“Ferrero” ka vendosur të pezullojë përkohësisht prodhimin e Nutella-s në fabrikën e saj më të madhe në botë, pranë qytetit të Rouen në Francë. Ky vendim erdhi pasi produktet gjysmë të gatshme që shërbejnë për prodhimin e Nutella-s dhe Kinder Bueno-s, nuk kaluan me sukses testet e cilësisë, duke vënë kështu në rrezik edhe cilësinë e produktit përfundimtar.
“Për momentin mund të themi vetëm që asnjë produkt që është hedhur në treg, nuk ka probleme me cilësinë”, ka shpjeguar zyra e shtypit e kompanisë “Ferrero” në Francë për AFP. Gjithashtu “Ferrero” ka thënë se nuk ka ende informacion se përse produktet nuk e kaluan testin e cilësisë dhe momentalisht po zhvillohen hetime të brendshme.
Fabrika e Villers-Ecalles pranë Rouen në Francë prodhon 600 mijë kavanozë Nutella në ditë, sasi e barabartë me një të katërtën e prodhimit botëror të kësaj kompanie. Në vitin 2017 “Ferrero” investoi 40 milionë euro për të zgjeruar fabrikën, ku sot punojnë rreth 900 persona./Opinion