njerëz për ndihma. Unë përpos ndihmave tjera, ua dhashë disa të varfërve edhe sadakatul fitrin për vete, familjen time dhe për disa shokë me të cilët kontaktova.

Kjo pra ishte në fillim të Ramazanit. Disa më thanë se kjo nuk bën dhe duhet përsëri ta japim.

A është e vërtetë se vërtet nuk bën dhe a kam vepruar diçka keq?

 

***

Përgjigjja:

Çështja e nxjerrjes së sadekatul fitrit një kohë të gjatë para fundit të Ramazanit, do të thotë në fillim apo në mes të Ramazanit, është shqyrtuar nga dijetarët islamë dhe për këtë çështje kanë dhënë mendime të ndryshme. Dijetarët islam nuk janë të një mendimi për këtë çështje, gjegjësisht disa e lejojnë dhënien e sadakatul fitrit bile prej ditës së parë të Ramazanit, e disa e ndalojnë dhe thonë se mund të jepet vetëm disa ditë para fundit të Ramazanit.

Me këtë rast, do të cek dy çështje me rëndësi:

  1. Praktika e të dërguarit të Allahut dhe e shokëve të tij ka qenë që sadekatu-l-fitri të jepet në fund të Ramazanit që të futet gëzimi në familjet e varfura në ditën e Bajramit.
  2. Nuk ekziston ndonjë tekst nga i Dërguari i Allahut që në mënyrë të qartë e ndalon dhënien e sadekatu-l-fitrit në fillim apo në mes të Ramazanit.

Së këndejmi, më mirë është që të ndiqet praktika e të Dërguarit të Allahut dhe e shokëve të tij në këtë çështje. Mirëpo, kush vepron ndryshe, nuk do të thotë se ka gabuar, ngase nuk ka ndalesë për këtë çështje. Thjesht vetëm praktika pa deklaratë gojore nuk nënkupton se veprimi i tillë është i ndaluar. Edhe pse, të jemi të qartë, qëllimi është që ditën e bajramit të futet gëzimi në zemrat e të varfërve. Mirëpo, sot nevojat e njerëzve janë nga më të ndryshmet dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me sofrën e ditës së bajramit.

Për atë, ata që e japin sadekatu-l-fitrin në fillim të Ramazanit, nuk duhet ta përsërisin sepse e kanë kryer obligimin dhe nuk duhet kryer dy herë. Bile, nëse ka shkak për këtë veprim, si për shembull nevoja e madhe apo largësia e njeriut dhe nuk ka të afërm që t’ia jep mjetet e sadekatu-l-fitrit t’ua jep të varfurve në fund të Ramazanit, nuk ka pengesë që të veprohet në këtë mënyrë ngase nuk ka ndalesë të qartë. Nisur nga kjo, edhe dijetarët islam kanë dhënë mendime të ndryshme. Sikur të kishte patur ndalesë të qartë, dijetarët e mëdhej si Ebu Hanife, Shafiju etj, nuk do ta kishin lejuar dhënien e sadekatu-l-fitrit prej fillimit të Ramazanit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit