-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar në suren el Hashr ka përmendur tre lloj besimtarësh; mërgimtarët, ensarët (ndihmësit dhe mikpritësit e banorëve të shpërngulur nga Meka) dhe pasuesit e tyre, duke sqaruar vlerën dhe pozitën e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 9)

Sa i përket shkakut të zbritjes së këtij ajeti ekziston më tepër se një transmetim, ndër më të besueshmit është transmetimi që kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi, se një burrë erdhi tek i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: “Më ka goditur uria.” Shkoi te njëra prej bashkëshorteve, kurse ajo i tha: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk kam asgjë pos ujit.” Pastaj shkoi tek tjetra dhe ajo tha të njëjtën gjë, derisa të gjitha thanë të njëjtën fjalë: “Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, nuk kemi gjë pos ujit.” Atëherë i Dërguari tha: “Kush e gostit këtë burrë sonte?” U ngrit një burrë nga ensarët dhe tha: “Unë, o i Dërguar i Allahut.” E mori atë dhe e dërgoi në shtëpi dhe i tha bashkëshortes së vet: “A ke ndonjë gjë?” Ajo iu përgjigj: “Asgjë, pos shujtës së fëmijëve.” I tha: “Lëri të hutohen ata me diçka e kur të hyjë brenda mysafiri jonë, fike fenerin.” U ulën dhe hëngri mysafiri. Të nesërmen në mëngjes shkoi tek i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kurse ai i tha: “Allahu është çuditur me veprimin tuaj me mysafirin tuaj mbrëmë.” Në transmetimin e Buhariut qëndron: “Dhe Allahu e zbriti fjalën: “…por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.”

Në disa transmetime thuhet se sahabi i cili e gostiti atë burrë ishte Ebu Talha, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Këto ishin transmetime më të sakta sa i përket shkakut të zbritjes së ajetit. Ato sqarojnë dashurinë e madhe që kishin ensarët për vëllezërit e tyre mërgimtarë (muhaxhirët). Ata u jepnin pasurinë e tyre edhe pse vetë ata kishin nevojë për të.

Janë transmetuar edhe forma që sqarojnë këtë lloj altruizmi që posedonin ensarët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. prej këtyre transmetimeve është edhe ky që e shënon Buhariu në përmbledhjen e tij, ku thotë: “Kur mërguan muhaxhirët në Medine, i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i vëllazëroi Abdurrahman b. Avfin dhe Sa’d b. Er Rebi. Sa’di i tha Abdurrahmanit: “Unë jam prej ensarëve më të pasur, pasurinë time e ndaj përgjysmë dhe unë kam dy gra, shiko cila të pëlqen më trego, që ta shkurorëzoj e kur t’i kalojë asaj iddeti (koha e pritjes pas shkurorëzimit) atëherë martohu me të.”

Gjithashtu në sahihun e Buhariut transmetohet nga Enes b. Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë se i Dërguari i Allahut deshi ta ndajë tokën e Bahrejnit për ensarët, kurse ata thanë: “Jo, përderisa ta ndash edhe për muhaxhirët ashtu siç e ndan për ne.”

Imam Ahmedi transmeton nga Enesi, i cili thotë se muhaxhirët thanë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk kemi parë si ky popull më solidar kur është në skamje, më bujar kur është në bollëk, na i plotësuan nevojat për ndihmë, na ushqyen, e na martuan saqë u frikësuam se mos e marrin krejt shpërblimin.” I Dërguari u tha: “Jo, derisa jeni mirënjohës ndaj tyre dhe bëni lutje për ta.”

Muhaxhirët zbritën në shtëpitë e ensarëve, ku këta të fundit i ndihmuan me çdo gjë. I Dërguari i Allahut, kur mori plaçkat e luftës nga Benu Nedhir, i thirri ensarët dhe i falënderoi për atë që kanë bërë dhe u tha: “Nëse doni këtë pasuri ua ndaj ndërmjet jush dhe atyre e muhaxhirët të qëndrojnë aty ku janë nëpër shtëpitë tuaja e nëse doni, ua jap atyre dhe ata të dalin nga ju.” Sa’d b. Ubade dhe Sa’d b. Muadh thanë: “Ndajua atë pasuri muhaxhirëve dhe ata të qëndrojnë aty ku janë në shtëpitë tona ashtu siç kanë qenë.” Ensarët thanë: “Jemi të kënaqur dhe pajtohemi o i Dërguar i Allahut.” Atëherë i Dërguari tha: “O Allah, mëshiroji ensarët ddhe bijtë e ensarëve”. I Dërguari ua ndau pasurinë muhaxhirëve e nuk ua dha ensarëve, përveç tre personave nga mesi i tyre, të cilët ishin nevojtarë.

Tek fjala e Allahut të Lartësuar “dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre” do të ndalemi pak dhe të përmendim se Ibn Kethiri në tefsirin e tij lidhur me këtë ajet ka përmendur një hadith të shënuar nga Imam Ahmedi me zinxhir të besueshëm nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Ishim të ulur me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të, dhe ai tha: “Do të dalë tani një burrë nga banorët e xhenetit. Doli një burrë prej ensarëve, mjekra i pikonte nga uji i abdesit dhe nallanet e tij i mbante në dorën e majtë. Në ditën e nesërme Profeti tha të njëjtën fjalë dhe doli po i njëjti person si herën e parë. Në ditën e tretë Profeti tha të njëjtën thënie, sërish doli po i njëjti person me pamjen e tij të parë. Kur u ngrit Profeti paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të, Abdullah ibnul Asi, shkoi pas personit me fjalë dhe i tha: “Unë u grinda me babanë tim, pastaj u betova që të mos shkoj tek ai tri ditë. Nëse e shikon të arsyeshme të më strehosh ti, derisa të kalojnë tri ditët, unë qëndroj tek ti.” Ai i tha po. Enesi vazhdon dhe thotë: “Abdullahu qëndroi ato tre net me të, por nuk pa të ngrihej natën aspak, veçse kur kthehej, zgjohej, apo rrotullohej natën në dyshekun e tij, e përmendte Allahun dhe e madhëronte Atë, derisa çohej për namazin e sabahut. Abdullahu e kishte dëgjuar të fliste vetëm mirë gjatë atyre tri netëve dhe gati duke nënvleftësuar punën e tij dhe duke e konsideruar të paktë, i thotë: “O rob i Allahut, unë nuk pata as grindje, as hidhërim dhe as shkëputje nga babai im, por e dëgjova Profetin paqja dhe bekimi i Allahut qoftë më të duke thënë tri herë: “Del tani ndërmjet jush një burrë prej banorëve të xhenetit.” Ddole ti tri herë, pastaj dëshirova të strehohem te ti që të shikoja si është puna jote dhe të merrja ty për shembull, por nuk pashë të punoje shumë. Çfarë të bëri të arrish atë që tha Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të?” Ai u përgjigj: “Nuk ka asgjë tjetër veçse atë që pe.” Dhe kur Abdullahu nisi të largohej, e thirri dhe shtoi: “S’ka gjë tjetër përveç asaj që e shikove, vetëm se unë nuk kam dhe nuk mbaj ndaj asnjërit prej muslimanëve hile, mashtrim dhe s’kam smirë asnjërin për të mirat që i ka dhuruar Allahu.” Abdullahu i tha: “Kjo të bëri ty të arrish atë shkallë, të cilën ne nuk kemi mundësi ta bëjmë.”

Shumë prej komentuesve të Kuranit e kanë përmendur këtë hadith me rastin e komentimit të tyre të këtij ajeti “dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre”, kurse lidhshmëria e hadithit me shkakun e zbritjes së ajetit qëndron në atë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur u ndau pasurinë e Benu Nedhir muhaxhirëve e jo ensarëve, mund të ndodhte që kjo të ishte shkak për nxitjen e zilisë në shpirtrat e tyre. Allahu e ka sqaruar çiltërsinë e zemrave të ensarëve ndaj vëllezërve të tyre muhaxhirë në veçanti, kurse i Dërguari i Allahut e ka sqaruar me këtë hadith rëndësinë e çiltërsisë së zemrës ndaj të tjerëve në përgjithësi.

Përmes këtij ajeti dhe shkakut të zbritjes së tij mund të arrijmë të kuptojmë rëndësinë e cilësisë së altruizmit në jetën e shoqërisë muslimane, si rezultat i së cilës vjen zhvillimi dhe përparimi i shoqërisë në tërë atë që ka dobi në këtë botë dhe në botën tjetër. Dhe krahas kësaj ajeti sqaron ndikimin e cilësisë së koprracisë në jetën shoqërore dhe si rezultat i saj shkaktohet urrejtja, zilia, shkëputja e lidhjeve familjare dhe e dashurisë në shoqëri.

Përgatiti: Almedin Ejupi
6.9.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit