Janë dy qasje , për pushtetin që duhet ta ketë Asociacioni i komunave serbe. Njëra është mbarë, e tjetra mbrapshtë, vlerëson Sadri Ferati.
Sipas tij, ligjet e dala nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, nuk ndalojnë formimin ‘e zakonshëm’ të bashkëpunimit ndërkomunal, pavarësisht numrit të komunave që duan t’i bashkohen këtij trupi.
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilit i ra hisja në fillim të mandatit më 2008, të zbatojë në praktikë planin e Ahtisaarit, sqaron për Radion Evropa e Lirë se, sipas kësaj pakoje, dyert janë të mbyllura për krijimin e një pushteti të tretë, siç e do Beogradi me konceptin e vet për asociacionin serb.
“ Asnjëherë nuk mund të barten kompetencat komunale në nivel tjetër. Pra, duhet të merret vendimi në kuadër të komunës, në Asamble komunale dhe autorizohet kryetari që ta krijojë atë lloj bashkëpunimi. Por, gjithmonë komuna është kompetente për të marrë vendime të tilla. Dhe ato vendime, pastaj, në formë të bashkëpunimeve, ky institucion, qoftë ai bashkëpunim ndërkomunal, apo asociacion, nuk mund të marrë vendime, në këtë nivel, që do ta obligojë komunën”, thotë Ferati.
Detyrë e Feratit gjatë kohës së tij si ministër, ishte edhe zbatimi i planit të decentralizimit të pushtetit lokal, që mundësoi krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe.
Por, ish-sekretari shtetëror i Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, mendon se Prishtina, nuk e ka zbatuar këtë zotim siç është dashur.
Ai, madje, pretendon se pala kosovare ka zbatuar vetëm ato provizione nga plani i Ahtisaarit që i kanë konvenuar.
“Plani i Ahtisaarit, si i tillë, nuk është plotësisht i zbatueshëm. Ka një varg çështjesh që lexohen tani ndryshe, nga siç ishin lexuar më 2007. Çështja e zgjedhjes së komandantëve të stacioneve policore, është devalvuar deri në atë masë, sa që më nuk ka asnjë rëndësi. Pro forme, ky fakt qëndron në letër, por praktikisht kjo nuk ngjan. Ka edhe një varg çështjesh dhe përgjegjësish, të cilat është dashur të kalohen te komunat e reja, por ato nuk janë transferuar”, shprehet Ivanoviq.
Kryetari i njërës prej komunave të krijuara me planin e Ahtisaarit, Graçanicës, Bojan Stojanoviq, thotë se ka qenë një sfidë e madhe, që të organizosh jetën në rrethana të tilla, pas shpalljes së pavarësisë, dhe thekson se decentralizimi nuk ka përfunduar si duhet.
Sipas tij, ende ka gjëra që i imponohen në nivelin e qeverisjes lokale, e për të cilat nuk dëshiron të varet nga të tjerët dhe kërkon përgjegjësi shtesë.
“Ne duhet të kemi kompani publike komunale, e cila do të merret me mbrojtjen e mjedisit tonë, sepse ka të bëjë me mjedisin tonë dhe nuk mund të na imponohet se kush do ta kryej këtë punë tonën. Ne do të jemi vetë të përfshirë në këtë aspekt. Duhet të kemi pjesëmarrje dhe të dimë se çka po ngjan me ujësjellësin, dhe furnizimin me energji elektrike, për një varg arsyesh”, thekson Stojanviq.
Por, ai e sheh si hipokrizi që nga Beogradi të dëgjohet se po flet për decentralizimin e brendshëm të Kosovës.
“Problemi” i Prishtinës
Ndryshe, Sadri Ferati vlerëson se tendenca e Beogradit dhe e serbëve që të marrin nga Pakoja e Ahtisaarit atë që e dëshirojnë në mënyrë selektive, por që ta refuzojnë atë që nuk ju pëlqen, është problem edhe më i madh për Prishtinën zyrtare.
Përveç dëshirës për më shumë pushtet në nivel lokal, ai vlerëson se krijimi i strukturës së re administrative për serbët, siç po tentohet me Asociacionin e komunave serbe, po i mundësohet Beogradit që përmes njerëzve lokal të krijojë diktaturë legale.
“Unë pres edhe rezistencë, por pres që tendencat e Beogradit që t’i lë një emër të vogël asaj pjese, Asociacion, por në esencë atë ta shndërrojnë në një strukturë politiko-administrative, me kompetenca legjislative dhe ekzekutive, normal unë jam i frikësuar, sepse mjafton një presje, që të mos vihet aty ku duhet, e aty të lihet vend për interpretim të dyfishtë”, thotë Ferati.
Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka deklaruar ditë më parë se Asociacioni i komunave serbe, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se ky trup nuk do të ketë pushtet ekzekutiv.
Sidoqoftë, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, për këtë temë do të vijë në Prishtinë javën e ardhshme, për të prekur pulsin e liderëve politikë e institucional.
Ndërsa, pritet që ajo do të ushtrojë presion që pala kosovare të arrijë një marrëveshje me Beogradin, para fundit të muajit prill./rel