Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, për masën e caktimit të paraburgimit kundër të pandehurit B.V.,për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorimi i personave nën moshën 16 vjeçare” nga neni 235 paragrafi 4 nënparagrafi 4.9 të KPRK-së.
Sipas një njoftimi, i pandehuri B.V., që nga shtatori i vitit 2018, në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën fillore ”Mazllum Këpuska”, në Gjakovë, dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka filluar ngacmimin seksual ndaj 27 nxënëseve të një klase/paralele, në këtë shkollë, duke përdorur fjalë joshëse e duke i ledhatuar e prekur në pjesë të fytyrës dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
“Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.