Durimi në punë dhe disa këshilla të dobishme për punë të mira
Ai që urdhëron për mirë dhe nuk bën durim; apo duron, por nuk urdhëron për të mirë; apo nuk urdhëron e as nuk duron; nga këta tre lloje njerëzish vjen fatkeqësia.
Allahu ka thënë: ”…urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara”. (Lukman: 17).
Shejh Hamed Atik thotë: Personi me mëkate të mëdha është më i dashur tek Allahu, se sa adhuruesit që nuk urdhërojnë për të mirë dhe nuk ndalojnë nga e keqja.
Disa nga selefi kanë thënë: ”Ai që hesht nga e vërteta është shejtan memec, ndërsa ai që flet të kotën është shejtan që flet”.
Hudhejfe –Allahu qoftë i kënaqur me të- është pyetur për të vdekurin e të gjallëve dhe ka thënë: ”Ai që nuk ndalon nga e keqja me dorën e tij, gjuhën e tij dhe zemrën e tij”.
Në shoqërinë e sotme shtëpitë janë afër dhe përballë njëra-tjetrës, megjithatë është lënë anash urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, në mesin e lagjes dhe ndaj banorëve të saj.
Pak gjen nga ata që i urdhërojnë njerëzit për t’u falur me xhemat në xhami, apo që ua tërheqin vërejtjen njerëzve për gjërat e këqija që ndodhin nëpër shtëpitë e tyre haptazi dhe në vende të tjera.
Nëna e besimtarëve Zejnebja –Allahu qoftë i kënaqur me të- është çuditur dhe e ka pyetur bashkëshortin e vet Muhamedin alejhi selam: ”A do të shkatërrohemi përderisa në mesin tonë ka njerëz të mirë?”. Pyetje e çuditshme! Si ka mundësi të shkatërrohemi, kur në mesin tonë ka agjërues dhe namazfalës të shumtë!… A do të shkatërrohemi kur në mesin tonë ka njerëz që agjërojnë ditët e bardha (13, 14 dhe 15 të çdo muaji hënor), që agjërojnë çdo të hënë dhe të enjte! A do të shkatërrohemi kur në mesin tonë ka nga ata që falen natën dhe lexojnë Kuran ditë e natë! Muhamedi alejhi selam iu përgjigj asaj: “Po, nëse shtohet e keqja”. (BUHARIU)
Ajo (e keqja) po përhapet sot me përhapjen e mjeteve të informimit dhe njerëzve të këqij në tokë, nga ata që dëshirojnë që e keqja të përhapet tek ata që kanë besuar, thumbimi dhe etiketimi i atyre që urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja me lloj-lloj etiketimesh të ndryshme e që në esencë ata janë të pastër prej tyre.
Me shpresë se këto porosi do të na ndihmojnë gjatë urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, po ju radhisim disa porosi në vijim:
1- Njohja e mirësive të Allahut dhe që askush prej nesh nuk ka mundësi t’i numërojë ato.
2- Nijeti i sinqertë për Allahun në këtë punë madhështore, njëherit duke u afruar me këtë tek Allahu.
3- Dhënia e besës me ata që na rrethojnë se do të ngjallim këtë ritual madhështor.
4- Butësia gjatë kryerjes së këtij obligimi, dhe kërkimi i rrugëve sheriatike në largimin e të këqijave.
5- Durimi nga shpifjet dhe reagimet e njerëzve gjatë kësaj pune të shenjtë.
6- Të kujtosh shpërblimin e madh për këtë punë.
7- Bamirësia ndaj njerëzve me fjalë të mira dhe buzëqeshje, në mënyrë që të arrish në zemrat e tyre.
8- Njohja e njerëzve me dispozitat sheriatike, sepse duket qartë që njerëzit kanë injorancë të theksuar në disa çështje të fesë.
9- Kërkimi i ndihmës nga Allahu dhe mbështetja tek Ai.
10- Lutjet e shumta, që Allahu të na i forcojë përpjekjet tona.
11- Përfitimi nga mjetet bashkëkohore për urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, si: telefoni, celulari, interneti, gazetat, revistat e të ngjashme.
Përshtati: Valdet Kamberi