Barrikada në urën e Ibrit vazhdon të krijoj probleme për lëvizjen e lirë të qytetarëve, andaj strukturat e sigurisë duhet sa më parë të veprojnë për largimin e saj, kërkuan në takimin e radhës të Komitetit të Sigurisë së Komunës së Mitrovicës përfaqësuesit e këtij mekanizmi.
Një komunikatë për media citon nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, të ketë thënë se nuk mund të flitet për lëvizje të lirë dhe gjendje normale, derisa në rrugë ekziston edhe një barrikadë e vetme.
“Barrikada në urën e Ibrit, përveç krijimit të një imazhi të keq, është duke shkaktuar probleme të mëdha për lëvizje të lirë për qytetarët e veriut”, është shprehur Haziri.
Në këtë kontekst, ai përmendi qytetarët shqiptarë të lagjeve veriore, si ata të Lagjes së Boshnjakëve, Kodrës së Minatorëve dhe zonës së “Tre rrokaqiejve”, të cilët janë “të detyruar që të lëvizin nëpër rrugë alternative”.
Haziri gjithashtu përmendi “problemet e këtilla për banorët e fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit”.
Barrikdatat në pjesën veriore të Mitrovoicës ishin vendosur nga serbët lokalë pas aksionit policor të Prishtinës zyrtare më 25 korrik të vitit të kaluar si shenjë kundërshtimi ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës.
Një pjesë e madhe e këtyre barrikadave është hequr tashmë nga pjesëtarët e misionit ushtarak të NATO-s në vend, por një barrikadë e tillë ka mbetur ende në urën kryesore mbi lumin Ibër të Mitrovicës./BS/kohaislame