-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

“E ardhmja e bibliotekave të Kosovës”, në fokus të ekspertëve

Më të lexuarat

Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, të mërkurën, ka pasur festë. Përfaqësues të bibliotekave, zyrtarë institucionalë e lexues, janë bërë bashkë në ceremoninë që ka shënuar nisjen e aktivitetit që për ditët e ardhshme do të lobojë për bibliotekarinë. “Java e bibliotekës në Kosovë” ka nisur zyrtarisht maratonën pesëditore. Ceremonia solemne e hapjes së edicionit të dhjetë të këtij aktivitetit, u ka paraprirë ligjëratave, ekspozitave e sesioneve që do të mbahen gjatë ditëve të ardhshme në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës. Ndër to, është dalluar organizimi i sesionit profesional “E ardhmja e bibliotekave të Kosovës”, që do të mbahet të premten.

I pari i BKUK-së, Sali Bashota, ka qenë i pari që foli në ceremoninë solemne të edicionit jubilar të “Javës…”. Fillimisht, ai falënderoi botuesit që me donacione i kanë kontribuar rritjes së fondeve të BKUK-së.

Bashota kujtoi kohën kur ishte themeluar ky aktivitet.

“Ky manifestim është bërë në një periudhë shumë të vështirë të jetës kulturore e institucionale në Kosovë dhe ka pasur për qëllim të nxisë veprimtarinë e këtij institucioni”, ka thënë Bashota.

Nikoqiri i “Javës…” është shprehur i kënaqur me arritjet që janë bërë brenda dhjetë edicioneve.

“Java e Bibliotekës në Kosovë tash e dhjetë vjet është bërë manifestimi kryesor i prezantimit të vlerave kulturore të Kosovës dhe shumë vendeve të botës. Pjesëmarrja e ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Evropës, Evropa dhe rajoni kanë kontribuar në zhvillimin e aktiviteteve të këtij manifestimi, duke ofruar informacione dhe përvoja të rëndësishme në shumë fusha të bibliotekarisë”, ka thënë Bashota.

Paul Engestad, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, që është bashkorganizator i “Javës…”, ka thënë se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka kuptuar që institucionet kanë bërë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e bibliotekave.

“Jam në Kosovë që nga korriku i vitit të kaluar, kam zbuluar shumëçka për Kosovën, dhe ajo që kam mësuar është se zyrtarët qeveritarë dhe institucionet janë duke bërë të pamundurën që të çojnë përpara fushën e bibliotekarisë”, ka thënë Engestad.

Në emër të Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka folur këshilltari i tij Ragip Gjoshi, i cili ka thënë se institucioni që përfaqëson e ka mbështetur veprimtarinë bibliotekare.

“Raporti me dashamirësit e librit nuk është çështje sentimentale, por është një obligim yni”, ka thënë Gjoshi.

E Hajdin Abazi, zëvendësministër i Kulturës, ka shfrytëzuar rastin për të prezantuar një “mision” që Ministria e Kulturës bashkë me atë të Arsimit, ia kanë vënë vetes.

“Meqë kemi një bibliotekë unike që është Kombëtare edhe Universitare, do të punojmë që të ndryshojmë profilin. Me këtë ndryshim do të krijojmë kushte për të ruajtur edhe vlerat kombëtare, edhe për të krijuar kushte më të mira për studiuesit. Kjo mbetet sfida jonë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit”, ka thënë Abazi.

Edicioni i dhjetë i këtij aktiviteti do të përfshijë ligjërata nga ekspertë të njohur të Bibliotekës së Kongresit Amerikan, siç është Grant Harris, shef i Koleksioneve Evropiane, dhe Jason Yasner, menaxher i Bibliotekës Digjitale Botërore. Përveç tyre, do të ligjërojnë edhe ekspertë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe nga disa biblioteka të rajonit.

“Java…” do të përfshijë edhe aktivitete të tjera siç janë: Dita e Dhurimit të Librit, Tryeza e Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, organizimi i sesionit profesional “E ardhmja e bibliotekave”, ekspozita me fotografi nga koleksioni i Bibliotekës së Kongresit, ekspozita “Libri në fondet e BKUK-së”, si dhe programe arsimimi në gjuhën angleze që mbahen në “Këndin amerikan”./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit